Brukseli i deklaron luftë supermarketeve

11/10/2017 12:40 PM 0 komente

BE-ja pritet të nxjerrë ligje të reja për të mbrojtur fermerët nga shitësit e mëdhenj. Supermarketet insistojnë se nuk janë ata përfituesit. Tani për tani supermarketet janë shndërruar në shinjestrën e BE-së. Brukseli është vënë në pozitë për vite me radhë sepse nuk dinte se si t’i përgjigjej ankesave dhe akuzave të fermerëve në lidhje me faktin se ata nuk kanë pothuajse asnjë lloj të drejte kontraktuale kundër titanëve të tillë si Tesco e Britanisë dhe Carrefour i Francës.

Kërkesa kryesore e fermerëve është se BE-ja duhet të nxjerrë legjislacionin e duhur për t’i dhënë fund praktikave të padrejta tregtare siç janë pagesat e vonuara nga supermarketet dhe kontratat abuzive. Deri më tani, Komisioni është përpjekur ta paraqesë veten si një ndërmjetës neutral në këto grindje të hidhura dhe komplekse në lidhje zinxhirin e furnizimit me ushqime. Por kjo gjë ndryshoi të premten e kaluar, kur Komisioneri Europian për Bujqësinë, Phil Hogan, nisi një sulm të papritur kundër supermarketeve. Ai e deklaroi një gjë të tillë gjatë fjalimit që mbajti në Kështjellën e Dublinit dhe njoftoi se do të synonte të hartojë legjislacion për të mbrojtur fermerët nga supermarketet. Z. Hogan ishte shumë kategorik rreth asaj që deklaroi dhe e shprehu mjaft qartë se kush ishte për t’u fajësuar. “Konkretisht, supermarketet tani gëzojnë “super fuqi” për shkak të efektit të dyfishtë të globalizimit në rritje dhe një niveli të lartë përqendrimi brenda Europës”, tha ai. “Kjo u jep një farë “supremacie” mbi prodhuesit primar. “Mosbalancimi ndërmjet negociatave së përcaktuesve të çmimeve dhe marrësve të çmimeve është i zymtë, duke çuar në një situatë ku ekziston një “faktor frike” i vërtetë për fermerët, si pasojë e vonesave të pagesave dhe dhimbjeve të tjera të kokës”, tha ai në Dublin. Analisti i shitjeve me pakicë, Kantar, shprehet se zinxhirët e Tescos, Sainsburys dhe Asdas kontrollojnë afërsisht 60 për qind të tregut të ushqimeve në Angli. Në Francë, Carrefour, E. Leclerc dhe Intermarché kontrollojnë më shumë se 55 për qind. Fjalimi i ashpër i komisionerëve kundër shitësve të ushqimit shkaktoi një stuhi të telefonatash dhe takimesh emergjente të lobistëve të supermarketeve në Bruksel të shqetësuar për një sulm ndaj asaj që ata argumentojnë se duhet të mbetet një treg i lirë.

Shpërndarës apo përfitues?

Propozimi legjislativ i Hoganit pritet në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të përfshijë rregulla të reja që kanë për qëllim përmirësimin e transparencës së çmimeve në treg dhe rritjen e fuqisë së kooperativave bujqësore në mënyrë që fermerët të përballen me më pak probleme të tilla si pagesat e vonuara, kontrata të negociuara keq apo fuqi të kufizuar të negociatave.

Një tjetër ide që Brukseli shqyrtoi pas marrjes së rekomandimeve nga një grup i pavarur ekspertësh vitin e kaluar, do t’i detyronte vendet të vendosin të ashtuquajturit “rregullatorë” të produkteve ushqimore, të cilet mund t’i gjobisin supermarketet nëse ata sillen padrejtësisht me fermerët. Mbretëria e Bashkuar e ka nisur tashmë një iniciativë të tillë dhe në vitin 2015, u përball me faktin se supermarketi Tesco nuk i kishte paguar fermerët për mallrat e tyre për më shumë se një vit pas mosmarrëveshjeve mbi shumën që ai i deturohej atyre. Megjithatë, rrjetet e supermarketeve si Lidl dhe Carrefour, thonë se po shinjestrohen me pa të drejtë. Ata aktualisht blejnë shumë pak produkte direkt nga fermerët dhe në vend të kësaj merren me përpunues të mëdhenj si Arla, Nestle dhe Danone. Shumë nga shitësit këmbëngulin që këto padrejtësi bëhen nga bizneset e përpunimit dhe jo nga supermarketet. “Por e gjithë kjo është një tregim i sajuar nga komuniteti bujqësor, në ëmnyrë të tillë që për të gjitha problemet e tyre të fajësohen shitësit”, u shpreh Neil McMillan, Drejtor në EuroCommerce, një industri lobuese që përfaqëson grupe supermarketi të tilla si Carrefour, Tesco dhe Lidl. Z. McMillan vazhdoi më tej duke thënë se 95 për qind e asaj që blejnë supermarketet vjen nga përpunuesit, jo nga fermerët. Ai gjithashtu vuri në dukje se kufijtë neto midis zinxhirëve të supermarketeve ishin midis 1 për qind dhe 3 për qind për shkak të shpenzimeve të mëdha për pagat, transportin dhe ruajtjen e tyre në temperaturën e duhur. Pagimi i fermerëve me çmime më të mira kërkon që ata që punojnë në bujqësi të “shtojnë vlerën” duke furnizuar tregjet dhe konsumatorët vendas me atë që duan, shtoi ai. Për shembull, fermerët në Francë nuk po përmbushni kërkesat e larta në vend për mish derri dhe viçi organik, duke mos i lënë supermarketeve asnjë mundësi tjetër përveçëse që t’i importonin ato produkte nga Gjermania.

Sigurimi i trashgimisë

Komisioneri irlandez, Hogan, e di se do të jetë shumë e vështirë të veprohet përmes një reforme serioze të Politikës së Përbashkët Bujqësore, që është shtylla e politikës së bujqësisë europiane që përfaqëson rreth 40 për qind të buxhetit të BE-së, përpara përfundimit të mandatit të Komisionit aktual në 2019. Ajo çka mund të ndodhë në fund fare është që ka shumë mundësi të ketë më pak para në dispozicion për subvencionimin e fermave, pas largimit të Britanisë nga blloku. Kjo do të thotë se trashëgimia e tij midis fermerëve mund të varet nga fakti nëse ai mund t’i mbrojë ato nga supermarketet. Legjislacioni për praktikat tregtare të padrejta mund të ndihmojë në kompensimin e humbjes së financimit. Pekka Pesonen, Sekretari i Përgjithshëm i Copa Cogeca, lobi që përfaqëson fermerët në BE, tha se ka mbështetje të gjerë midis anëtarëve të tij për t’i frenuar supermarketet. “Furnizuesit edhe pse të shumtë në numër janë shumë të vegjël përsa i përket fuqisë negociuese dhe janë ndrydhur nga shitësit”, vazhdoi ai më tej. Vitin e kaluar, një grup i pavarur i Task Forcave të Bujqësisë i ngritur nga Komisioni arriti në përfundimin se BE-ja duhet të “të paraqesë një bazë të harmonizuar të praktikat tregtare të padrejta në shtetet anëtare”. Ai rekomandoi që asnjë periudhë për shlyerjen e pagesave nuk duhet të zgjaste më shumë se 30 ditë. Ai këmbënguli gjithashtu se nuk duhet të ketë ndryshime retroaktive në kontrata, asnjë kontribut për kostot e marketingut, asnjë ankesë apo pretendim për produktet e humbura, asnjë anullim i minutës së fundit, si edhe asnjë kërkesë për parapagesa. Po ashtu siç edhe pritet çdo propozim i tillë i politikës nuk do të zbatohet pa një luftë të ashpër të supermarketeve. Në gusht, EuroCommerce paraqiti reagimet e saj mbi çështjen e Praktikave Tregtare të Padrejta, duke këmbëngulur se rregullimi në nivel BE-je nuk ishte mjeti i duhur. “Ne gjithashtu nuk shohim vlerë të shtuar të nivelit të rregullimit të mëtejshëm në nivel BE-je, pasi të gjitha shtetet anëtare kanë rregullore bazë që mbulojnë marrëdhëniet kontraktuale”, vazhdoi ai. “Një shumicë e konsiderueshme ka miratuar skema komplementare për të trajtuar Praktikat Tregtare të Padrejta, duke përfshirë dispozitat e zbatimit”. Z. Hogan e përmbylli fjalimin e tij duke thënë se “Fermerëve duhet t’i japin pjesën që u takon”.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz