Rritjet në shitjet e salmonit ndihmuan Britaninë e Madhe të eksportonte një vlerë rekord të ushqimit dhe pijeve në gjysmën e parë të vitit.
Eksporti i peshkut u rrit me 53 për qind në një vlerë prej 408 milionë paund, deklaroi sot Federata e Ushqimit dhe Pijeve në Mbretërinë e Bashkuar. Eksporti i produkteve ushqimore dhe të pijeve u rrit me 8.5 për qind, i ndihmuar kryesisht nga rënia e paundit pas votimit për t’u shkëputur nga BE-ja. Por kjo Federatë paralajmëroi gjithashtu se pa pasur një treg të sigurt dhe favorizues pas Brexit, eksportet britanike mund të humbin konkurrencën e tyre me produktet e vendeve të tjera.
Uiski ka qenë një prej produkteve më të eksportuara, i ndjekur nga birra dhe çokollata. Por teksa eksporti i salmonit u rrit me 24 për qind, eksporti i uiskit ra me 1 për qind dhe ai i birrës ra me 2.2 për qind. Dobësimi i paundit kundrejt dollarit amerikan dhe euros që nga momenti i deklarimit të largimit të Anglisë nga BE-ja, ka ndikuar në rritjen e eksporteve britanike, si pasojë e rënies së çmimeve të tyre.
Por dobësimi i paundit ka pasur ndikim negativ tek ato biznese të cilat importojnë pije dhe produkte ushqimore nga jashtë, u shpreh Federata e Ushqimit dhe Pijeve në Britani. Sipas saj, deficiti tregtar i Anglisë, u zgjerua në 16 për qind, rreth 12.4 miliardë paund në gjysmën e parë të vitit.
Salmoni britanik po bëhet gjithnjë e më “i famshëm” në vende të ndryshme të botës, shprehet Andy Bing, Drejtor Shitjesh në Loch Duart Salmon. Sasia që ne po eksportojmë tani është ndër më të lartat dhe disa nga tregjet tona kryesore janë Franca, Amerika, Italia dhe Zvicra, tha më tej z. Bing.
Eksportet e salmonit në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur pasi prodhuesit e Kilit patën probleme të shumta në 2015 me lulëzimin e algave të cilat vranë një numër shumë të madh peshqish, probleme këto që vazhdojnë ende. Europa ka nevojë për salmonin tonë, ashtu sikurse ne kemi nevojë për verën franceze dhe makinat gjermane. Megjithatë është shumë e vështirë të planifikosh pa pasur drejtimin e duhur nga qeveria britanike, tha ai.
Dy nga importuesit më të mëdhenj të Mbretërisë së Bashkuar janë Irlanda dhe Franca. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje dhe tarifat e Organizatës Botërore të Tregtisë me BE-në, pranohen edhe në Britani, pijet dhe produktet e tjera ushqimore do të jenë të parat që do të përballen me tarifa më të larta në krahasim me produktet e tjera, u shpreh një zyrtar i Federatës së Ushqimit dhe Pijeve në Britani.
Megjithatë, Instituti i Çështjeve Ekonomike u shpreh se, edhe nëse Mbretëria e Bashkuar nuk arrin të nënshkruajë një marrëveshje me BE-në, kjo nuk do të ishte një fatkeqësi shumë e madhe. Në fakt, ajo do të eliminonte tarifat e importit, gjë kjo që do të na jepte përfitime më të mëdha tregtare.