Bosnjë/ Miratohet strategjia afatgjatë e energjisë për të çelur fondet e BE-së

10/09/2018 8:53 AM 0 komente

Qeveria qendrore e Bosnjës miratoi strategjinë afatgjatë të energjisë, pas vitesh të tëra grindjesh politike midis dy rajoneve të saj, duke hapur rrugën për çeljen e fondeve nga Bashkimi Europian dhe investitorë të tjerë.

Me këtë strategji, ne përfunduam miratimin e një pakete shumë të rëndësishme prej katër strategjish për reformat ekonomike, tha Kryeministri i Bosnjës, Denis Zvizdiç. Ne arritëm të ndalonim edhe një trend negativ, sipas të cilit ne nuk mund të aplikonim për projekte energjetike afatgjata dhe të humbisnim qindra miliona euro në investime dhe grante, tha më tej z. Zvizdiç.

Bosnja, e cila aspiron të bashkohet me BE-në, po lufton prej kohësh që të miratojë strategji në fushën e transportit, bujqësisë, mjedisit dhe energjisë, të cilat janë kërkesa për marrjen e fondeve për këta sektorë nga blloku i pasur.

Dy rajonet autonome të vendit, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët myslimanë dhe kroatët, nuk kanë arritur të bien dakord me strategjitë e propozuara nga vetë ato me strategjitë e propozuara nga qeveria qendrore. “Ky dokument hap perspektivën e zhvillimit të sektorit të energjisë, konkurrencës dhe çel fondet e parapranimit të BE-së dhe grantet nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri i Tregtisë së Jashtme, Mirko Saroviç.

Ai shtoi se strategjia për 2018-2035, e hartuar nën sponsorizimin e BE-së për të siguruar furnizimin me energji elektrike dhe një kalim në energjinë e gjelbër, parashikon një investim prej rreth 9 miliardë markash boshnjake (5.4 miliardë dollarë). Por Bosnja ende ka nevojë që të ndryshojë rregulloret e saj për të përmbushur kushtet e vendosura nga Komuniteti Europian i Energjisë, shtoi z. Saroviç.

Ndryshe nga fqinjët e saj ballkanikë, të cilët mbështeten tek importet për të përmbushur shumicën e kërkesës së tyre për energji, Bosnja është në gjendje të eksportojë energji, pjesërisht falë kapacitetit hidroenergjetik, i cili siguron 40% të energjisë elektrike. Pjesa tjetër e fuqisë së saj vjen nga centrale qymyrguri.

Republika Serbe dhe Serbia ranë dakord që së bashku të ndërtojnë dy hidrocentrale, me kapacitet total 95 megavat në lumin Drina, që shkon përgjatë kufirit midis Bosnjës dhe Serbisë, për të ndihmuar diversifikimin e përzierjes së energjisë të tyre.

Kryeministri i Republikës Serbe, Zheljka Cvijanoviç, tha pas një sesioni të përbashkët të dy qeverive në qytetin boshnjak juglindor të Trebinës se hidrocentralet Foca dhe Paunci priten të kushtojnë rreth 200 milionë euro (233.2 milionë dollarë). /Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of