Britania mund të “marrë sërish kontrollin” nga Europa pa i shkëputur të gjitha lidhjet
Kabineti britanik zhvilloi një sesion të gjatë, në mënyrë që të nxirrte në pah dhe të përcaktonte se çfarë lloj Brexit është më i mirë për Britaninë. Ministrat janë të paqartë dhe kanë shumë pikëpyetje në lidhje me marrëdhëniet që vendi do të ketë me Bashkimin Europian. Koha nuk premton, shkruan The Economist.
Edhe pse duhet pak më shumë se një vit që Britania të dalë nga BE-ja, liderët e 27 vendeve anëtare të saj janë të shqetësuar.
Britanikët në të dy anët e medaljes, si ata që janë pro ndarjes, si ata që janë kundër saj, e kanë parë si të domosdoshëm faktin e planifikimeve paraprake, sepse ajo që ata kanë arritur deri më tani janë vetëm fjalë “boshe” dhe kontradikta të shumta midis tyre.
Qeveria po përpiqet për një Brexit “të vështirë”, duke u larguar si nga tregu i përbashkët, ashtu edhe nga bashkimi doganor. Sipas Kryeministres Theresa May, kjo duket se është mënyra e vetme për të nderuar rezultatin e referendumit, sepse një Brexit “i butë” do të ishte fyes për shtetin britanik.
Një Brexit “i butë”, me nënshkrimin e një marrëveshje të ngjashme me atë të Norvegjisë, është i papranueshëm, sepse ai nuk do të siguronte pavarësinë e gjykatave, lirinë për të nënshkruar marrëveshje të tjera tregtare dhe mundësinë për të kufizuar emigracionin. Një lloj i tillë Brexit do ta kthente Britaninë në një “shtet vasal”, dhe sikur të gjitha këto kufizime të mos mjaftonin, asaj do t’i duhej që të paguante edhe një taksë të lartë vjetore.
Megjithatë, nëse gjithkush prej nesh do ta shikonte më me vëmendje “fatin” e Norvegjisë, do të kuptonte etiketimin se një Brexit “i butë” nuk ka pothuajse fare lidhje me përshkrimin e dhënë më sipër, ai është thjesht i gabuar.
Por kjo nuk ia heq të drejtën znj. May për të thënë se Britania do ta përfundojë këtë proces sipas modelit të saj dhe nuk ka nevojë të kopjojë shembullin e një shteti tjetër. Nga ana tjetër, në vend që ajo të injorojë me kokëfortësi ecurinë e shteteve të tjera, ajo duhet të mësojë prej tyre, dhe Norvegjia është një prej shteteve më të mira për t’u marrë si shembull.
Mendojeni sërish
Në vitin 1994, norvegjezët votuan kundër anëtarësimit në BE, pothuajse me të njëjtën diferencë të ngushtë me të cilën Britania zgjodhi të largohej prej saj në vitin 2016. Por ndërsa në Britani, debati pothuajse gjithmonë ka qenë i dominuar nga mbështetësit e Brexit “të ashpër” në Norvegji, një situatë e tillë u pa si një mundësi për të arritur kompromise.
Vendi i tyre është jashtë BE-së, por brenda tregut të vetëm, duke i lejuar asaj që të tregtojë lirisht me shtetet e tjera të kontinentit.
Për Britaninë, sipas vlerësimeve të qeverisë, largimi nga tregu i vetëm do të thotë se PBB-ja e vendit në një hark kohor pas 15 vitesh nga Brexit do të jetë 3-6% më e ulët në krahasim me atë që do të ishte po të mos largohej. (Ndërsa mbështetësit e Brexit “të ashpër” e kundërshtojnë këtë gjë, duke thënë se parashikimet do të jenë pozitive, por shembujt e tyre bazohen në supozime të largëta, në dukje thuajse të pamundura, si heqja e të gjitha tarifave).
Norvegjia krijoi disa kompani të vogla për të mbajtur kontrollin mbi industri të çmuara për të, si bujqësia dhe peshkimi. Ai ra dakord se do të vepronte në përputhje me pjesën më të madhe të rregullave të BE-së, do t’i hapte kufijtë e saj për emigrantët dhe do të bënte pagesa të mëdha vjetore. Por si funksionon BE-ja në lidhje me kërkesat e “të larguarve”? Le të fillojmë nga paratë.
Kontributet e Norvegjisë në BE/për person janë rreth tre të katërtat e asaj që Britania paguan tani. Në vend që kontributet e saj të bëhen pjesë e buxhetit qendror të BE-së, pjesa më e madhe e tyre përdoren për programe të veçanta kërkimore ose edukative, siç janë shkëmbimet e studentëve të Erasmus-it, apo u dërgohen vendeve të varfra në formën e granteve që kontrollohen nga Norvegjia dhe jo nga BE-ja.
Por një vend i cili gjeneron pasuri nga nafta që shkon deri në 1 trilion dollarë mund të heqë dorë më lehtë nga pagesa të tilla në krahasim me një vend që ballafaqohet me një deficit buxhetor. Por Britania ka thënë se do të paguajë për aksesin e saj në tregun e përbashkët dhe se do të marrë pjesë në programe specifike.
Pas parave, vijnë ligjet e BE-së. Znj. May ka deklaruar se Britania duhet të largohet nga juridiksioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Tregtia e Norvegjisë me Europën qeveriset nga Gjykata e Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Parimisht, vendimet e gjykatës së EFTA-s janë në formën e këshillave dhe nuk kanë fuqinë ligjore për të gjobitur të gjitha ato shtete anëtare që nuk respektojnë rregullat e saj.
Nga ana praktike, eksportuesit britanikë do të duhet të ndjekin rregullat e tregut të vetëm, edhe nëse ata nuk janë më pjesë e tij.
Më e rëndësishme është se Norvegjia nuk është “shteti vasal” që pretendojnë mbështetësit e Brexit “të ashpër”.
Ajo është përfshirë në hartimin e ligjeve dhe rregulloreve të BE-së, veçanërisht në fusha si energjia, ku ka njohuri të shumta. Është e vërtetë që ajo nuk ka asnjë vend në Parlamentin ose Këshillin Europian, por shumica e rregulloreve miratohen pa një votim formal.
Ato negociohen në komisione ku ajo që ka rëndësi është ekspertiza dhe njohuri mbi atë fushë që po diskutohet. Si Norvegjia ashtu edhe Zvicra kanë ndikim të madh në Bruksel. Edhe ndikimi i Britanisë do të ishte po kaq i fortë, sidomos në fushat që kanë rëndësi për të, si për shembull, financat.
E njëjta gjë është edhe për sa i takon lëvizjes së lirë të njerëzve. Të paktën në teori, Norvegjisë mund t’i lejohet kufizimi emergjent në rast se përballet me një fluks të madh emigrantësh.
Në praktikë, edhe Britania mundet gjithsesi që të marrë masa duke vepruar sipas rregullave të BE-së, si kufizimi i blerjes së pronave apo dëbimi i atyre që nuk kanë gjetur punë pas një periudhe gjashtëmujore. Emigrimi në Britani është në rënie dhe shqetësimet në lidhje me emigrantët po zbehen. Shumica e të gjithë votuesve, duke përfshirë një të tretën e atyre që votuan për t’u larguar, do të pranonin lëvizjen e lirë në këmbim të tregtisë së lirë.
Megjithatë, në një fushë, Britania do të kishte nevojë për një marrëveshje më të ngushtë. Norvegjia nuk është pjesë e bashkimit doganor me BE-në, kështu që automjetet që kalojnë në kufirin me Suedinë dhe Finlandën u nënshtrohen kontrolleve përkatëse. Britania nuk do të binte dakord me një gjë të tillë. Kufijtë e saj kanë më shumë lëvizje se sa Norvegjia dhe firmat e saj më të integruara në zinxhirët e furnizimit europian.
Kontrollet doganore do të ndikonin më keq në marrëdhëniet me Irlandën e Veriut, duke rrezikuar procesin e paqes dhe rrjedhimisht, edhe sigurinë e qytetarëve britanikë dhe irlandezë. Qeveria ka përjashtuar një bashkim doganor me BE-në, duke pretenduar se do të përjashtonte nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare me vendet e treta, e cila gjithashtu është e gabuar.
Bashkimi doganor do të zbatohet vetëm për mallrat; Britania do të jetë ende e lirë të nënshkruajë marrëveshje për shërbimet, të cilat qeveria thotë se janë prioritet sidomos në lidhje me arritjen e marrëveshjeve aq shumë të dëshiruara me Amerikën.
Një përfitim përfundimtar është edhe zgjedhja që ajo do të bëjë. Britania po largohet nga BE-ja në një periudhë kur ajo po shndërrohet në një bashkim më të lirë të vendeve që po ecin me shpejtësi të ndryshme. Anëtarët e Eurozonës janë për një integrim më të ngushtë; të tjerët jashtë saj mbeten prapa.
Në një Europë që po ecën me shpejtësi të ndryshme, të qenët pjesë e tregut të vetëm dhe e bashkimit doganor do ta vendoste Britaninë “në një korsi të jashtme, por jo aq sa ta nxirrte fare jashtë piste”. Më vonë, ajo mund të lëvizë me shpejtësinë që do të dëshironte. Për mbështetësit e një Brexit “të ashpër”, një fleksibilitet i tillë është mjaft i rrezikshëm, ndërsa për pragmatistët, të cilët e pranojnë që e ardhmja është e pasigurt, kjo gjë është zgjedhja më e mirë.
Mendojeni edhe për një herë të tretë
Një regjim i ngjashëm me Norvegjinë, i bazuar në marrëveshjet doganore, hedh poshtë çdo premtim të bërë gjatë fushatës së nxehtë të Brexit. Ne e dimë se ekziston mundësia edhe për mosarritjen e nënshkrimit të asnjë marrëveshjeje. Por kjo do të thotë që të bësh atë për të cilën Britania votoi: të largohej nga BE-ja.
Edhe ky artikull i botuar në revistën “The Economist” është kundër një zgjedhjeje të tillë. Tani që vendi është në mes të këtij procesi, ai ka nevojë që të mbështetet ose të marrë si shembull një model që ka rezultuar të jetë i suksesshëm, duke qenë kështu jashtë projektit politik të Europës por brenda ekonomisë së saj. Norvegjia do të ishte padyshim një prej shembujve më të mirë për t’u marrësi referencë.