Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kanë raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave në lidhje me situatën mbi masat shtesë për sigurinë fizike dhe atë të informacionit në sistemin bankar, nisur nga grabitjet e kohëve të fundit, si ajo në Rinas, por edhe në zonën e Ish-Bllokut.
Pas përfundimit të raportimit me dyer të mbyllura, kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, u shpreh se Policia e Shtetit do të mbikëqyrë kompanitë e sigurisë fizike që kontraktojnë bankat.
Sipas tij ka pasur 34 vjedhje në 2013 në sistemin bankar, ndërsa tani vetëm 7. Braçe tha se ka pasur një boshllëk në legjislacion, ndërsa masat e reja do të hyjnë në fuqi brenda muajit tetor.
“Dy titullarët raportuan për rregullat e sigurisë në banka. Ka pasur një vakum në legjislacion. Ligji i ri detyron bankën të monitorojë sistemet e sigurisë së bankave.
Policia e Shtetit do të mbikëqyrë kompanitë e sigurisë fizike që kontraktojnë bankat. Të dy institucionet do të ndjekin një plan të detajuar.
Nuk bëhet fjalë për sigurinë e depozitave të qytetarëve. Masat kanë qëllim sigurimin e transfertave në cash, si dhe rezervat e larta në cash që mbajnë bankat”, tha Braçe.
Sipas tij, rasti i fundit i vjedhjes së bankës në Bllok ka nxjerrë në dritë nevojat për rritjen e sigurisë.
Në Qershor në Aeroportin e Rinasit u grabitën rreth 1 milion euro të një banke të nivelit të dytë që do të transferoheshin jashtë vendit, ndërsa pak javë në parë në ish-Bllok ndodhi një tjetër grabitje në një bankë të nivelit të dytë ku u morën 21 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.