Ish-refugjatët e Bosnjës punësohen falë aftësisë së tyre në gjuhë të huaja në call center

16/07/2017 8:18 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Call Center 788

Kur klientët gjermanë kontaktohen nga operatorë që punojnë në call center, ekziston një probabilitet i madh që operatorët në anën tjetër të linjës të jenë boshnjakë, të cilët ishin strehuar në Gjermani në vitin 1992.

Irma filloi të luajë në flaut që kur ajo ishte rreth gjashtë vjeç. Ajo ishte në Gjermani në atë kohë, në shtetin ku ajo dhe familja e saj ikën për t’i shpëtuar luftës së viteve 1992-‘95 në Bosnjë. Përfundimisht, muzika u bë pasioni i saj. “Babai im dëgjonte shumë nga Jethro Tull, ndërsa nëna dëgjonte shumë nga Drugi Nacin”, u shpreh Irma për BIRN, duke iu referuar grupeve të njohura të rrokut si britanike ashtu edhe ish-jugosllave, të cilët përdornin flautin në këngët e tyre.

Pas përfundimit të luftës, Irma u kthye në Bosnjë dhe vazhdoi të ndiqte pasionin e saj, shpesh duke u praktikuar deri në nëntë orë në ditë. Sot, 30 vjeçe, edhe pse ajo ka një diplomë nga Akademia Muzikore e Sarajevës, gjatë natës punon në një call center ku flitet gjermanisht. “Është mirë. Nuk është punë e vështirë dhe paga nuk është aspak e keqe”, tha ajo për BIRN.
Për shkak të krizës së zgjatur politike, Bosnja është në fund të listës së vendeve ekonomikisht të pazhvilluara të rajonit të Ballkanit.
Shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve në Bosnjë është më e lartë se 57%.

Teksa gjetja edhe e punëve më modeste është një arritje në vetvete, askush nuk mund të supozojë se pagat janë të larta. Paga neto mesatare mujore është 429 euro.
Edhe pse kostot e jetesës janë më të ulëta se në pjesën më të madhe të vendeve europiane, paga të tilla si ajo e mësipërmja, ende nuk ofrojnë standarde të mira jetese.
Duke qenë se kompania në të cilën punon Irma, punon për një kompani gjermane, paga e saj është e mirë, veçanërisht sepse ajo punon edhe gjatë turnit të natës.

“Është e çuditshme që unë paguhem më shumë se një miku im që punon në një farmaci”, – thekson ajo. Rasti i Irmës pasqyron një tjetër nga anomalitë e Bosnjës, fakti që arsimi nuk është në përputhje me nevojat e sektorit të biznesit.
Dhe kjo gjë vërehet te shumë njerëz të arsimuar, të cilët nuk janë në gjendje të gjejnë punë në profesionet e tyre dhe përfundojnë duke punuar në fusha të ndryshme dhe shpesh në pozita më të ulëta sesa mund të mendonin.
“Është zhgënjyese që gjithë edukimi dhe arsimimi im në shkollën e lartë të shkojë dëm, duke qenë se momentalisht punoj në një call center”, thotë Irma.

Po ajo nuk është e vetme në këtë situatë. Irma punon së bashku me të diplomuar të tjerë nga fusha e drejtësisë dhe mjekësisë, të cilët po ashtu nuk kanë mundur të gjejnë punë në profesionin e tyre.
Megjithatë, Irma nuk është e pikëlluar, ajo ende ka shpresë dhe është e lumtur që nuk iu desh të braktiste plotësisht pasionin e saj.
Gjatë ditës, punon si mësuese e jashtme e muzikës në një shkollë. Aktualisht, nuk ka një vend të lirë pune në këtë shkollë, por ajo vazhdon të punojë me shpresën se ata nuk do ta harrojnë në momentin kur një profesor të dalë në pension.

Ajo është e vetëdijshme se kushtet e saj të punës janë mbi mesataren në Bosnjë.
Punësimi në call center ku flitet gjermanisht është kthyer në një trend të ri në Bosnjë vitet e fundit, madje edhe në mesin e njerëzve me arsim të lartë.

Boshnjakët kaluan fëmijërinë e tyre si refugjatë në Gjermani gjatë luftës së viteve 1992-1995. Shumica prej tyre
nuk e harruan gjermanishten që mësuan dhe për ata më me fat, që e mbajnë mend gjuhën edhe në ditët e sotme, njohuritë e tyre të rrjedhshme të gjuhës gjermane po paguajnë faturat e tyre.
Një prej atyre që patën sukses të madh në biznesin e call center-ave është edhe Jasenko Merdzanoviq.
“U bëra pjesë e kësaj industrie sepse e dija gjuhën. Unë kurrë nuk desha ta bëja këtë, por ishte alternativa më e mirë e mundshme”, tha Merdzanoviç, 31 vjeç, për BIRN-in, duke kujtuar lajmërimin që ai pa në internet për një call center të gjuhës gjermane, këtu e 5 vjet më parë.

Më parë ai kishte punuar edhe si kamerier dhe shitës dyqanesh, duke qenë se pas përfundimit të shkollës për ekonomi, nuk pati mundësi për të gjetur punë në profesionin e tij, si pasojë e vështirësive financiare.
Pak nga pak, ai arriti deri aty sa të krijojë krijoi firmën e tij. Në vitin 2015, ai regjistroi Client Marketing, për të ofruar shërbime call center, zhvillimi faqesh të ndryshme online dhe dizajn grafik për klientët e huaj. Sot, ai është drejtori krenar i një firme që ka punësuar rreth 49 boshnjakë të rinj.

“Siç edhe mund ta shihni, ne kemi një atmosferë të qetë këtu”, tha Merdzanoviç, ndërsa shëtit në firmën e tij të call center-it, e cila, ndër të tjera ka edhe disa modele puzzle në 3D të stadiumeve të futbollit.
“Në mesin tonë kemi pasur njerëz të diplomuar dhe me master, të cilët kanë punuar së bashku me njerëzit me arsim të mesëm”, shprehet ai. Merdzanoviç shton se disa nga stafi i tij nuk kishin qenë kurrë në Gjermani, por thjesht kishin mësuar gjermanisht rrjedhshëm nga televizioni.

“Shumë prej klientëve tanë në Gjermani na kërkojnë të ofrojmë shërbime për ta dhe ne shpesh nuk mund t’ia plotësojmë kërkesat sepse nuk kemi kapacitetin e duhur”, thekson ai, duke shpjeguar se përse firmat gjermane janë aq të interesuara për të punuar me boshnjakët.
“Si CEO i kësaj firme, kam një pagë më të ulët në krahasim me nivelin e pagës më minimale në Gjermani dhe fuqia jonë punëtore është shumë më e lirë”, thotë më tej Merdzanoviç.
Ai shton se vetëm në Sarajevë, di të paktën ekzistencën e 50 call center-ave të ngjashëm, edhe pse jo të gjitha prej tyre mund të jenë të suksesshme.

Ndërsa në call center dhe në firma të tjera në Bosnjë, në mënyrë që të shmanget pagimi i taksave dhe kontributeve për punonjësit regjistrohen një numër i madh punonjësish, ndërsa në firmën e tij, Merdzanoviç shprehet se të gjithë punonjësit janë të regjistruar dhe se i derdhen të gjitha kontributet.
Ai gjithashtu bën të mundur që pagat të paguhen në kohë, ndërsa punonjësit më të mirë mund të përdorin makinën ose telefonin e kompanisë.

“Nëse në Perëndim ata mund të marrin trajnime të ndryshme në lidhje me motivimin, këtu në Bosnjë, është motivim për ne nëse marrim vetëm pagën tonë në kohën e duhur dhe të mos na vonohet”, përfundon Merdzanoviç.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz