Ideja e Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino merr formë. Europa fiton tre vende, por më tepër do të përfitonin Azia dhe Afrika. Ky do të jetë Botërori 2026, i zgjeruar me 48 skuadra pjesëmarrëse.
Zyra e Presidencës së FIFA-s, me në krye Gianni Infantino-n, dhe kolegët e secilës prej 6 konfederatave botërore propozoi dje në Zyrih, ndarjen përkatëse të vendeve për çdo konfederatë, sa i përket Botërorit të vitit 2026, që do të zgjerohet nga 32 (formula aktuale) në 48 skuadra pjesëmarrëse.
Ashtu siç kishte kërkuar Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, numri i kombëtareve europiane pjesëmarrëse në Botëror do të kalojë nga 13 në 16. Azia dhe Afrika pothuajse do të dyfishojnë numrin e skuadrave të kualifikuara, Amerika e Veriut dhe ajo Qendrore dhe Amerika e Jugut do të çojnë 6 skuadra në Botëror, ndërsa Oqeania do të ketë të drejtën e një vendi të sigurt për herë të parë. Aktualisht 211 federata janë pjesë e FIFA-s, dhe me një llogari të thjeshtë duke filluar nga viti 2026 probabiliteti i skuadrave që do të shkojnë në Botëror në raport me numrin total të federatave do të jetë 1 me 4. Ky vendim pritet të ratifikohet nga Këshilli Ekzekutiv i FIFA-s, i parashikuar të mblidhet në 9 maj në Manama (Bahrein).
Vendi organizator do të vazhdojë të kualifikohet direkt në Botëror, pa pasur nevojën e fazës eliminatore. Në rastin e një organizimi dypalësh, pra nga dy shtete të ndryshme, numri i paracaktuar i skuadrave që do të kualifikohen nga konfederata përkatëse do të rishikohet nga Këshilli i FIFA-s.
Risia më e madhe do të ketë të bëjë me dy vendet e fundit që do të fitojnë një biletë për në Kupën e Botës. Sepse me llogarinë e mësipërme do të jenë 46 skuadrat që do të kualifikohen nga 6 konfederatat botërore. Duke qenë se Botërori duke filluar nga viti 2026 do të ketë 48 skuadra pjesëmarrëse, FIFA ka menduar që dy vendet e fundit të mbetura të kualifikohen përmes fazës Play-Off, e cila do të përfshijë 6 skuadra. Pesë prej tyre do të vijnë nga secila konfederatë, duke përjashtuar vetëm UEFA-n (Europën), ndërsa vendi i mbetur në Play-Off do të plotësohet nga një kombëtare që është pjesë e konfederatës së vendit organizator.