Bosnjë-Hercegovinë/ Rriten taksat e akcizës për të siguruar fondet e FMN-së dhe të BE-së

06/01/2018 9:29 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Ligjvënësit ranë dakord në lidhje me ndryshimet e ligjit të akcizës së Bosnjës, i cili do të rrisë taksat rrugore dhe çmimet e biokarburanteve, kushti i fundit i vendosur nga FMN-ja dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të zhbllokuar një fond zhvillimi rreth 1 miliard euro.

Ndryshimet në ligjin e akcizës u miratuan pas një debati afro 15 orësh në Parlament, ku partitë kryesore të opozitës argumentonin se i gjithë ky ndryshim do të bjerë mbi popullin. Agjencia Reuters njoftoi se si pasojë e një veprimi të tillë do të zhbllokohen rreth 1 miliard euro fonde zhvillimi për Bosnjën.

Ndryshimet e fundit të këtij ligji nënkuptojnë se tarifat rrugore dhe çmimet e biokarburanteve do të rriten, të cilat sipas argumentit të deputetëve të opozitës do të çojnë në rritje të çmimit të produkteve dhe shërbimeve në vend.
“Ne ende nuk e dimë se çfarë ndikimi do të ketë kjo akcizë në ekonominë tonë dhe kjo është arsyeja se përse ne nuk duam të votojmë për të”, tha Sasha Magazinoviç, një deputet i Partisë Social Demokrate.

Rritja e të ardhurave ka për qëllim të mbështesë projektet e zhvillimit të tilla si ndërtimi i rrugëve dhe të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës. Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, shprehu miratimin e tij pas votimit të deputetëve, duke thënë se masa e ndërmarrë do të “sigurojë investime në infrastrukturë” dhe ndihmë ndërkombëtare, duke e çuar vendin përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Miratimi i këtij ligji ishte vënë si kusht nga FMN-ja gjatë vitit të kaluar, kur u ra dakord për dhënien e një pakete ndihme për Bosnjën. Por sipas kushtit të marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar, ku Bosnjës iu dhanë rreth 553 milionë euro, u nxit edhe zemërimi i disa huadhënësve nga Uashingtoni të cilët nuk vonuan të ngrinin pagesat e mëtejshme të kredisë për Bosnjën, tha Reuters.

Reuters gjithashtu raportoi se miratimi i ligjit do të zhbllokonte një fond prej 220 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektet e infrastrukturës në Bosnjë, si dhe 250 milionë euro të tjera nga BERZH-i. Sidoqoftë, disa qytetarë boshnjakë shprehën shqetësimet rreth asaj nëse këto para do të shpenzoheshin siç duhet.

“Ne kemi edhe raste konkrete ku politikanë të shumtë i shpenzojnë këto para për të blerë makina të modeleve të fundit sesa për të bërë ndonjë investim të ri dhe është e vështirë që ne të gjithë të besojmë se që tani e tutje do të ndodhë krejt e kundërta”, u shpreh për BIRN, Stefan Blagic, një aktivist nga Banja Luka.

Analistja politik, Ivana Maric, nga Sarajeva tha se ishte i shqetësuar për ndikimin që do të kishte rritja e çmimit tek njerëzit e zakonshëm.
“Ne ende nuk kemi një informacion të saktë se si ata i kanë shpenzuar paratë që janë mbledhur nga akciza në periudhën e mëparshme dhe qytetarët do të kundërshtojnë edhe më shumë këtë herë, rritjen e re të çmimeve”, tha znj. Maric.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz