Parisi, Frankfurti dhe Dublini, të gjitha me shpresë për të marrë një pjesë të bizneseve post-Brexit
Specialistët dhe avokatët e çështjeve të punësimit nuk kanë qenë ndonjëherë më mirë se sa tani. Jo vetëm që ata nuk janë duke i këshilluar klientët se si të investojnë në kryeqytetin britanik, por krejtësisht e kundërta. Ata po këshillojnë si individët ashtu edhe bizneset, që në rast se duan të largohen nga Londra, se cili duhet të jetë destinacioni në të cilin duhet të shkojnë, shkruan The Economist.
Më shumë se një e katërta e punëdhënësve të anketuar nga Chartered Institute of Personnel and Development (CIPD), shprehen se punëtorët e tyre nga vendet e Bashkimit Europian po e marrin shumë seriozisht faktin e largimit nga Britania. Firmat e shërbimeve financiare, të cilat janë më të prekurat nga “Brexit i vështirë” që do të çojë në shkëputjen nga tregu i vetëm i BE-së, janë duke vënë në zbatim planet e tyre rezervë në lidhje me transferimin e vendeve të punës dhe gjetjen e ndërtesave të duhura që do të shërbejnë si zyrat e tyre të reja.
Një e dhjeta e kompanive të anketuara nga Instituti CIPD janë duke menduar seriozisht që të zhvendosin disa nga operacionet e tyre kryesore jashtë Britanisë; rreth 7% e tyre shprehen se do të largohen për të ndërtuar bizneset e tyre përtej detit. Duke qenë se shumë kompani shpresuan për kushte më të mira pas referendumit po e përgatisin veten për të përballuar një situatë të keqe, sidomos pas fjalimit që mbajti më 17 janar Theresa May.
Një gjë e tillë e pozicionoi Britaninë jashtë tregut të vetëm dhe tarifave të doganave të Bashkimit Europian. Një ditë më pas, shefi ekzekutiv i HSBC lajmëroi se ai po planifikonte të zhvendoste rreth 1,000 prej punonjësve të stafit të bankës nga Londra në zyrat e tij në Paris.
Pjesa më e madhe e vendimeve të vështira për zhvendosjen e vendeve të punës do të merren në gjashtë muajt e ardhshëm, gjithmonë duke marrë të mirëqenë faktin se Britania do të largohet nga BE-ja në fillim të vitit 2019.
Ky “konkurs bukurie” midis Parisit, Frankfurtit, Dublinit dhe kryeqyteteve të tjera po përpiqet që të tërheqë profesionet me pagat më të larta, të cilat rrjedhimisht i paguajnë shtetit edhe taksa shumë të larta. Punonjësit që punojnë në sektorë të tillë si ai i shërbimeve financiare apo industri të tjera mbështetëse, paguajnë rreth 12% të taksave të Britanisë dhe gjenerojnë një tepricë vjetore prej 55 miliardë paund (69 miliardë dollarë amerikanë).
Francezët kanë qenë më ngulmuesit në këtë drejtim. Europlace që është ekuivalenti parisian i Korporatës së Londrës, ka ngritur një komision të dedikuar për reklamimin e përparësive të Parisit nën sloganin: “Jeni të lodhur nga mjegulla angleze? Atëherë duhet të provoni lehtësitë franceze! Arnaud de Bresson, kreu i Europlace, argumenton se Parisi ka numrin më të madh të korporatave në Europë, në mënyrë të tillë që edhe bankierët të jenë më afër klientëve të tyre.
Ai gjithashtu theksoi edhe të gjitha masat e ndërmarra pas votimit të Brexit, për ta bërë Parisin një destinacion më tërheqës. Regjimi i “të riatdhesuarve”, i cili zvogëlon deri në 50 për qind sasinë e taksave të paguara nga njerëzit e punësuar jashtë Francës, është zgjatur nga pesë vjet në tetë, për të mbështetur sa më shumë emigrantët. Taksat janë ulur nga 30% në 28%. (Norma e Britanisë është 20%, dhe pritet të bjerë në 17% deri në 2020).
Frankfurti është gjithashtu një konkurrent i fortë për të tërhequr sa më shumë vende pune, por ai po bën një lëvizje të tillë në një mënyrë më të qetë. Shumica e bankave të Londrës kanë tashmë një ndikim të madh në Frankfurt, prandaj do të jetë relativisht e lehtë për të transferuar atje vendet e punës. Gjithashtu, Frankfurti ndodhet në qendër të ekonomisë më të madhe të Europës.
Më 24 janar, Dublini organizoi Forumin Financiar Europian, ku një grup drejtuesish nga Britania u shprehën se banka e tyre e kishte diskutuar transferimin e vendeve të punës në Irlandë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë. Por gjithsesi Brexit paraqet edhe rreziqe të shumta për Dublinin.
Por ashtu siç e vë në dukje edhe Suzanne Horne, avokate e çështjeve të punësimit në Paul Hastings, ekzistojnë edhe arsye të tjera të vlefshme se përse një numër i madh biznesesh dhe punëtorësh zgjedhin Londrën si destinacionin e tyre të parë. Bankat janë më pak “të tmerruara” nga ligjet e shumta strikte të punësimit në Francë. Ato janë shumë të ndërlikuara, sepse si për ta punësuar një person ashtu edhe për ta pushuar nga puna, i duhet një periudhë më e gjatë kohore.
Sindikatat e punëtorëve, të panjohura në Britani, duhet të negociojnë në Francë dhe Gjermani. Ka shumë dallime kulturore, siç është edhe “Ligji i së drejtës për t’u shkëputur” i miratuar më 31 dhjetor; dhe është shumë e vështirë të imagjinosh drejtuesit britanikë që i lejojnë punonjësit e tyre të mos t’u përgjigjen email-eve gjatë orarit të punës.
Më shkurtimisht, pjesa më e madhe e firmave dhe punonjësve në Britani, do të preferonin të mos largoheshin nga vendi i tyre i punës nëse do të mundeshin, por mbase ata nuk kanë mundësi zgjedhjeje.