Është miratuar në Fletoret Zyrtare, marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, i cili hynë në fuqi pas 15 ditësh.
Sipas marrëveshjes, aksionet e shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh. a., (e njohur më parë si CEZ Shpërndarje, sh. a.), të cilat janë në pronësi të shoqërisë CEZ, a. s., të lira nga çdo barrë kontraktore, të krijuara nga CEZ, a. s. deri në datën 21.3.2013, datë në të cilën shoqëria Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh. a. (e njohur më parë si CEZ Shpërndarje, sh. a.) është vendosur në administrim të përkohshëm i kalojnë në pronësi shtetit shqiptar, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë miraton një plan masash për rritjen e performancës së shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh. a. (e njohur më parë si CEZ Shpërndarje, sh. a.), treguesit e rinj të detyrueshëm për ushtrimin e aktivitetit të shpërndarjes e të furnizimit dhe mbikëqyr zbatimin e tij.
Ligji nr. 10 116, datë 23.4.2009, “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh. a., ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a. s.-së”, përfshirë anekset e tij, shfuqizohet.
Historia e aksioneve
Më datë 11 mars 2009, ish-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë e Republikës së Shqipërisë lidhi një marrëveshje për blerje aksionesh me CEZ. Me anë të kësaj Marrëveshjeje për Blerje Aksionesh, CEZ bleu 76% të kapitalit aksionar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sh.a, që më pas e ndryshoi emrin në “CEZ Shpërndarje” sh.a.
Marrëdhënia ndërmjet CEZ dhe organeve të ndryshme të Republikës së Shqipërisë u përkeqësua me kalimin e kohës, për arsye që secila palë ia ngarkon tjetrës duke çuar në pretendime dhe kundërpretendime.
Më 21 janar 2013, CEZ SH iu hoqën licencat e shpërndarjes dhe të furnizimit të energjisë elektrike dhe kjo shoqëri u vu nën administrim të përkohshëm.
Më datë 15 maj 2013, CEZ depozitoi një njoftim për arbitrazh në bazë të Rregullave të Arbitrazhit UNCITRAL (Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Ligjin Tregtar Ndërkombëtar) kundër Republikës së Shqipërisë sipas Traktatit të Kartës së Energjisë. Në atë kohë, ish-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë ishte duke filluar një arbitrazh në ICC bazuar në MBA.
Më datë 20 dhjetor 2013, CEZ dhe Republika e Shqipërisë nënshkruan memorandumin e parë të mirëkuptimit për të filluar negociatat për një marrëveshje të mundshme mirëkuptimi, me ndërmjetësimin e z. Dirk Buschle, Zëvendësdrejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i cili, më 7 prill 2014, u zgjat deri më 31 maj 2014 me anën e memorandumit të dytë të mirëkuptimit, më 1 qershor 2014 u zgjat deri më 15 qershor 2014 me anën e memorandumit të tretë të mirëkuptimit dhe më 16 qershor 2014 u zgjat deri më 23 qershor 2014 me anën e memorandumit të katërt të mirëkuptimit.
Këto negociata çuan në marrëveshjen aktuale
Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi nuk duhet të interpretohet në asnjë mënyrë si një pranim i ndonjë shkeljeje të ndonjë norme, as edhe si pranim i ndonjë përgjegjësie nga ndonjëra prej Palëve. Përkundrazi, Republika e Shqipërisë po e lidh këtë Marrëveshje për të siguruar shpërndarjen dhe furnizimin normal të energjisë elektrike, për të siguruar investimet në sektor nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe për të parandaluar rreziqet dhe kostot e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përpara trupave të shumtë gjykues, theksohet në relacionin e qeverisë.
Si do të kryhen pagesat
CEZ SH do t’i paguajë CEZ shumën totale prej 94,999,999 (nëntëdhjetë e katër milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) euro, si më poshtë:
a) në Datën e Përmbushjes, CEZ SH do t’i paguajë CEZ 10,000,000 (dhjetë milionë) euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë Huatë e Arkëtueshme BERZH/KNF në shumën 10,000,000 euro;
b) më 7 gusht 2015 CEZ SH do të paguajë 21,750,000 (njëzet e një milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë Huat e Arkëtueshme BERZH/KNF në shumën prej 6,625,000 euro dhe do të shlyejë ose do të bëjë që anëtarët e Grupit CEZ që janë mbajtësit e tyre të shlyejnë të Ardhurat e Arkëtueshme në shumën 15,125,000 euro;
c) më 7 gusht 2016, CEZ SH do t’i paguajë CEZ 21,083,333 (njëzet e një milionë e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tridhjetë e tre) euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë Huat e Arkëtueshme BERZH/KNF në shumën prej 6,625,000 euro dhe do të shlyejë ose do të bëjë që anëtarët e Grupit CEZ që janë mbajtësit e tyre të shlyejnë të Ardhurat Arkëtueshme në shumën prej 14,458,333 euro;
d) më 7 gusht 2017, CEZ SH do t’i paguajë CEZ 21,083,333 (njëzet e një millionë e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tridhjetë e tre) euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë Huat e Arkëtueshme BERZH/KNF në shumën prej 6,625,000 euro dhe do të shlyejë ose do të bëjë që anëtarët e Grupit CEZ që janë mbajtësit e tyre të shlyejnë të Ardhurat e Arkëtueshme në shumën prej 14,458,333 euro;
e) më 7 gusht 2018, CEZ SH do t’i paguajë CEZ 21,083,333 (njëzet e një milionë e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tridhjetë e tre) euro dhe CEZ, me marrjen e kësaj pagese, do të shlyejë pjesën e mbetur të Huave të Arkëtueshme BERZH/KNF dhe Interesin mbi të Gjithë Shumën dhe do të shlyejë ose do të bëjë anëtarët e Grupit CEZ që janë mbajtësit e tyre të shlyejnë pjesën e mbetur të të Ardhurave të Arkëtueshme.
Marrëveshja parashikon që në rast se ndonjë shumë detyrimi e pagueshme sipas nenit 5.1 të kësaj Marrëveshjeje nuk paguhet në momentin e duhur, mbi të do të zbatohet një interes për vonesë i barabartë me 1 muaj EURIBOR plus 2% në vit, duke filluar nga dita në vijim të ditës së caktuar për pagesën deri në, dhe duke përfshirë, ditën në të cilën shuma e vonuar paguhet plotësisht, por në çdo rast për një periudhë jo më të gjatë se 60 ditë nga dita që vijon ditën kur shuma e papaguar është bërë e pagueshme.
ANGAZHIME TË PËRBASHKËTA
Republika e Shqipërisë do të dëmshpërblejë Grupin CEZ kundrejt çdo kostoje dhe shpenzimi të arsyeshëm dhe të dokumentuar në mënyrë të arsyeshme që ka pësuar në lidhje me të gjitha humbjetdhe dëmtimet, të cilat Grupi CEZ mund t’i pësojë me një siguri të arsyeshme, për shkak: (i) të ndonjë shkeljeje të ndonjë premtimi, garantimi apo detyrimi të marrë përsipër nga ndonjë Palë Shqiptare në këtë Marrëveshje; dhe/ose (ii) të deklarimit të ndonjë pretendimi ose fillimit apo vazhdimit të ndonjë procedimi në lidhje me ndonjë Pretendim Përkatës nga ndonjë Palë Shqiptare ose person i tretë përjashtuar anëtarët e Grupit CEZ i cili mbështetet ose që pretendohet se mbështetet në parimin e çarjes së mburojës së shoqërisë tregtare, sipas nenit 16 të Ligjit Shqiptar të Shoqërive, parimin e grupit kontrollues sipas nenit 207(1) dhe nenin 208 të Ligjit Shqiptar të Shoqërive, parimin e grupit influencues sipas nenit 207(2) në lidhje me nenet 209 dhe 210 të Ligjit Shqiptar të Shoqërive, përgjegjësinë për dëmet sipas nenit 608 të Kodit Civil Shqiptar dhe nenit 99 të Ligjit Shqiptar të Procedurave Tatimore ose në çdo dispozitë, rregull apo parim tjetër të legjislacionit shqiptar sipas të cilit Grupi CEZ mund të bëhet përgjegjës për dëme, kompensim humbjesh apo tjetër. Për të shmangur dyshimet, por pa kufizuar në ndonjë mënyrë qëllimin e dëmshpërblimit, Republika e Shqipërisë do të dëmshpërblejë Grupin CEZ sipas kësaj Marrëveshjeje për çdo kosto të arsyeshme dhe të dokumentuara në mënyrë të arsyeshme të kryera në lidhje me to si dhe për të gjitha humbjet dhe dëmtimet për të cilat ndonjë anëtar i Grupit CEZ është vlerësuar përgjegjës për arsye të: (a) Procedimeve Shqiptar në Proces; (b) Kontrollet Tatimore në Proces; (c) zgjidhjes, siç kërkohet nga neni 9.6 ose 12.3 i kësaj Marrëveshjeje të secilit nga Procedimet CEZ në Proces, objekti i të cilave është një taksë, tatim, tarifë doganore, tarifë administrative, detyrim ose penalitet i çdo lloji i vendosur nga Republika e Shqipërisë apo ndonjë prej Degëve të saj; dhe (d) ndonjë procedim tjetër në lidhje ndonjë taksë, tatim, tarifë doganore, tarifë administrative, detyrim ose penalitet i çdo lloji i vendosur nga Republika e Shqipërisë ose ndonjë nga Degët e saj. Çdo kërkesë për dëmshpërblim sipas këtij neni 7.1 do të bëhet nëpërmjet paraqitjes së një njoftimi me shkrim pranë Republikës së Shqipërisë në mënyrë thelbësore në përputhje me formatin bashkangjitur kësaj Marrëveshjeje si aneksi 10.
CEZ do të dëmshpërblejë Republikën e Shqipërisë, Degët e saj dhe të Punësuarit e saj kundrejt kostove dhe shpenzimeve të arsyeshme dhe të dokumentuara në mënyrë të arsyeshme, të kryera lidhur me të gjitha humbjet dhe shpenzimet në lidhje me dhe të gjitha humbjet dhe dëmtimet të cilat Republika e Shqipërisë, Degët dhe të Punësuarit e saj mund të kenë pësuar me një siguri të arsyeshme për shkak: (i) të ndonjë shkeljeje të ndonjë premtimi, garantimi apo detyrimi të marrë përsipër nga ndonjë prej Palëve CEZ në këtë Marrëveshje; dhe/ose (ii) të kërkimit të ndonjë pretendimi ose fillimit apo vazhdimit të ndonjë procedimi në lidhje me ndonjë Pretendim Përkatës nga ndonjë Palë CEZ. Çdo kërkesë për dëmshpërblim sipas këtij neni 7.2 do të bëhet nëpërmjet paraqitjes së një njoftimi me shkrim tek CEZ në mënyrë thelbësore në përputhje me formatin e bashkangjitur këtu si aneksi 11.
Republika e Shqipërisë do të dëmshpërblejë Grupin CEZ kundrejt çdo kostoje dhe shpenzimi të arsyeshëm dhe të dokumentuar në mënyrë të arsyeshme që ka pësuar në lidhje me të si dhe për të gjitha humbjet dhe dëmtimet që ndonjë anëtar i Grupit CEZ mund të pësojë në mënyrë të arsyeshme të sigurt, për shkak: (i) të deklarimit të ndonjë pretendimi ose fillimit apo vazhdimit të ndonjë procedimi lidhur me ndonjë Pretendim në lidhje me Bashkëpunimin kundër ndonjë anëtari të Grupit CEZ në çdo forum apo juridiksion; dhe (ii) të shkeljes së ndonjë premtimi, garantimi ose detyrimi të marrë përsipër nga CEZ SH në Marrëveshjen e Bashkëpunimit. Çdo kërkesë për dëmshpërblim sipas këtij neni 7.3 do të bëhet nëpërmjet paraqitjes së një njoftimi me shkrim pranë Republikës së Shqipërisë në mënyrë thelbësore në përputhje me formatin bashkangjitur këtu si aneksi 10.
Nuk do të përdoret si mbrojtje ndaj ndonjë kërkese për dëmshpërblim që Grupi CEZ ose, sipas rastit, Republika e Shqipërisë ose Degët apo të Punësuarit e saj nuk mbrojtën në mënyrën e duhur ndonjë nga pretendimet apo procedimet e mësipërme. Grupi CEZ dhe Republika e Shqipërisë, Degët dhe të Punësuarit e tyre, sidoqoftë do të mund të ngrenë çdo dhe të gjitha mjetet mbrojtëse në lidhje me afatet, kufizimin e veprimeve, parashkrimin, neglizhencën, vonesën ose mjete të tjera mbrojtëse të ngjashme ligjore apo barazie që disponohen prej tyre në mënyrë të arsyeshme sipas çdo ligji të zbatueshëm.
Palët Shqiptare nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, do të ndërhyjë, do të vonojë, do të pengojë ose do të ndikojë negativisht në ndonjë mënyrë tjetër mbi likuidimin në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe/ose çregjistrimin nga të gjitha regjistrat publikë përkatës në Republikën e Shqipërisë në përputhje me legjislacionin shqiptar, të SHSA, CEZ Trade Albania dhe përfaqësuesit tatimor të CEZ në Republikën e Shqipërisë.