500 milionë dollarë shpenzime në javë. Kjo shifër e larte do të shkojë për stadiumet dhe infrastrukturën e Kupës së Botës Katar 2022. Me kursin aktual, janë rreth 467 milionë euro që do të investohen çdo 7 ditë përgjatë 6 viteve që na ndajnë nga ky eveniment.
Ministri i Financave të shtetit të Katarit, i cili ka bërë të ditur këto shifra, ka shtuar gjithashtu se ky ritëm shpenzimesh mund të ndryshojë në tre apo katër vitet e ardhshme. Këto investime nuk kanë të bëjnë vetëm me stadiumet, por me gjithçka që lidhet me organizimin e një Kampionati Botëror: rrugë, autostrada, hekurudha, porte, aeroporte, spitale etj. Qeveria e Katarit ka në plan vendosjen e një takse mbi vlerën e shtuar duke filluar nga viti i ardhshëm ose edhe në 2019-n.
“90% e kontratave për vitin 2022 janë nënshkruar”, ka pohuar përpara gazetarëve ministri i Financave, Ali Shareef Al-Emadi. “Po përpiqemi të mbyllin çdo gjë brenda afateve të parashikuara. Nuk do të donim që në periudhën kur njerëzit të fillojnë të vijnë në vendin tonë, ne ende të jemi duke bërë punime”, ishin fjalët e ministrit.
Disa ditë më parë inspektorët e “Building and Wood Workers’ International”, një Sindikatë Ndërkombëtare, kanë vizituar një nga kantieret që po ndërtohet për Botërorin 2022, ku një vit më parë humbi jetën një punëtor nga Nepali. “Kemi pasur mundësi të flasim me punëtorët rreth kushteve të punës”, deklaroi një nga përfaqësuesit e sindikatës.