Banka Qendrore Evropiane i la normat e interesit të pandryshuar, në nivelet më të ulëta të saj dhe përsëriti angazhimin e saj për të bërë më shumë nëse rritja ekonomike zhgënjen, në një vendim që shënon fundin e një viti të fortë për ekonominë e eurozonës.
Këshilli qeverisës i BQE mbajti normën bazë në zero. Norma e depozitave do të mbetet në minus 0.4 për qind, një nivel që në fakt imponon një taksë mbi rezervat nga huadhënësit nga sektori privat në bankat qendrore të zonës euro.
Me ekonominë e eurozonës që pritet të mbetet e fortë në vitin 2018, BQE në fund të vitit mund të përfundojë më në fund programin e blerjes së aseteve – por çështja mbetet në diskutim.
Në deklaratën e saj, banka qendrore përsëriti se “është gati” për të rritur madhësinë e programit, të quajtur lehtësim sasior, duke përforcuar idenë se nuk ka gjasa që rimëkëmbja të ndalojë.
Banka qendrore konfirmoi se midis janarit të ardhshëm dhe shtatorit 2018 do të blejë 30 mld euro obligacione – gjysma e nivelit aktual prej 60 mld euro të blerjeve në muaj. Ajo shtoi se gjatë kësaj periudhe do të riinvestojë të ardhurat e çdo obligacioni që maturohet.
Ndërsa Mario Draghi, presidenti i BQE, ka lënë të kuptohet se banka do të vazhdojë të zgjerojë bilancin e saj përtej shtatorit, disa zyrtarë në këshillin drejtues duan të përfundojnë blerjet e reja të obligacioneve në vjeshtë. Debati për përfundimin e lehtësimit sasior ka gjasa të bëhet më i nxehtë në vitin e ri, nëse rimëkëmbja e eurozonës ndal hapin.