Rusia është një ndër vendet më të ftohta në botë, por duke nisur nga 14 qershori premton vetëm “zjarr”. Në një muaj maratonë, sytë e sportdashësve dhe bizneseve të fushës së sportit do të drejtohen në Rusi. Kupa e Botës ndër vite konsiderohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të futbollit, e cila gjeneron të ardhura për vendin mikpritës, por jo vetëm.
Shqipëria nuk është pjesë e këtij kompeticioni, megjithatë kjo nuk e përjashton vendin tonë nga lista e shteteve që gjatë këtij muaji kanë përfitime të shumta. Sipërmarrësit e konsiderojnë si një ngjarje që do t’i japë një tjetër ritëm fillimit të sezonit veror, ku priten brohoritje, gjallëri dhe … shumë para!
Nga Deada Hyka
Kampionati Botëror i Futbollit Rusi 2018 do të jetë një ngjarje ku paratë do të vërshojnë. Por, jo vetëm në xhepat e rusëve. Ndonëse Shqipëria nuk është as vendi mikpritës i organizimit të kompeticionit dhe pjesëmarrëse në këtë ngjarje të madhe të fushës së futbollit, fitimet që priten të gjenerohen gjatë këtij muaji përfshijnë disa sektorë. Janë fushata të tëra promocionale (me produkte apo shërbime) që janë hartuar dhe kanë nisur të zbatohen më herët me nisjen e këtij eventi gjigant që do të mbajë të mbërthyer njerëzit në mbarë botën nga data 14 qershor deri më 15 korrik.
Kampionati Botëror i Futbollit Rusi 2018 do të jetë edicioni i 21-të i Kupës së Botës. Kjo është hera e parë që kompeticioni zhvillohet në Europën Lindore, pasi Rusia bëhet vendi i tetë europian që organizon turneun. Përzgjedhja e Rusisë e bën atë vendin më të madh nga pikëpamja gjeografike ku do të zhvillohet ky kompeticion. Ndërsa Katari, ku do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2022, do të bëhet vendi i parë i Lindjes së Mesme, por edhe vendi më i vogël gjeografikisht ku do të mbahet ky kompeticion.
32 ekipe që përfaqësojnë 32 vende, duke përfshirë edhe kombin pritës, do të marrin pjesë në turne. Kupa e Botës Rusi 2018 do të organizohet në 11 qytete, duke filluar nga Kaliningrad në perëndim, deri në Ekaterinburg në lindje. Kryeqyteti rus, Moska, do të organizojë ndeshjen finale më 15 korrik 2018. Moska është edhe shtëpia e stadiumit më të madh, me stadiumin Luzhniki, me kapacitet prej 80,000 vendesh. Çmimet e biletave për ndeshjet variojnë nga 20 dollarë amerikanë për kategorinë më të ulët për një ndeshje të grupit të hershëm (prenotuar vitin e shkuar), në më shumë se 1,000 dollarë për kategorinë më të lartë për finalen.
Gjermania kryeson në turne si një nga skuadrat favorite, pasi fitoi Kupën e Botës në Brazil, në vitin 2014, dhe hyri në turne si ekipi i klasifikuar i pari në renditjen botërore të FIFA-s. Një ekip që nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës Rusi 2018 është Shtetet e Bashkuara, të cilët dështuan të kualifikohen në grupin eliminator të zonës së Amerikës së Veriut dhe Qendrore. Megjithatë, duket se ky zhgënjim nuk ndahet në të gjithë vendin, pasi në një studim të dhjetorit 2017, 52% e të anketuarve deklaruan se nuk do ta shohin Kupën e Botës edhe nëse Shtetet e Bashkuara të ishin kualifikuar. Përveç kësaj, 63% e të anketuarve deklaruan se nuk ishin fare të interesuar në Kampionatin Botëror të Futbollist, ndërsa vetëm 8% thanë se kjo ngjarje ishte një nga interesat e tyre më të mëdha.
Po Shqipëria? Vendi ynë nuk është kualifikuar në Kupën e Botës, por njëkohësisht edhe dy skuadra të tjera të zemrës për një pjesë të madhe shqiptarësh. Bëhet fjalë për Italinë dhe Holandën. Se si do të ndikojë kjo gjatë turneut, ekspertët e fushës thonë se kjo mbetet për t’u parë gjatë zhvillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit. Holanda nuk arriti të kualifikohej për të dytin kompeticion madhor pas mungesës në Euro 2016. Po ashtu do të ndihet edhe mungesa e Italisë pas 60 vjetësh në Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018. Mendohet se si në aspektin e ndjekjes së ndeshjeve në sheshet e formuara për këtë ngjarje, si në lokale apo edhe në vendosjen e basteve, do të ketë boshllëqe. Megjithatë, duke u mbështetur në vëzhgime si edhe në traditën e viteve të mëparshme, Gjermania dhe Brazili janë dy skuadra që mendohet se edhe këtë vit, do të marrin zemrat dhe brohoritjet e shqiptarëve.
Rusi, përgatitjet dhe atmosfera
Shqipërinë e ndajnë 5,853 kilometra nga Rusia në vijë ajrore, si fluturim rreth 6.49 orë, me një linjë direkte. Ndërsa elementet që e bashkojnë janë dy: historia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe këtë vit, futbolli. Ernest Llaka, shqiptar i cili jeton prej 8 vitesh në Moskë, vendin ku u diplomua për stomatologji dhe aktualisht punon, thotë në një komunikim me “Monitor” se atmosfera në kryeqytetin rus prej disa javësh ka ndryshuar.
“Aktualisht jemi më pak se një javë para nisjes së kompeticionit dhe Moska është ende në rikonstruksion. Hyrjet në disa stacione metroje nuk kanë mbaruar ende, sepse po përgatiten për të qenë në një linjë me ndryshimet që ka pësuar i gjithë qyteti.
Qeveria ka premtuar që në periudhën e Botërorit, metroja do të jetë falas dhe ky fakt ka gëzuar të gjithë banorët. Pushteti lokal ka organizuar trajnime për vullnetarët që duan të ndihmojnë në këtë eveniment. Po vijon procesi i shitjes së biletave, nuk kemi dëgjuar për treg të zi. Rusët nuk janë shumë entuziastë për fitore. Madje, janë të sigurt që as fazën e parë nuk do të kalojnë. Përmes bisedave që kemi hasur, ka shumë përkrahës të Argjentinës dhe të Portugalisë në mes të rusëve”, – shprehet Ernesti.
Ai thotë se shqiptarët që jetojnë në Moskë, të angazhuar qoftë me studime apo me punë, do t’i ndjekin ndeshjet, por jo në stadiume, pasi çmimet janë shumë të larta. “Në grupin tonë jemi tifozë kryesisht me Italinë, por në mungesë të skuadrës sonë të zemrës, do të përkrahim Gjermaninë”, – thotë ai.
Në pamjen që ka ndryshuar qytetin e Moskës, përfshihen edhe shkrimet në gjuhën angleze, që sipas Ernestit, vështirë se gjendeshin në ndonjë cep të qyteteve ruse. Tani, thotë ai, në metro, në stacione etj., çdo njoftim jepet edhe në gjuhe angleze.
Një tjetër fakt tjetër interesant, sipas tij, është që rrugët lahen çdo javë. “Kjo s’ka ndodhur më parë. Mbase një herë në muaj ose më rrallë. Autoritetet kanë angazhuar rreth 55 mijë makina të lajnë rrugët çdo javë.
Nga ana tjetër, Ernesti pohon se masat e sigurisë janë rritur shumë. “Frika nga akte terroriste apo incidente të ndryshme ka angazhuar autoritetet për të pasur një rend më të lartë, numri i policëve patrullë është rritur në maksimum, në të gjithë qytetin, në metro etj.”, – pohon ai.
Lidhur me pyetjen se çfarë do të konsumohet gjatë kampionatit në Rusi, Ernesti thotë se vodka është zgjedhja e parë për rusët. “Lokalet kanë premtuar se nuk do t’i rrisin çmimet gjatë muajit të kampionatit. Një birrë, në një lokal mesatar në Moskë, kushton 250 rubla, ose rreth 3.5 euro. Në qendër kushton edhe më shumë. Më tepër do të konsumohen birra, kokteje apo shisha, që rusët vetë e pëlqejnë shumë dhe besoj do ta përdorin edhe si atraksion për turistët perëndimorë kryesisht”, – thotë Ernesti.
E drejta e transmetimit
Buxheti i përgjithshëm i investuar për Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi arrin në mbi 1.9 miliardë dollarë, 12% e të cilave janë parashikuar për produksione televizive.
FIFA ka premtuar detaje interesante këtë vit për mbulimin e Kupës së Botës, duke u dhënë përparësi televizioneve tokësore, pra me mbulim falas. Në rastin konkret, këtë vit, Kupa e Botës do të transmetohet ekskluzivisht nga Radio Televizioni Shqiptar, gjë që ndodh për herë të parë. Vite më parë, RTSH e ndau të drejtën televizive me një platforme transmetimi me pagesë. FIFA, në faqen e saj zyrtare, deklaron se e shiti të drejtën ndërkombëtare të transmetimit me një çmim “shumë të shëndetshëm” dhe kjo do të jetë marrëveshja më e madhe ndërkombëtare për të drejtat e futbollit në TV. FIFA do të gjenerojë rreth 1.85 miliardë dollarë për ciklin 2018 deri në 2022. Shumica e parave vijnë nga të drejtat e Kupës së Botës.
Kostoja e së drejtës së transmetimit në Shqipëri, sipas zyrës së marketingut të Radio Televizionit Shqiptar, është informacion konfidencial. Por, këtë herë, e drejta e transmetimit nga RTSH do të ofrohet vetëm nga ky medium, në kanalet e tij RTSH Sport ose edhe RTSH HD, si dhe platformat që mbështesin këtë televizion, radio, web dhe app. RTSH tani.
Elton Kadisi, drejtori i marketingut pranë RTSH, thotë për “Monitor” se tregu ka qenë i pavendosur për reklamimet, duke qenë se deri dy javë përpara nisjes së Botërorit ende nuk e besonin që RTSH do të ishte i vetmi transmetues dhe falas. “Nga 2002 e më pas, është transmetuar gjithmonë në RTSH dhe në një ‘paytv’, ose një tjetër TV Kombëtar dhe në një ‘paytv’. Nuk ka ndodhur më parë që ta kishte vetëm një televizion falas.
Natyra e fushatës së marketingut që do të shoqërojë këtë transmetim televiziv do të jenë kontrata sponsorizimi, reklamime, highlight – pra shitja e së drejtës së përmbledhjeve për televizionet e tjera në lajme apo në programe. Një tjetër zë i rëndësishëm është edhe ‘publicview’ pra e drejta e transmetimit në vende publike që organizohen posaçërisht për eventin dhe ku zhvillohet aktivitet komercial.
Drejtori i marketingut pranë RTSh, tha se vitet e fundit, çmimet e të drejtave televizive në fushën e sportit janë rritur shumë.
“Ka disa faktorë që ndikojnë në vlerën e të drejtave dhe sidomos vitet e fundit, këto çmime janë rritur shumë edhe për shkak të konkurrencës ndërmjet televizioneve në treg. Vlera e blerjes së të drejtës të FIFA World Cup 2018 në krahasim me Botërorin e Futbollit në vitin 2014 është rreth 60% më e lartë.”- pohoi z. Kadisi.
Sa i përket reklamimit, z. Kadisi thotë se interesi për reklama ka qenë i lartë nga shumë kompani. “Deri në këtë moment që flasim, janë kontraktuar 14 kompani, nga më të fuqishmet në treg, të kryesuara nga një kompani telekomunikacioni, si parter zyrtar i transmetimit.
Vlera e kontraktuar deri në këtë moment i ka mbuluar kostot e blerjes së të drejtave të transmetimit dhe sipas të dhënave, do të jetë rreth 20% më e lartë”, – tha kreu i marketingut pranë RTSH.
Bastet
Në Kampionatin Botëror të Futbollit, Rusi 2018, marrin pjesë 32 skuadra, të ndara në 8 grupe, me 4 skuadra secila. Kompanitë e basteve kanë nisur të kuotojnë në fillim të muajit maj, nga ku disa skuadra janë më favorite. Duke parë koeficientët, si dhe renditjen nga faqja zyrtare e Eurolloto-s, ekipi pretendent kryesor për fitimin e trofeut, është Brazili, ndjekur nga Gjermania, Spanja dhe Franca. Nga fqinjët ballkanas të kualifikuar, Kroacia dhe Serbia janë pjesë e listës (Kroacia e 9, Serbia e 19).
Përveç Italisë, shqiptarëve do t’u mungojë edhe Holanda, e cila nuk është kualifikuar në këtë kompeticion. Aktorët e tregut tregojnë se mungesa e këtyre dy skuadrave do të sjellë ‘penalizime’ për xhepat e sipërmarrësve që presin të përfitojnë në këtë muaj. Sipas Eurolloto-s, ka rreth një muaj që ka nisur vendosja e basteve.
Një shqiptar, që kërkon të vendosë një bast për skuadrën e tij të zemrës, që në rastin konkret mund të jetë një ndër favoritët kryesorë, shuma që mund të përfitojë është: në rastin e Brazilit, me koeficient, 5.50, 1000 x 5.50 = 5500 lekë.
Kur nisin ndeshjet, bastvënësit janë më të predispozuar që të vendosin baste. Klajdi Malo, nga Eurolloto, thotë për “Monitor” se piku i vendosjes së basteve do të jetë gjatë transmetimit direkt.
Të pasionuarit pas “1 X 2” nuk do të ndalen vetëm te frekuentimi i pikave të basteve, pasi edhe kësaj here do të jetë e aksesueshme edhe online. Ekspertët parashikojnë bum të ardhurash nga bastet online. Kjo do të jetë një mundësi e artë për markat e ndryshme, kryesisht ato ndërkombëtare. Ekspertët parashikojnë që të ardhurat nga bastet online të rriten me 30%. Nga ana tjetër, edhe aplikimet për këtë event nëpërmjet celularëve, pritet të rriten. Oraret e transmetimit të ndeshjeve janë të favorshme dhe ky do të jetë një element pozitiv për kompanitë e basteve.
Mundet që rusët vetë të konsumojnë vodkën e famshme kur të ndjekin ndeshjet. Por, shqiptarët vijojnë t’i mbeten besnikë birrës për raste të tilla. Në një komunikim, disa nga kompanitë prodhuese apo importuese të birrave në Shqipëri, tregojnë se kjo ngjarje është ndër më shpresëdhënëset sa u përket përfitimeve që mund të arrijnë. Sipas tyre, tre janë kanalet e shpërndarjes: lokalet, që pritet të shtojnë dyfish porositë e tyre, një pjesë e madhe e tyre kanë vendosur një ambient dedikuar birrës.
I dyti, supermarketet dhe marketet e shumicës kudo në Shqipëri, që janë kryesisht të lidhur me kërkesat e individëve dhe konsumin në familje.
I treti do të ishin ambientet e jashtme të organizuar për këtë event, që premtojnë në mënyrë të pashmangshme konsum të lartë. Por, një problematikë e mbetur në këtë fushë, lidhet me akcizën e këtij produkti. Importuesit e markave të ndryshme të birrave, edhe pse parashikojnë rritje me rreth 20% të konsumit të birrës, thonë se nuk do të marrin në këmbim fitime të larta, për shkak të akcizës. Pa diskutim, formatet e pijeve që pëlqehen më shumë janë ato 0.33 ml dhe mbi të gjitha krikot, që do pritet të konsumohen shumë në lokale apo ambientet e hapura në kryeqytet.
Zona që do të shënojë popullimin dhe konsumin më të madh të kësaj pijeje do të jetë ajo që njihet si “Pedonalja”, pranë Galerisë së Arteve. Në ndryshim nga Botërori i kaluar, sportdashësit do të mund ta ndjekin Botërorin edhe në sheshin “Skënderbej”, i cili pritet të shndërrohet në një “pikë të nxehtë” për sportdashësit.
Këtyre hapësirave u shtohet edhe Pazari i Ri, që ka marrë të drejtën e transmetimit për publikun nga RTSH. Lokale të ndryshme në Tiranë thonë njëzëri se në të tilla ngjarje sportive është e vështirë që të bëhen parashikime të sakta mbi fitimet që do të vijnë nga nxitja e konsumit. Megjithatë, shprehin bindjen se ardhja e stinës së verës dhe Botërori do të rrisin xhirot e tyre. Në asnjë lokal nuk mungon ekrani i madh dhe promocionet e ndryshme, me oferta pijesh në oraret e zhvillimit të ndeshjeve, ku kulmon transmetimi në orën 8:00 të mbrëmjes.
Teknologjia, rriten shitjet e televizorëve
Drejtuesit e marketingut të “Neptun” thonë se shitjet e televizorëve gjatë muajit të Botërorit u rritën dhe porositë kanë nisur që një muaj më parë. “Parashikojmë që porositë të mbyllen me rreth 10,000 TV dhe pajisje mbështetëse. Bëhet fjalë më tepër për ekrane të mëdhenj mbi 42-polësh, gjithashtu kërkohen shumë edhe Smart TV, që japin mundësinë e përdorimit të shumë aplikacioneve në televizor nëpërmjet internetit.”- pohon Greta Lekaj.
Një “elitë konsumatorësh” mësohet se po orientohen direkt nga zhvillimi më i ri i tregut të televizorëve që është teknologjia UHD, e cila mundëson cilësi figure katër herë më të qartë se një TV normal në Full HD. Ka nga ata konsumatorë, siç vërejnë drejtuesit e marketingut që i kushtojnë shumë rëndësi dizajnit dhe modernes, si p.sh. TV të harkuar, super të hollë dhe me qartësi ngjyrash. Diçka e re që tashmë është njehsuar dhe në vendin tonë është ndërveprimi mes pajisjeve, duke pasur në qendër televizorin, ku këta të fundit ndërveprojnë me smartphone apo edhe tabletë.
“Prej vitesh, konsumatori është bërë edhe më kërkues, më i ndërgjegjshëm ndaj markave, ka më shumë informacion. Nga ana tjetër, është vënë re se shqiptarët e duan teknologjinë, janë ndjekës shumë të mirë të saj dhe përqafojnë shpejt çdo novacion që prezantohet në botë, duke u përqasur dhe duke treguar interes për të eksperimentuar me prurjet e reja. E natyrisht, sfida e ardhme e televizorëve është përmirësimi i mëtejshëm i qartësisë së figurës, pra do të shkohet drejt televizorëve UHD”, – thotë Greta Lekaj.
Drejtuesit e marketingut të “Neptun” pohojnë sërish të njëjtin trend, që kompeticionet e fushës së futbollit udhëheqin në kërkesat për televizorë, sidomos lokalet që investojnë duke i zëvendësuar me më të mëdhenj, më të rinj në teknologji etj.
Për herë të parë pas 60 viteve, Italia nuk do të jetë pjesë e garës për Kupën e Botës.
Dështimi i Italisë në kualifikimin për Kupën e Botës Rusi 2018, ndërkohë, është një goditje jo vetëm për turneun, por për ekonominë e vendit tonë fqinj. Mungesa e “të kaltërve” në finale, e para në 60 vjet, mund t’i kushtojë Italisë deri në 1 miliard euro, sipas Franco Carraro, ish-kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian, i cili mbikëqyr futbollin në vend.
“Nuk ka të bëjë vetëm me shitjet e reklamave të humbura, me të drejtat televizive dhe me shitjet në lidhje me ngjarjen”, tha zoti Carraro.
“Ka shumë më tepër elemente, përfshirë shitjet e humbura për operatorët e udhëtimit që organizojnë paketa pushimi në Rusi, humbje e kompanive të basteve dhe të bareve dhe restoranteve anembanë vendit gjatë ndeshjeve”, tha ai.
Agjencia ndërkombëtare e mediave MP & Silva po llogarit aktualisht koston e dështimit të Italisë për t’u kualifikuar. Agjencia bleu të drejtat e transmetimit italian për Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018, por priti derisa kualifikimi ishte i plotë për t’i vendosur ato në tender. Të drejtat u shitën në Mediaset për 78 milionë euro të raportuara, rreth 50% më pak se ata që do të kishin qenë të vlefshme, n.q.s Italia do të kualifikohej.
Por edhe për Shqipërinë, mungesa e Italisë nuk është lajm i mirë. Ekspertët thonë se duke marrë në konsideratë tifozët e shumtë në numër të Italisë në kompeticione si Botërori apo Europiani, atëherë edhe shikueshmëria mendohet të jetë më e ulët. Ose të paktën s’do të ketë të njëjtën grintë dhe zjarr në pjesëmarrjet në shikimin e ndeshjeve, bastet, pijet etj.
Tashmë është zyrtare, 4 shqiptarë do të jenë në Kupën e Botës. Zvicra ka publikuar listën e 23 futbollistëve që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018.
Ashtu siç është pritur, në listën e Zvicrës bëjnë pjesë edhe katër futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Blerim Xhemaili. Ky fakt është nxitës, sipas ekspertëve të fushës së futbollit, për të qenë më të predispozuar që të ndjekim ndeshjet ku do të luajë Zvicra, gjë që do të sjellë angazhim më të madh në terma ekonomikë për vendin tonë, në fushat e basteve, konsumit dhe frekuentimit të ambienteve jashtë etj.
Vlera
Cila është vlera e Kupës së Botës? Nuk ka përgjigje të lehtë për këtë pyetje dhe kjo varet se kush pyet. Për skuadrat e FIFA-s, kjo është një industri e mirëfilltë e përfitimit të parave dhe për shumë shtete të tjera, përfitim komercial.
Një banor i Tolyatti, zona më e varfër e Moskës në Rusi, mund ta shohë atë si një humbje parash, në vend të kësaj mund të shpenzoheshin për strehimin, transportin publik dhe programet e mirëqenies.
Ndërsa pritet goli i parë i kompeticionit këtë javë, a mund të mendoni edhe për një pyetje alternative: a ia vlen vërtet turneu?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.