Britania dhe BE-ja duhet të zgjerojnë Nenin 50

23/03/2019 10:03 PM 0 komente

Afati duhet të shtyhet përtej qershorit, në rast se ata nuk duan të përfundojnë në të njëjtën situatë me këtë të tanishmen edhe tre muaj më vonë

 

Teksa data për largimin e Britanisë nga BE-ja afrohet, situata ndërmjet partive politike britanike tensionohet më tepër, shkruan The Economist. Theresa May, Kryeministrja konservatore e vendit, ka këmbëngulur që Britania do të largohet nga Bashkimi Europian, me ose pa marrëveshje. Ajo pranoi se Parlamentit do t’i jepej mundësia për të kërkuar shtyrje të afatit. Bashkimi Europian i dha asaj edhe dy javë kohë për të arritur një marrëveshje.

Ndërkohë, Jeremy Corbyn, u cili ka rezistuar thirrjeve nga anëtarët e Partisë Laburiste për të mbështetur një referendum të dytë, tha se tani ishte vetë politika e partisë ajo që do ta mbështeste një të tillë. Afrimi i datës së largimit vë në dukje edhe nivelin e lartë të shqetësimit të të dy liderëve dhe shkallën në të cilën ata kanë humbur kontrollin e politikave të partive të tyre mbi Brexit. Nëse ata ndryshojnë drejtim, kjo është më se e mirëpritur.

Mbështetja hezituese e laburistëve për një referendum të dytë shoqërohet edhe me shumë kufizime, por ajo çka ka më shumë rëndësi dhe të cilën z. Corbyn e ka pranuar së fundmi është se publiku duhet të ketë të drejtën të miratojë ose refuzojë çdo marrëveshje. Dhe ndoshta ndryshimi i qëndrimit të znj. May, i rrit mundësitë që Britania të dalë nga BE-ja me një marrëveshje brenda këtij muaji.

Megjithatë, askush nuk duhet të gëzohet përpara kohe. Znj. May tha se bisedimet në lidhje me Nenin 50 mund të shtyhen vetëm deri në fund të qershorit. Kjo do t’u jepte atyre vetëm tre muaj më shumë kohë. Kryeministrja duket e vendosur të vazhdojë me taktikën për të rinegociuar marrëveshjen e saj me BE-në, me shpresën se deputetët e Parlamentit do të ndihen të detyruar ta miratojnë atë, duke qenë se afati i përfundimit do të jetë në limitet e tij. Por znj. May e ka përdorur edhe më parë këtë strategji, me të cilën fatkeqësisht ajo nuk pati aspak sukses.

Kryeministrja britanike kishte planifikuar se do t’ia paraqiste marrëveshjen e saj deputetëve në dhjetor të vitit të kaluar, por ndryshoi mendim në momentin që u pa qartë fakti se ata do ta refuzonin atë. Në janar, edhe pse afati për daljen nga BE-ja po afrohej, ata e kundërshtuan atë me një diferencë rekord prej 230 votash. Marrëveshja pritej të dërgohej edhe gjatë javës së kaluar në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik, por Kryeministrja u tërhoq përsëri nga frika e ndonjë trazire të mundshme.

Disa prej mbështetësve të Brexit të vijës së ashpër kanë lënë të kuptohet se ata ose duhet të pranojnë dhe të largohen në kohë së bashku me marrëveshjen e znj. May, sesa të vonojnë largimin e Britanisë, me riskun për të përfunduar në një tjetër referendum. Por ka edhe disa deputetë të tjerë, të cilët po rebelohen edhe pse përfundimi i afatit të Brexit po afron. Ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme, znj. May do të arrijë ta shmangë edhe kësaj here këtë problem.

Teksa strategjia e znj. May mbetet e pandryshuar edhe pse besueshmëria e saj është në rënie të vazhdueshme, rreziku është që situata e tensionuar e Britanisë mbi Brexit, thjesht do të vazhdojë edhe për tre muaj të tjerë. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të përpiqet që ta bindë Britaninë që ta shtyjë Brexit për një periudhë më të gjatë se tre muaj, ndoshta deri në fund të vitit. Zgjatja e afatit do të ishte e dobishme vetëm nëse Britania do ta përdorte atë për të ndërtuar një strategji Brexit që do të ketë mbështetjen e një shumice të qëndrueshme të deputetëve dhe të publikut. Kjo ka më shumë gjasa të realizohet në një periudhë më të gjatë kohore. Megjithatë shtyrja e afatit mbart me vete edhe disa rreziqe.

Disa konservatorë po përpiqen që të rrëzojnë znj. May, dhe nëse ata ia arrijnë, zëvendësimi i saj mund të rezultonte më i vështirë për t’u menaxhuar. Nëse Britania nuk del nga BE-ja pas qershorit të këtij viti, atëherë ajo do të jetë e detyruar të marrë pjesë ligjërisht në zgjedhjet e Parlamentit Europian, gjë që nuk është aspak e planifikuar. Kur me shumë gjasa znj. May do të kërkojë shtyrjen e afatit, BE-ja duhet ta bindë atë që të pranojnë shtyrjen e tij në një periudhë më të gjatë se fundi i qershorit. Dhe znj. May duhet ta mirëpresë ofertën e BE-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of