Kryeministrja e Britanisë duhet t’u rezistojë instinkteve të partisë
Fati u vendos që në qershor, me një shumicë të thjeshtë: Britania po del nga Bashkimi Europian. Ky udhëtim do të jetë kompleks dhe i rrezikshëm, me kthesa të papritura, devijime të rrugës dhe kurthe, shkruan The Economist.
Me 64 milionë britanikë, në ndenjësen e pasme, që me siguri janë shkaku pse Theresa May ka shmangur bisedimet për rrugën që kanë para. Por, në konferencën e Partisë Konservatore javën e kaluar, Kryeministrja e re nuk mund ta shtyjë më gjatë. Në fjalimin që tronditi aktivistët e partisë, ajo tha se do të kërkojë zbatimin e nenit 50 të traktatit të BE-së në fund të marsit, që do të pasojë me një periudhë dyvjeçare për Britaninë për të lënë përfundimisht unionin në fillim të 2019-s. Ajo la të kuptohej se do ta drejtonte Britaninë drejt një daljeje të fortë nga Bashkimi Europian, ku përfshihet një ndarje e gjerë e tregut të punës, kapitalit dhe të të mirave.
Zonja May mund ta vendosë partinë e saj para shtetit, pasojat e të cilit do të jenë shumë të rënda. Dalja e Britanisë nga BE-ja do të vendosë për fatin e saj në dekadat e ardhshme. Pra, nëse do të bëhet, duhet të bëhet mirë.
Të ashpra, të buta, apo një kombinim i tyre?
May po përballet me një tension të pashmangshëm. Nëse nuk do të “çorientohet” nga politikat e Europës, sikurse të tjerë kryeministra të Partisë Konservatore para saj, asaj do t’i duhet që të bindë ata që fituan për të dalë nga BE se do të shpërblehen ashtu siç duhet.
Në Europë, gjithsesi, kjo retorikë vendase do të pengojë zonjën May që të negociojë ashtu siç duhet për daljen e Britanisë. Për të maksimizuar fuqitë e saj për bisedime, ajo ka nevojë për kohë. Për të arritur marrëveshjen më të mirë, ajo duhet të tregohet fleksibël për sa i përket emigracionit.
Pika kyçe e marrëveshjes do të jetë sigurimi i aksesit maksimal të mundshëm në tregun e vetëm të përbashkët europian. Ata të cilët janë pro daljes nga BE-ja thonë se Britania duhet të negociojë për tarifa zero ose të ulëta për tregtinë me BE-në. Megjithatë, edhe nëse kjo arrihet, tarifat janë më pak se gjysma e problemit. Pa një legjislacion të harmonizuar, firmat britanike do të kuptojnë se produktet e tyre nuk i plotësojnë kërkesat europiane, dhe anasjellas. Edhe pse ka shumë gjasa që marrëveshjet tregtare midis Britanisë dhe BE-së nuk do të përfshijnë shërbimet, duke futur këtu edhe ato financiare, të cilat janë nga më të mëdhatë që Britania eksporton. Një studim i Thesarit, përpara referendumit, përllogariste se goditja që do të merrte PBB-ja do të ishte dy herë më e madhe nëse Britania dilte nga tregu i vetëm i përbashkët sesa nëse do të qëndronte vend anëtar.
Zonja May duket se dëshiron që të ndërtojë një marrëveshje të veçantë me BE-në, në të cilën Britania limiton emigracionin dhe përcakton standardet e produkteve. Mbase negociatat do të tregojnë se kjo është e mundur. Ndoshta ajo po mbivlerëson gatishmërinë e BE-së për të lëshuar terren. Çdo vend anëtar ka veto mbi statusin e Britanisë. Për pothuajse çdo çështje, nga emigracioni deri te shërbimet financiare, të paktën një nga ato do të ngurrojë për të dorëzuar avantazhet e tij.
Kjo do të thotë se zonja May do të lëshojë pe në lidhje me emigracionin, dhe prej tyre është Britania ajo që do të përfitojë. “Furnizimi” i Britanisë me studentë dhe punëtorë nga BE-ja e ka ndihmuar atë që të jetë vendi me rritjen më të shpejtë në vitet e fundit. Për të shmangur mbytjen e industrisë, ata mund të lejojnë punonjësit në shërbimet financiare, si dhe punëtorët sezonalë të sektorit të bujqësisë.
Për një dalje të sigurt të Britanisë nga BE-ja do të nevojitej një tranzicion i butë nga njëri regjim në tjetrin, nëse ajo do të dalë nga tregu i vetëm i përbashkët. Burokracitë dhe një kosto e papritur e vendosjes së barrierave tarifore dhe jotarifore do të shkaktonin një zhvendosje brutale. Ndarja nga BE-ja do të përfshijë ndarjen e aseteve të përbashkëta, pensionet dhe shumë të tjera. Çdo gjë, që nga të drejtat për peshkim deri te lojërat elektronike për të cilat është rënë dakord me BE-në, do të duhet të rishikohen dhe të rregullohen.
Në mes të divorcit më kompleks në botë, diplomatët britanikë kanë dhe një detyrë tjetër bazike. Nëpërmjet anëtarësisë së saj në BE, Britania është pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe ka lidhur marrëveshje tregtare me 53 vende të tjera. Kur të dalë nga BE-ja, Britania do të humbë të gjitha këto marrëveshje. Kështu që, ajo duhet të përgatisë urgjentisht anëtarësimin si një vend individual në OBT, e cila dhe kjo kërkon pëlqimin e vendeve anëtare.
Theresa May duket se do të bëjë me dije përfitimet e një tranzicioni të butë. Ajo gjithashtu duhet të negociojë një anëtarësim të përkohshëm në Zonën Ekonomike të Europës, si Norvegjia. Por, kjo do të mund të realizohet vetëm duke paguar për buxhetin e BE-së dhe duke pranuar lëvizjen e lirë. Deri në momentin që do të pranohet nga OBT-ja, do të jetë nën “strehën” e tregut të vetëm të përbashkët europian.
Ata të cilët ishin pro daljes, janë të shqetësuar se Britania do të jetë me një këmbë në BE dhe një jashtë saj. Kjo me siguri është e mundur, pasi edhe votimi e ndau popullsinë britanike përgjysmë, me një diferencë të vogël.