Britania e Madhe arriti një marrëveshje historike për kushtet e daljes nga BE të premten, duke ruajtur të drejta të veçanta për 4 milionë qytetarë dhe duke paguar 40 – 60 miliardë euro, në një zgjidhje të vështirë të divorcit të ashtuquajtur Brexit, që hap rrugën për bisedimet e tregtisë vitin e ardhshëm, shkruan Financial Times.
Theresa May, Kryeministrja britanike, dhe Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, u takuan në Bruksel të premten në mëngjes, për të nënshkruar një “raport progresi” prej 15 faqesh që do të lejojë negociatorët e BE-së të rekomandojnë hapjen e një faze të dytë të bisedimeve mbi marrëdhëniet pas Brexit.
Z. Juncker e konfirmoi marrëveshjen në një konferencë shtypi së bashku me zonjën May, duke thënë se kjo ishte një “negociatë e vështirë”, por që të dyja palët kishin treguar “gatishmëri për të bërë kompromis”.
Menjëherë pas fillimit të mëngjesit, shefi i shtabit të z. Juncker, Martin Selmayr, vendosi foto të tymit të bardhë, që dilte nga një oxhak, duke treguar se ishte arritur marrëveshja.
Rezultati përfundimtar erdhi pas një jave drame të madhe në Bruksel dhe Westminster, teksa ishte marrë kompromisi nga Partia Demokratike e Bashkuar (DUP), aleatët parlamentarë të zonjës May.
Arlene Foster, udhëheqëse e DUP, tha për Sky News se kishte siguruar “ndryshime thelbësore” në tekstin e marrëveshjes. “Nuk ka vijë të kuqe në Detin Irlandez dhe ka një konfirmim të qartë se e gjithë Britania e Madhe po largohet nga BE, duke lënë tregun e përbashkët dhe duke e lënë bashkimin doganor”.
Vendimi i kryeministres për të nënshkruar marrëveshjen të premten shënoi finalen e një përpjekje diplomatike trejavore për të finalizuar kushtet e divorcit më të diskutueshëm në botë. Udhëheqësit e BE-së do të vendosin zyrtarisht në një samit javën e ardhshme nëse ajo përfaqëson “përparim të mjaftueshëm” për të filluar fazën e dytë të negociatave.
“Të gjithë e dimë se ndarja është e vështirë, por ndarja dhe ndërtimi i një marrëdhënieje të re është më i vështirë”, tha Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian.
Zonja May tha se bisedimet e kësaj jave ishin të nevojshme për të “forcuar” gjuhën lidhur me marrëveshjen mbi Irlandën e Veriut, për të cilën ajo tha se do të ruante “integritetin kushtetues dhe ekonomik” të Britanisë së Madhe dhe do të parandalonte problemet me kufirin.
Ajo tha se marrëveshja do të thotë se të dyja palët “do të punojnë për të arritur nivelin e pritshëm nga të dyja palët të marrëdhënieve tregtare midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian”. “Nëse nuk ndodh kështu, atëherë do të kërkojmë zgjidhje specifike për rrethanat unike të Irlandës së Veriut”, tha ajo.
Teksti i marrëveshjes thotë se, në një situatë ku Britania dhe BE nuk arrijnë të zgjidhin kushtet e marrëdhënieve të tyre të ardhshme, Britania e Madhe do të mbajë “përafrimin e plotë” me rregullat kryesore të BE-së dhe rregullat doganore që mbështesin tregtinë në të gjithë kufirin irlandez.
Në një skenar të tillë, Britania e Madhe gjithashtu do të “sigurojë që të mos vendoset asnjë barrierë e re rregullatore midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar”, vetëm nëse këto masat vendosen nga autoritetet e Irlandës së Veriut.
Juncker theksoi se, ndërkohë që marrëveshja ishte një hap i madh, mbeten për t’u bërë shumë negociata për të zgjidhur plotësisht divorcin e Britanisë nga BE.
“Ne ende kemi shumë punë për të bërë, raporti i përbashkët nuk është marrëveshja e tërheqjes”, tha ai.
Juncker tha lidhur me bisedimet mbi projektligjin e divorcit: “Për zgjidhjen e llogarive, kryeministrja u shpreh në fjalimin e saj të shquar të Firences se Britania e Madhe do të mbajë zotimet e saj. Ky ishte një proces i detajuar, por ajo ka qenë aq e mirë sa në fjalën e saj. Ajo është duke negociuar në mënyrë të butë dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë”.
Gjatë negociatave 9-mujore, pjesa më e vështirë ishte ajo e kostove të ndarjes. Por, pas një lëvizje vendimtare nga znj. May në fund të muajit të kaluar, ajo u bë fjala e parë e bisedimeve “të mbyllura” nga negociatorët, me një shenjë të vogël të një revoltimi nga përkrahësit e Brexit.
Sipas zyrtarëve të lartë të përfshirë në bisedime, marrëveshja përfundimtare angazhohet që Mbretëria e Bashkuar të respektojë detyrimet në BE, që do të duhet të paguheshin gjatë dekadave të ardhshme, ku pjesa e Britanisë do të llogaritet sikur ajo është në BE. Kjo përfshin angazhimet buxhetore të nënshkruara deri në dy vjet pas Brexit.
Ndërsa vlerësimet neto për këtë zgjidhje variojnë nga 40 miliardë deri në 60 miliardë euro, premtimi i Britanisë në fakt do të thotë që nuk do të humbasë asnjë shtet anëtar i BE-së, pasi buxheti afatgjatë i BE-së është i zgjidhur. Zonja May i kishte filluar negociatat, duke thënë se Britania nuk kishte asnjë detyrim ligjor për të paguar ndonjë faturë dalje.
Edhe pse drafti i dokumentit nuk përmban shifra, gjatë bisedimeve, Britania e Madhe vlerësoi një pagesë neto prej € 40 bn – € 45 bn, ndërsa BE e vlerësoi atë në rreth 55 miliardë euro. Kur shtohen detyrimet e kushtëzuara, siç janë kreditë për Ukrainën, detyrimi rritet në një vlerë prej 55.5 – 65.5 miliardë euro.
Një shtyllë e dytë e marrëveshjes në masë të madhe mishëron të drejtat ekzistuese të BE-së për qëndrim dhe të drejta sociale të 3 milionë qytetarëve të BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreth 1 milion shtetas britanikë që jetojnë në kontinent.
Zgjidhja lejon një shtetas të BE-së të kërkojë qëndrim të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar, të mbajë të drejtat e bashkimit familjar që gëzojnë sot dhe, nëse ka të drejtë, të kërkojnë përfitime në Mbretërinë e Bashkuar edhe nëse ata, ose fëmijët e tyre, lëvizin jashtë shtetit.