Askush më shumë sesa Amerika dhe Britania nuk po përpiqen për të shfrytëzuar strukturën e tregtisë moderne. Presidenti Donald Trump dëshiron të rishkruajë kushtet e marrëdhënieve tregtare të Amerikës me të gjithë, duke filluar që nga Meksika e deri në Korenë e Jugut. Pas votimit të saj për t’u larguar nga Bashkimi Europian, Britania është e detyruar që të përballet me negociatat e marrëveshjeve të reja tregtare si me BE-në, ashtu edhe me vendet e tjera, shkruan The Economist.
Toni i palëve në këto marrëveshje tregtare është i ndryshëm: nga njëra anë dëshirohet që “Amerika të jetë e para” dhe, nga ana tjetër, dëshirohet që të krijohet një “Britani Globale”.
Por, që të dyja vizionet bazohen në idenë e goditjes së marrëveshjeve të shpejta dypalëshe dhe secili e ka identifikuar tjetrin si partnerin e përsosur. Në takimin e liderëve botërorë të G20-s, të mbajtur në korrik, z. Trump foli për një “marrëveshje të fuqishme, të rëndësishme për të dyja vendet”, e cila do të zbatohet “shumë, shumë shpejt”.
Më 24 korrik, Liam Fox, sekretari i tregtisë ndërkombëtare të Britanisë, u takua me homologët amerikanë për të filluar bisedimet rreth një marrëveshjeje pas Brexit. Një ditë më vonë, Presidenti e shfaqi gëzimin e tij duke postuar në rrjetin social Twitter se “Marrëveshja e Tregtisë me Mbretërinë e Bashkuar mund të jetë shumë emocionuese. Vende të reja pune!
Një marrëveshje midis Britanisë dhe Amerikës do të ishte një lëvizje shumë e mirë parimisht.
Tarifat janë mjaft të ulëta, edhe pse z. Trump mund të synojë të vendosë një tarifë prej 10% për makinat e importuara nga Amerika. Por, rregullat dhe standardet e ndryshme janë një pengesë në rrjedhën e mallrave dhe shërbimeve, në një vlerë prej 227 miliardë dollarësh në vitin 2016, midis dy vendeve. Megjithatë, në praktikë, z. Trump dhe sidomos mbështetësit e Brexit, vuajnë nga disa mashtrime të mëdha.
Shqetësimet e para lidhen me shpejtësinë e kryerjes së këtyre marrëveshjeve dhe në dëshirën e z. Trump për t’i përfunduar ato sa më shpejt të jetë e mundur nuk ka absolutisht asgjë të keqe, por asnjë marrëveshje nuk mund të bëhet pa miratimin e Kongresit. Legjislacioni amerikan tashmë e ka ngadalësuar atë në planin e tij për të negociuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) dhe një marrëveshje me Britaninë nuk bën pjesë në axhendën e tij. Por më e kufizuar në këtë drejtim është Britania, ku qeveria e saj nuk lejohet të nënshkruajë asgjë, derisa të largohet nga BE-ja.
Z. Fox mund të shëtisë ku të dëshirojë nëpër të gjithë botën, por nuk mund të nënshkruajë negociata reale me vendet e treta deri në momentin që Britania të ketë zgjidhur çështje të rëndësishme, si të qenët pjesë e Bashkimit Doganor me BE-në.
Edhe politika do t’i ngadalësojë gjërat. Z. Trump duket se nuk e kupton shumë faktin se edhe vendet e tjera kanë votues; Slogani “Amerika e Para” ka një tendencë supremacie mbi të gjithë ata që nuk janë amerikanë.
Brexiters kanë qenë njësoj të vetëkënaqur me atë që publiku britanik ka qenë i gatshëm të gëlltisë për të arritur marrëveshje të reja. Z. Fox po mundohet t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla si: A duhet që Britania t’i japë fund ndalimit të importit të pulave me klorinë, në mënyrë që të kënaqë dëshirat e fermerëve të Amerikës?
Një zhgënjim i dytë i përbashkët për të dyja vendet ka të bëjë me vlerën e bilateralizmit. Barrierat e mëdha të tregtisë janë rregullatore: për tregtinë midis BE-së dhe Amerikës si një e vetme, ndryshimet në rregullat mbi biznesin dhe shërbimet financiare kanë një efekt tregtar-zbutës, ekuivalente me një tarifë prej 30%. Në përgjithësi, mënyra më efikase për të hequr barriera të tilla është duke harmonizuar rregullat, dhe jo duke i shumëfishuar ato.
Në disa raste, Britanisë do t’i duhet të zgjedhë midis një tregtie më të lirë me Amerikën dhe aksesit të saj pa pengesa në Europë. Nëse Britania do të devijonte nga normat e BE-së në një marrëveshje me Amerikën, për shembull mbi ushqimet e modifikuara gjenetikisht, ajo do të rrezikonte kontrolle më të rrepta doganore me Europën, duke përfshirë këtu edhe në kufirin me Irlandën.
Një akses më i kufizuar në BE do të zvogëlonte edhe rëndësinë e saj kundrejt Amerikës.
Derisa Britania të vendosë një marrëdhënie të re rregullatore me BE-në, ajo që mund të duket si një negociatë dypalëshe, në praktikë do të jetë një negociatë shumëpalëshe.
Mos i mbani shpresat tek pulat tuaja me klorinë
Në përfundim, të dyja palët duket se e kanë harruar se sa rëndësi ka ana gjeografike në marrëdhëniet tregtare.
Britania eksporton 44% në BE dhe 19% në Amerikë. Sipas ekonomistëve, një Brexit i vështirë do t’i ulte eksportet në BE me 25% dhe për të kompensuar këtë humbje, eksportet në Amerikë do të duhej të rriteshin me 58%.
Në mënyrë të ngjashme, do të ishte e çuditshme që Amerika t’i jepte prioritet Britanisë, duke marrë parasysh rinegocimin e NAFTA-s. Z. Trump shprehet për Britaninë se “nuk mund të ketë shtete të tjera që të jenë kaq afër sa janë Britania dhe Amerika”.
Firmat amerikane, zinxhirët e furnizimit të të cilave kalojnë nëpër Kanada dhe Meksikë, mund të kërkojnë të ndryshojnë.
Dhe të shumtë janë njerëzit si në Amerikë edhe në Britani që e kuptojnë një situatë të tillë.
Ai i përshtatet si z. Trump si dhe mbështetësve të Brexit, për të treguar se ata kanë mundësi zgjedhjeje të partnerit tregtar. Por faktet e papërshtatshme janë këto: marrëveshjet tregtare kërkojnë një kohë të caktuar dhe kanë ndikim më të madh kur ato përfshijnë shumë shtete ose ato shtete që janë fqinje me njëra-tjetrën. Një marrëveshje midis Britanisë dhe SHBA-së nuk është as e afërt dhe as prioritare.