Anketimi me menaxherët e hoteleve zbulon tendencat e pushuesve në këtë sezon me mot të nxehtë, por me biznes të “ftohtë”
Nga Laura Çela
Ajo që bie në sy këtë sezon veror është braktisja e qytetit të Durrësit nga turistët, çka ka çuar në një numër shumë të ulët rezervimesh gjatë këtij viti. Rënie të ndjeshme në këtë zonë kanë regjistruar turistët kosovarë rezulton nga një pyetësor me drejtues të disa hoteleve kryesore në bregdetin shqiptar, që ka realizuar Revista “Monitor”.
Më pozitive shfaqet situata në Jugun e vendit, qoftë në Vlorë apo në Sarandë, ku ka një numër konstant të turistëve kundrejt një viti më parë.
Edhe në Veri, situata është pozitive, kryesisht pas datës 8 gusht, kur u mbyll edhe muaji i Ramazanit.
Nga hotelierët konstatohet shkurtimi i netëve të qëndrimit si dhe “kursimi” i shtuar i klientëve.
Nëse më parë, rezervimet ishin deri në 10 ditë, këtë vit janë shtuar qëndrimet deri në 7 net, ndërkohë që në rritje kanë qenë edhe rezervimet 2-3-ditore, kryesisht për fundjavë.
Pushuesit, nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë po i qëndrojnë “larg” restoranteve, duke zgjedhur të konsumojnë produkte të gatuara vetë apo dhe të blera në supermarket apo dyqane të ndryshme ushqimore. Kjo ka çuar në rënien e konsumit në restorante.
Tendencat verë 2013
-Shkurtimi i netëve të qëndrimit
Nëse më parë, rezervimet ishin deri në 10 ditë, këtë vit janë shtuar qëndrimet deri në 7 net
-pushimet e fundjavës
kanë qenë edhe rezervimet 2-3-ditore, kryesisht për fundjavë
-ulje e konsumit në restorante
Pushuesit gjithnjë e më shumë po i qëndrojnë “larg” restoranteve, duke zgjedhur të konsumojnë produkte të gatuara vetë apo dhe të blera në supermarket apo dyqane të ndryshme ushqimore
Durrësi braktiset
-Isida Divi, menaxhere ekzekutive e një prej hoteleve më luksozë në Durrës, “Hotel Adriatik”, thotë për revistën “Monitor” se ky sezon turistik shfaqet negativ.
“Është ndjeshëm më i dobët se një vit më parë. Realizimi i këtij sezoni është 40% i atij të një viti më parë.
Duket se këtë vit, të paktën kjo që ne vërejmë si operatorë, ka një shmangie të qytetit të Durrësit dhe plazheve të tij. Këtë vit, pushuesit kosovarë, ku ne kemi edhe pjesën dërrmuese të klientelës kanë zgjedhur të qëndrojnë në zonat veriore bregdetare.
Ka një ndryshim në kërkesa dhe rezervime pas muajit të Ramazanit, por jo ndonjë lëvizje të madhe, çka mund të përmbysë raportet negative të deritanishme.
Aktualisht në hotel, ne punojmë kryesisht me klientelë të huaj, që janë përgjithësisht nga Kosova dhe Maqedonia, por që jetojnë jashtë. Kemi garantuar gjithashtu një standard dhe oferta që të tërheqim klientelën”.
-Ada Stafa, administratore e hotel “Vila Belvedere” konfirmon gjithashtu situatën tepër negative në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku ndodhet edhe hoteli i saj.
“Baza jonë aktualisht janë kosovarët, ndryshe nga dy vitet e para të aktivitetit, në fillim të viteve ’90, kur punuam me klientë vendas. Ishin kryesisht qytetarë nga zona jobregdetare, si Elbasan, Fier, etj., që zgjidhnin Durrësin për të bërë pushimet e tyre verore.
Por me rritjen e mundësive për të udhëtuar jashtë dhe shtimin e paketave turistike për në bregdetet e huaja, edhe klientela jonë nisi të ndryshojë. Durrësi, më pas, kaloi si destinacion i turistëve kosovarë apo maqedonas.
Por gjatë këtij viti është shënuar rënie e ndjeshme e rezervimeve nga turistët kosovarë. Në hotelin tonë kemi shënuar ulje shumë të madhe të numrit të pushuesve dhe situata nuk pritet të ndryshojë as deri në fund të muajit gusht, me mbylljen e sezonit turistik veror. Duket se tashmë, turistët kosovarë kanë zgjedhur të pushojnë në Veri të vendit, ku plazhet janë më të pastra se në Durrës. Këtë vit nuk kemi pasur as pushues që kalonin një apo dy net në Durrës, qoftë edhe për fundjavë.
Klientët tanë, këtë vit, kanë qenë të huaj, kryesisht polakë, që kanë qëndruar deri në një javë.
Të huajt që kanë ardhur nuk kanë dalë në plazh, po kanë zgjedhur që të qëndrojnë në pishinë.
Problematike mbetet situata edhe për vitet në vazhdim, nëse nuk do të ndërhyhet në zonën e Durrësit. Së pari, më problematike mbetet infrastruktura, ku ende në plazhe dhe në det “notojnë” ujërat e zeza. Kësaj duhet t’i jepet njëherë e përgjithmonë zgjidhje.
Për sa i përket zonës së Shkëmbit të Kavajës është problem, sepse aty nuk ka një infrastrukturë që të afrojë turistët, pasi mungon qoftë edhe një shëtitore, që duhet ta ketë çdo zonë turistike. Nëse nuk ndërmerren masa, sezoni turistik i vitit të ardhshëm do të jetë edhe më negativ.
Vlorë-Sarandë, ruhen shifrat
-Azem Selmanaj, administrator i një hoteli me standard të lartë në zonën turistike të Radhimës në Vlorë, hotel “Paradise”, thotë se fluksi i rezervimeve dhe turistëve në hotelin e tij është thuajse i njëjtë me një vit më parë.
“Që nga muaji korrik, rezervimet janë njësoj si një vit më parë, pak a shumë.
Qershori ka qenë një muaj negativ për shumë arsye. Moti ka qenë i paqëndrueshëm, ndërkohë që zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme solli pasiguri te klientela që të rezervonte pushime.
Në hotelin tonë kemi më shumë turistë vendas, të cilët kthehen tek ne, pasi kanë mbetur të kënaqur. Për momentin i kemi të gjitha dhomat e zëna deri në javën e parë të shtatorit.
Por kemi kërkesa edhe nga të huajt, megjithëse baza mbetet klientela kryesisht vendase. Vijnë gjithashtu edhe turistë nga Kosova, Maqedonia, Zvicra, Gjermania.
Ajo që mund të them është fakti se klientët po bëhen gjithnjë e më të zgjuar, pasi janë shumë më të vëmendshëm të zgjedhin hotelet nga ato që i ofrojnë, sidomos në shërbim. Është fakt, se hotelet që kanë shërbim të mirë, nuk shënojnë rënie të interesit dhe rezervimeve, por janë ato që “çalojnë” në këtë drejtim, që vuajnë edhe largimin e klientelës.
Ne mundohemi që të ofrojmë maksimumin për klientët tanë, megjithëse mundësitë janë të pakta, pasi jemi hotele të vogla dhe jo resorte të mëdha që mund të garantojnë një gamë të gjerë shërbimesh, sidomos argëtuese. Sigurisht, që kemi dëshirë që të zgjerojmë aktivitetin, por investimet në resorte kërkojnë kapitale të mëdha dhe mund të realizohen vetëm me mbështetjen e qeverisë”.
-Hotel “Dea” është gjithashtu një hotel i pozicionuar në Radhimë të Vlorës. Administratori i hotelit tregon se është shënuar rënie e fluksit të rezervimeve gjatë muajve qershor-korrik dhe më pozitiv duket muaji gusht.
“Kanë ndikuar shumë negativisht zgjedhjet, pasi kanë përçuar pasiguri te klientët. Por edhe kriza, sigurisht që jep efektin e saj, sepse njerëzit duket qartë që kanë më pak para se më parë.
Tani nuk na mbetet edhe shumë kohë që të mund të shfrytëzojmë sezonin turistik, sepse ka kaluar edhe gjysma e parë e muajit gusht. Po shënohet ndërkohë një rënie e vazhdueshme e net-qëndrimeve dhe mund të them se gjatë këtij viti, kemi pasur rritje të qëndrimeve 2-3 net, kryesisht në fundjavë”.
-Jusi Gerveni drejton hotelin “Splendor”, i cili sapo ka nisur aktivitetin në Dhërmi, në zonën më të preferuar në bregdetin jugor.
Hoteli është një ndër më luksozët në këtë zonë, me një kapacitet prej 44 dhomash, nga të cilat 24 janë teke, 20 janë dopio, brenda të cilave 4 janë suita.
Çmimet variojnë në 70-80 euro/nata, ku brenda ofrohet edhe një mëngjes bufe, si dhe shfrytëzim i pishinës dhe hapësirës private në plazhin e Dhërmiut.
Hoteli “Splendor”, i cili shtrihet vetëm 150 metra larg detit, tashmë është tërësisht i zënë nga turistët dhe rezervimet janë deri në fund të gushtit.
“Sigurisht nuk mund të bëj një krahasim me vitet e mëparshme, pasi është viti i parë që ne kemi nisur aktivitetin. Sipas të dhënave që kemi nga zona, vihet re një spostim i pushimeve në muajin gusht, kryesisht për shkak të muajit të Ramazanit.
Por mund të them se dhomat tona janë tërësisht të rezervuara deri në fund të muajit gusht.
Kryesisht pushuesit janë shtetas kosovarë që jetojnë në Europë, por edhe turistë të huaj, si italianë, francezë, etj. Afati mesatar i qëndrimit të tyre varion nga 3-4 net, ku kryesisht shfrytëzohet fundjava”, thotë z. Gerveni.
Ai tregon se nisma për ndërtimin e hotel “Splendor” është e para në fushën e hotelerisë, pasi ka qenë i përfshirë në biznese të tjera.
“E ndërmorëm këtë nismë dhe pikërisht në këtë zonë, sepse këtu ka mungesë të hoteleve me standard, ndaj që në fillim kemi qenë të qartë që do të ofrojmë një hotel me kushte dhe shërbim shumë të mirë.
Probleme më së shumti kemi me rekrutimin e stafit, pasi ka vështirësi në gjetjen e njerëzve të trajnuar në fushën e hotelerisë, por fillimisht jemi edhe vetë shumë të angazhuar për të mos lejuar asnjë boshllëk. Jemi optimistë për ecurinë, sepse suksesin e bazojmë në shërbim dhe standarde të larta dhe çmimet favorizuese”, thotë z. Jusi Gerveni.
-Drejtuesit e hotelit “Belle Vue”, i vendosur në një nga zonat më të preferuara të Jugut të vendit, në Dhërmi, tregojnë se shifrat e rezervimeve dhe pushuesve që kanë mbërritur në hotelin e tyre gjatë këtij sezoni janë më negative se një vit më parë.
“Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, sezoni është padyshim më i dobët. Muaji qershor dhe korrik kanë qenë negativë, si pasojë e zgjedhjeve si dhe muajit të Ramazanit, që na ka prekur shumë të rezervimet e turistëve kosovarë.
Në raport me vitin 2012 kemi rënie prej 30%. Shohim se në gusht ka shtim të rezervimeve, por problem ynë është se nuk do të mjaftojë kjo periudhë për të rikuperuar rënien e dy muajve të parë. Kosovarët, që pas mbylljes së muajit të Ramazanit, janë duke e shtuar fluksin.
Ka një rritje të turistëve që vijnë kryesisht në fundjavë, vijnë të premten dhe ikin të dielën”.
-Meri Lepuri, administratore e një prej hoteleve më luksozë në qytetin e Sarandës, “Hotel Butrinti”, raporton një sezon pozitiv këtë vit.
“Në hotelin tonë, numri i turistëve është 17% më shumë se një vit më parë dhe nga të dhënat që ne kemi, në të gjithë Sarandën situata është pozitive.
Duket se ka një kthim të turistëve drejt Sarandës, kjo kryesisht prej detit që është i pastër dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me ndotjen ndërkohë që edhe fuqia hoteliere është e madhe dhe mund të përballojë një fluks të madh njerëzish.
Në hotelin tonë, më së shumti klientë kemi shqiptarët e Diasporës, me banim në Europë, italianë, zviceranë, gjermanë, anglezë dhe vendet nordike.
Afati i qëndrimit është ulur në dy-tri ditë dhe janë ulur ndjeshëm rezervimet me net-qëndrime të gjata.
Tek çmimet, kemi ruajtur nivel të njëjtë me një vit më parë dhe jemi të kujdesshëm që të ofrojmë një standard të lartë”.
Tërheq “Veriu”
Pozitive shfaqet situata në Veri të vendit. Në plazhin e Velipojës, rreth 40 kilometra larg nga Shkodra, që nga grykëderdhja e lumit Buna, aty ku fillon edhe zona e territorit të plazhit, në kufi me Malin e Zi, dhe deri në skajin tjetër, në Vilu, pranë fshatit Rrjoll, zonë që e ndan atë me Shëngjinin, Bregu i Rërës është i mbipopulluar me pushues.
Fluksi, siç tregojnë hotelierët, është shtuar pas muajit të Ramazanit.
-Tonin Pepa, i cili drejton një hotel në Velipojë, tregon se shifrat janë thuajse të njëjta me një vit më parë.
“Nuk kemi shënuar rritje, sepse muaji qershor dhe korrik kanë qenë të dobët. Kryesisht kanë ndikuar zgjedhjet, por më shumë muaji i Ramazanit, çka ka frenuar rezervimet e pushuesve kosovarë.
Ne si hotel punojmë me dy lloj ofertash, me dhoma hoteli, por dhe tip apartamente. Vijnë kryesisht kosovarë por edhe shqiptarë. Mund të them se rënie gjatë qershor-korrikut ka pasur tek hotelet dhe jo tek apartamentet. Por tani ka një ecuri shumë pozitive të rezervimeve.
Shohim, nga ana tjetër, se ka një tendencë në rritje të klientëve për të shpenzuar gjithnjë e më pak në restorante e bare, çka tregon për krizën e konsumatorëve”, thotë z. Pepa
-Drejtuesit e hotel “Valz” në Velipojë janë shumë të zënë këto ditë me prenotimet dhe shërbimin ndaj klientëve. Siç tregojnë edhe administratorët e hotelit, këto ditë po shënojnë fluks shumë të madh të ardhjeve të kosovarëve, që janë edhe pushuesit që sundojnë në bregdetin e Velipojës.
“Ecuria ka qenë pozitive, për shkak se edhe infrastruktura në Velipojë është e mirë. Deti është i pastër, plazhet gjithashtu, ndërkohë që është edhe një pedonale në zonë, çka rrit mundësinë e daljes dhe argëtimit në orët e mbrëmjes.
Është e vërtetë që gjatë muajve qershor-korrik ka pasur një lloj stepje të turistëve, por në gusht, thuajse nuk po marrim dot “frymë” prej kërkesave.
Këto dy vitet e fundit po vërejmë spostim të vazhdueshëm të turistëve kosovarë nga Durrësi në Velipojë dhe kjo ka shtuar ndjeshëm kërkesat dhe rezervimet përgjatë gjithë bregdetit tonë.
Ata që vijnë kryesisht janë kosovarë që jetojnë jashtë vendit, si në Suedi, Gjermani, Itali, etj.”.
-Edhe në Shëngjin, gjithashtu, ka pasur rritje të turistëve kosovarë gjatë muajit gusht. Drejtuesit e “Laguna Park” në Kune, Lezhë, thonë se në muajt qershor-korrik është “vuajtur” rënia e turistëve, ndërkohë që ka një rikuperim në gusht.
“Problem për ne mbetet fakti se edhe ata që vijnë shpenzojnë shumë pak, pasi konsumojnë kryesisht ushqimet e veta”, thonë drejtuesit e “Laguna Park”.
Tendencat verë 2013
-Shkurtimi i netëve të qëndrimit
Nëse më parë, rezervimet ishin deri në 10 ditë, këtë vit janë shtuar qëndrimet deri në 7 net
-pushimet e fundjavës
kanë qenë edhe rezervimet 2-3-ditore, kryesisht për fundjavë
-ulje e konsumit në restorante
Pushuesit gjithnjë e më shumë po i qëndrojnë “larg” restoranteve, duke zgjedhur të konsumojnë produkte të gatuara vetë apo dhe të blera në supermarket apo dyqane të ndryshme ushqimore
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.