Votimi i Britanisë për të dalë nga BE do të thotë një e ardhme e pasigurt për kryeqytetin financiar të Europës.
Rënia u ndal në ditën e tretë, sterlina u qetësua dhe tregjet aksionere e rimorën veten më 28 qershor, pas dy episodesh kasaphane. Por deri atëherë, vota e Britanisë më 23 qershor për të lënë Bashkimin Europian kishte shkaktuar një goditje të rëndë, shkruan The Economist. Aksionet e Lloyds dhe Royal Bank of Scotland, bankat më të mëdha britanike të tregut të brendshëm, u ulën me rreth 30%, ndërsa ato të Barclays edhe pak më tepër. Institucionet e Europës Kontinentale u goditën rëndë gjithashtu: BNP Paribas, Deutsche Bank dhe Santander humbën secila më shumë se 20%, edhe UniCredit e Italisë, prej kohësh problematike, humbi rreth 30%. Bankat amerikane me operacione të mëdha në Londër vuajtën gjithashtu, edhe pse jo aq shumë. Dëmi nuk ishte vetëm për bankat: Shoqëritë e sigurimeve amerikane patën humbje dyshifrore, edhe Invesco, një menaxhues i madh asetesh, humbi 22%. Bashkimi i propozuar i Bursës së Londrës (London Stock Exchange) dhe bursës së Gjermanisë (Deutsche Börse), duket në rrezik.
Tregjet janë të shqetësuar se rritja ekonomike do të ngadalësohet në Britani dhe zonën e euros, duke çuar në uljen e normave të interesit dhe obligacioneve. Kjo do të ulte më tej fitimet që tashmë janë të dobëta të bankave, shoqërive të sigurimeve dhe të menaxhuesve të fondeve. Përtej trazirave të menjëhershme ekziston dhe një shqetësim më afatgjatë: çfarë dëmi mund t’i bëjë Brexit Londrës si një qendër financiare?
Sipas TheCityUK, një institut i tregtisë, Londra krenohet me 250 banka të huaja dhe 200 firma të huaja ligjore. Financa dhe firmat mbështetëse të saj punësojnë 730,000 njerëz dhe çuditërisht, më shumë se në 2007-’08, kur kriza financiare goditi. Londra ka shumë njerëz të zgjuar e të aftë si në ligje dhe në sektorin financiar, çka tërheq bankat, menaxhuesit e fondeve, e kështu me radhë; nga ana tjetër, pasuria e punëdhënësve tërheq më shumë punëtorë.
Brexit kërcënon këtë ekuilibër të lumtur. Britania, jo vetëm që është bërë politikisht e paqëndrueshme, pa qeveri apo opozitë të denjë; ajo gjithashtu nuk ofron më parashikueshmërinë rregullatore që investitorët e kanë kaq fort për zemër. Se si City (qendra financiare) do të përgjigjet dhe sa shpejt, varet nga rivendosja e rendit.
Shqetësimi kryesor është se firmat financiare nuk do të jenë më në gjendje për t’i shërbyer BE-në nga Londra, kur Britania të largohet, dy vjet pas fillimit të bisedimeve formale të daljes. Kompanitë e vendeve të BE-së kanë “pasaporta” për të kryer biznes në 27 vendet e tjera, pa pasur nevojë për degë lokale apo filiale. Ndaj banka të brendshme e të jashtme të BE-së e kanë bërë Londrën shtëpinë e tyre të dytë. Goldman Sachs, për shembull, ka 6000 punonjës në Londër, nga 6500 punonjës gjithsej në Europë, e veç 200 në Frankfurt. Sigurimet janë më të lokalizuara, por ‘pasaportizimi’ ende ka rëndësi për disa, si p.sh. për amerikanen MetLife, e cila pa një rënie të aksioneve prej 17% në dy ditë pas votimit. Menaxhuesit e aseteve të Londrës shesin fonde të përbashkëta (UCITS, në gjuhën e tregtisë europiane) nëpër të gjithë BE-në; ata menaxhuan mbi € 1 trilion ($ 1.1 trilion) vitin e kaluar.
Një marrëveshje që ruan pasaportizimin është e imagjinueshme, edhe pse nuk ka vend jo anëtar të BE-së që gëzon të drejta të plota për momentin. Në teori, Norvegjia (për disa, modeli më premtues për Britaninë) ka akses të plotë në tregun e bashkuar të BE-së, edhe pse shumica e rregullave të BE-së post-krizë nuk është përfshirë në marrëveshjen e saj. Por, aksesi në tregun e përbashkët kërkon lirinë e lëvizjes, e cila u refuzua nga ata pro-Brexit. Dhe Norvegjia nuk ka asnjë rol në vendosjen e rregullave të BE-së.
Duke mos pasur një marrëveshje si ajo e Norvegjisë, disa hamendësojnë nëse MiFID 2, një direktivë që hyn në fuqi në vitin 2018 dhe që lejon vende jashtë BE-së për të pasur akses në tregun e përbashkët, mund të hapë një derë të pasme për në Europë. Por mënyra më e sigurt për t’i shërbyer BE-së do të jetë për ta bërë këtë nga brenda saj. Menaxhuesit e aseteve nuk do të jenë më në gjendje të shesin UCITS nga Londra. M&G po planifikon të vendosë fondet edhe në Dublin dhe do të lëvizë një pjesë të personelit; Columbia Threadneedle, po aplikon për t’u zgjeruar në Luksemburg. Disa bankave, ndoshta do t’ju nevojiten licenca të reja në vende të tjera, e këto vonojnë me muaj. Kjo do të thotë zhvendosje e disa njerëzve. Dhe rregullatorët europianë, me siguri do të duan subjektet në juridiksionin e tyre që të ketë kapitalin e vet. Asnjë bankë nuk ka thënë se do të lëvizë, por këto janë veç ditët e para. Përpara votimit, HSBC tha se mund të transferonte 1,000 veta prej stafit të saj nga Londër në Paris dhe JPMorgan Chase paralajmëroi se deri në 4,000 prej 16,000 vendeve të saj në Britani mund të ikin. Morgan Stanley ka mohuar një lajm që është duke punuar në lëvizjen e 2.000 bankierë investimesh në Dublin dhe Frankfurt.
Shqetësimi i dytë është se Londra mund të humbasë statusin e saj si qendër kryesore për shkëmbimin tregtar të letrave me vlerë në euro. Rreth 70% e këmbimeve tregtare të euros në interesa zhvillohet në Londër, katër herë më shumë se në Francë dhe Gjermani, edhe pse Londra është jashtë zonës së euros. LCH, pjesë e Bursës së Londrës, ka pjesën më të madhe. Banka Qendrore Europiane ka kërkuar me kohë që shkëmbimi i monedhës së saj të kryhet në territorin e saj, në rast se asaj i nevojitet për të siguruar likuiditet të menjëhershëm. Vitin e kaluar, qeveria britanike fitoi një çështje në Gjykatën Europiane, duke penguar një përpjekje katërvjeçare nga BQE për të marrë kontrollin territorial të shkëmbimit të euros.
Banka Qendrore Europiane ka një marrëveshje shkëmbimi monetar me Bankën e Anglisë, për të siguruar likuiditet në rast nevoje. Por, me siguri, do të preferonte mbikëqyrje të drejtpërdrejtë. Në qoftë se ajo u përpiqet përsëri, atëherë një Britani post-Brexit nuk do të kishte më përfaqësim në Gjykatën Europiane. Premtimi për mosdiskriminim ndaj vendeve të BE-së jashtë Eurozonës, të negociuar nga David Cameron, kryeministër i Britanisë, para se ai të thërriste referendumin, do të jetë i pavlefshëm. Është “e pamundur”, shkruan Angus Armstrong i Institutit Kombëtar të Ekonomik dhe Kërkimeve Sociale (një “think-tank”), që një bankë e madhe qendrore do të lejonte shkëmbimin dhe vazhdimin e transaksioneve me një vëllim të tillë në një vend të “jashtëm”.
Një tjetër shqetësim është nëse Londra mund të vazhdojë të jetë lideri i fushave të reja të aktivitetit, si Fintech. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, thotë Marta Krupinska e Azimo, një shërbim online për transferimin e parave, që përdoret kryesisht nga emigrantët. Por ajo tregon për tri problemeve të mundshme: akses i kufizuar në tregun e BE-së; paaftësia për të punësuar njerëz të talentuar nga jashtë (tre të katërtat e stafit të Azimo-s në Londër janë jobritanikë); dhe ndjenja se Brexit do ta bëjë Britaninë një vend më pak tërheqës për të punuar. “Një vend që perceptohet si jo mikpritëse dhe i mbyllur nuk do të tërheqë talentet e duhura.”
Përpjekjet e Britanisë për t’u bërë një qendër për tregtinë e aseteve kineze janë gjithashtu në pikëpyetje. Londra ka qenë pika qendrore për planet e Kinës për të ndërkombëtarizuar monedhën e vet. Por raportet nga Kina thonë se tani mund të zhvendoset më shumë drejt qyteteve të tjera europiane. Lidhja midis bursave të Shangait dhe të Londrës, të njoftuara kur presidenti i Kinës vizitoi Londrën vitin e kaluar, ka gjithashtu gjasa të shtyhet, por zyrtarët thonë se kjo do të vazhdojë të shkojë përpara.
Përkrahësit e patrembur të Brexit premtojnë një reduktim të rregullave. Disa investues fondesh (Hedge Funds) shpresojnë në fundin e Direktivës së Fondit të Menaxhuesve Alternative të Investimeve, të cilën ata e konsiderojnë si të kushtueshme dhe burokratike. Të liruar nga burokracitë, disa menaxhues fondesh shpresojnë që të kapin burimet me rritje të shpejtë të pasurisë në Azi, dhe sjellin në vëmendjen emetimin e bondeve europiane të dollarit në vitet 1970, të cilat anashkaluan rregulloren amerikane. Por shumica e Londrës, nëse dëshiron klientë nga BE, do të duhet të luajë sipas rregullave të BE-së. Dhe heqja e tavanit mbi shpërblimet e bankierëve, një detyrim tjetër europian, mund të jetë e ditur në City, por jo dhe aq në mesin e votuesve britanikë.
Ndërkohë, qytete të tjera shpresojnë të fitojnë nga Brexit. Francezët po fërkojnë duar se Londra nuk do jetë me vendtregtimi i euros. François Hollande, presidenti i Francës, tashmë ka thënë se ajo duhet të largohet nga Londra. “Jam shumë anglofile dhe shumë e trishtuar për Britaninë”, thotë Valérie Pécresse, presidente e rajonit të zgjeruar të Parisit, “por dua sa më shumë vende pune të jetë e mundur të kalojnë në Paris”. Hubertus Vath i Frankfurt Main Finance, e cila promovon qendrën financiare lokale, raporton mjaft interes nga agjentët e pasurive të paluajtshme. Ai mendon se Frankfurti mund të marrë disa “tregtime të derivateve” dhe aktiviteteve rregullatore nga Londra. Një bankier europian kujton se disa kohë para votimit, një politikan i lartë irlandez u përpoq ta bindte atë për të lëvizur biznesin në Dublin, duke përdorur premtimin e zotit Cameron për referendumin si argument.
Por City nuk po shkërmoqet. Qendrat e tjera nuk kanë shkallën e saj dhe përqendrimin e ekspertizës. Por disa biznese do të shkojnë diku tjetër dhe industria financiare në Europë do të bëhet më e fragmentuar dhe më pak efikase. Shoku nga Brexit mund ta ketë reduktuar joshjen për Londrën. Sa më shumë të zgjasë vakuumi politik dhe rregullator, aq më shumë dëm do të shkaktojë.