Në botë, të pasurit po shtohen gjithnjë e më shumë e këtë e bën të ditur raporti i “Pasurisë 2014” që është “firmosur” nga “Boston Consulting Group”, që vlerëson se pasuria private financiare u rrit me 14.6% në vitin 2013, duke arritur vlerën 152 trilionë dollarë. E gjithë merita është e performancës së tregut të aksioneve dhe e pasurisë së prodhuar nga të ashtuquajturat vende “Rde” (me zhvillim të shpejtë ekonomik).
Ritmi i rritjes është më i lartë se në vitin 2012, kur u llogarit në 8,7%, gjë e cila konfirmon edhe trendet. Azia dhe Paqësori (përjashtuar Japoninë) janë rajonet që kanë shënuar rritjen më të shpejtë, por edhe tregje si Amerika e Veriut, Europa Lindore, Lindja e Mesme, Afrika e Amerika Latine kanë njohur rritje me dy shifra. Amerika e Veriut dhe Europa Perëndimore konfirmohen si rajonet më të pasura, përkatësisht me 50.3 dhe 37.9 trilionë dollarë, por Azi-Paqësori ndjekin me distancë të shkurtër me 37 trilionë, në këtë mënyrë kanë ngushtuar distancën me Amerikën e Veriut, nga e cila ndahej me rreth 50% në vitin 2008.
Në rritje është edhe numri i milionerëve që sot numërohen në 16,3 milionë (+19%), përkundrejt 13.7 milionë që ishin në vitin 2012, pra 1.1% e të gjithë familjeve së botës. Kryeson SHBA me 7.1 milionë familje dhe 1.1 milionë milionerë të rinj.
Kina nga 1.5 milionë super të pasur tashmë numëron 2.4 duke tejkaluar në këtë mënyrë Japoninë, që ka 1.2 milionë milionerë ose 300,000 më pak se në vitin 2012, kjo për shkak të zhvlerësimit të jenit.
Për sa u përket ultra të pasurve, ata që kanë pasuri më të madhe se 100 milionë dollarë, kryeson SHBA me 4,754 familje, duke u ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 1,044 dhe Kina me 983. Katari është vendi me densitetin më të lartë të familjeve milionere me 175/1,000. Në vendin e dytë është Zvicra me 127, në të tretin Singapori me 100. Ndërsa sa i përket dendësisë së ultra të pasurve, Hong Kongu i mund të gjithë me 15.3/për milion, duke u ndjekur nga Zvicra me 8.5 milionë.
Rusia dallohet për ritmin e rritjes së familjeve të pasura me 18.5% ose 213,000, ndërsa pozicionohet e para sa u përket miliarderëve të rinj që u llogaritën nga 328 në 536 në fund të vitit 2013. Për pesë vitet e ardhshme parashikohet që ky trend të vazhdojë dhe pasuria botërore do të rritet me rreth 5.4 pikë përqindje deri sa të arrijë në 200,000 miliardë dollarë në 2018-n.