Qëllimi i kësaj platforme është analiza dhe trajtimi i kredive me probleme të portofoleve të bankave individuale. Nëpërmjet saj do të mundësohet marrja në analizë të detajuar e kredimarrësve individualë duke vlerësuar mundësinë dhe nivelin e rikuperueshmërisë së problemeve të shfaqura nga huamarrësit si dhe duke ofruar opsionet për zgjidhjet e përshtashme dhe afatgjatë për secilin prej tyre. Rezultatet e kësaj analize do të përdoren për të ofruar zgjidhje në nivel portofoli si dhe për të vlerësuar mundësinë e ndërhyrjes me politika të mëtejshme
Niveli i lartë i kredive me probleme përbën një shqetësim të përhershëm për autoritetin mbikëqyrës të sistemit bankar, Bankën e Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare për Monitor nga ky institucion, ndërhyrjet për adresimin e hershëm të këtij fenomeni, si për bankat ashtu edhe për institucionet e tjera, nëpërmjet ndërhyrjeve energjike për shmangien e problemeve të mundshme, kanë qenë të vazhdueshme si nëpërmjet daljeve publike ashtu edhe me ndryshimet përkatëse ligjore e rregullative të ndërmarra.
“Faktorë të rëndësishëm që mund të ndikonin në zbutjen e kësaj dukurie nuk kanë funksionuar me të gjithë hapësirat e mundshme lehtësuese. Problematika e ekzekutimit të kolateraleve ka qenë në nivel relativisht të lartë duke mos ndihmuar mjaftueshëm në dhënien e mesazheve të duhura për përgjegjësitë që kanë operatorët ekonomikë e individualë për shlyerjen e detyrimeve të tyre ndaj bankave. Fshirja e kredive me probleme nga bilancet, që nuk nënkupton heqjen e përgjegjësive të huamarrësve për shlyerjen e detyrimeve të tyre, nuk është bërë në nivel të mjaftueshëm për shkak të hapësirave ligjore fiskale për interpretime të ndryshme, gjë që ka ndikuar në një tregues jo real të kredive me probleme. Edhe ristrukturimet e kredive, që pritej t’i jepnin një lehtësim të aftësive ripaguese të huamarrësve si dhe një frymëmarrje më të gjerë ekonomisë së vendit në tërësi, megjithëse kanë ndodhur, kanë qenë në nivele të ulëta dhe me efikasitet të dobët.
Iniciativat për ndryshimet ligjore e rregullative kanë qenë të lidhura pikërisht për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për rritjen e ndikimit, në kahun pozitiv, të zbutjes së kredive me probleme. Ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile pritet të rrisin efikasitetin e procesit të ekzekutimit të kolateraleve si në drejtim uljes së burokracive ashtu edhe në drejtim të rishikimit të kushteve likuidimit në përputhje me ofertat e tregut. Ndryshimet e bëra në Udhëzimin e Ministrit të Financave për saktësimin e kuptimit të borxhit të keq për institucionet financiare pritet të lehtësojë procesin e fshirjes së kredive dhe uljen e nivelit të artificialitetit të treguesit të kredive me probleme. Paketa e masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet lehtësimit të kërkesave rregullative për nxitjen e kreditimit në vend, synon të japë stimuj pozitivë në ambjentin ekonomik dhe atë financiar të paktën deri në fund të vitit 2014. Ndryshimet rregullative të Bankës së Shqipërisë për lehtësimin e kritereve rregullative në drejtim të klasifikimit dhe provigjionimit të kredive të ristrukturuara, kanë krijuar kushte të përshtatshme për nxitjen e këtij procesi. Në mbështetje të tij do të vijnë publikimi së shpejti nga Banka e Shqipërisë i dy udhëzuesve për ristrukturimin e kredive, të cilët synojnë të orientojnë palët që hyjnë në një marrëdhënie ristrukturimi.
Çështja e ristrukturimeve të kredive do të gjejë një vëmendje të mëtejshme me iniciativën e fundit të Bankës së Shqipërisë të prezantimin e platformës së adresimit të kredive me probleme në një takim me bankat për këtë qëllim. Kjo platformë është hartuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Këshilluese të Sektorit Financiar (FinSAC), me qendër në Vjenë . Kjo qendër është themeluar nga Banka Botërore dhe ka për qëllim të ofrojë asistencë teknike për çështje të rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sektorit financiar, për bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë në Evropë dhe në Azinë Qendrore.
Qëllimi i kësaj platforme është analiza dhe trajtimi i kredive me probleme të portofoleve të bankave individuale. Nëpërmjet saj do të mundësohet marrja në analizë të detajuar e kredimarrësve individualë duke vlerësuar mundësinë dhe nivelin e rikuperueshmërisë së problemeve të shfaqura nga huamarrësit si dhe duke ofruar opsionet për zgjidhjet e përshtashme dhe afatgjatë për secilin prej tyre. Rezultatet e kësaj analize do të përdoren për të ofruar zgjidhje në nivel portofoli si dhe për të vlerësuar mundësinë e ndërhyrjes me politika të mëtejshme.
Përzgjedhja e portofoleve dhe e kredimarrësve, të cilët do të jenë persona juridikë, do të jetë e tillë që ndikimi i këtij ushtrimi të ketë efekte sa më të gjera si në nivel banke ashtu edhe në ekonomi, në një koncept më të gjerë.
Realizimi i këtij ushtrimi do të mbështetet në asistencën e një kompanie me eksperiencë ndërkombëtare në këtë fushë, asistencë e cila do të financohet nga FinSAC. Pritshmëritë për këtë platformë janë për ofrimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme për marrëdhënien midis bankave dhe bizneseve huamarrëse nëpërmjet një analize të detajuar dhe një game më të gjerë e të plotë të mënyrës së zgjidhjes së problemeve,”, përfundon materiali i Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.