Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë Erjon Braçe në një konferencë për shtyp ka deklaruar se çështja e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë do të futet për diskutim në seancë plenare me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit. Sipas Braçes, deri tani Ardian Fullanin ka refuzuar të japë informacione në kuvend mbi punonjësit e Bankës se Shqipërisë, emrat dhe funksionet e tyre, kontratat e investimeve nga viti 2010 e ne vijim, raportet e grupeve te punës te ngritura pas vjedhjes.
Ndër të tjerash ai ka thënë se Guvernatori I BSH-së ka kërkuar të ketë një takim personal me të, por ai ka refuzuar.
“Ka 7 ditë që Guvernatori kërkon një takim personal me mua. Nuk do ta ketë. Guvernatori të respektojë ligjin. Të vijë në Kuvend,” tha Erjon Braçe.
Sipas Braçes që në 2009 BSH nuk ka raportuar në Kuvend për aktivitetin e saj ndërkohë në sesionin e ri parlamentar, i cili nis në shtator para komisionit të Ekonomisë, do të ketë seanca dëgjimore me të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së. Braçe denoncoi mungesën konstante të informimit të Kuvendit nga Banka e Shqipërisë.
“Ka mungesë konstante e informimit, jo për të ushtruar kontroll por për të punësuar vëllezër, motra vajza, djem. Kjo praktikë mori fund. Ligji nuk parashikon asnjë kufizim të informacionit. Në asnjë gërmë nuk parashikon që Banka e Shqipërisë, qoftë dhe për informacionet e klasifikuara të mos e raportojë në Kuvend. Që në ditën e parë në Komisionin Ekonomisë do paraqes një raport për kontrollin e mbikëqyrjes e BSH. Dosja është kompletuar me këto 3 info mungojnë por do i marrim në një mënyrë tjetar
Duhet të nisim seancat dëgjimore në mënyrë urgjente me dy inspektorët e përgjithshëm të BSH. Do të vijojmë me dëgjesa publike të secilit anëtar të Këshillit Mbikqyrës. Do tentojmë të provojmë nëse janë kryer detyrat apo jo”, tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.