BSH: Faktoringu, 34.9 milionë lekë

26/12/2011 11:37 AM 0 komente

Faktoringu është një shërbim financiar që krahas interesit të rritur privat për ta ushtruar atë, po gjen mbështetje edhe nga institucioni i tij rregullues e mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë.
Burimet zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se institucioni po luan rol nxitës në zhvillimin e këtij segmenti të tregut, duke përcaktuar kërkesa mbikëqyrëse më të thjeshtuara – referuar si nivelit të kapitalit, ashtu dhe normave rregullatore, krahasuar me institucionet bankare.

Sipas të dhënave të BSH, niveli i këtij aktiviteti është shumë më i ulët krahasuar me vendet e tjera. “Portofoli i faktoringut në shtator 2011 arrin në vlerën 34.9 milionë lekë. Në sektorin financiar jobankar, portofoli i faktoringut peshon sa 0.4% e portofolit të qirasë financiare dhe 0.3% e portofolit të kredisë dhe mikrokredisë. Ekspertët e bankës vlerësojnë për “Monitor” se, “këto shifra dëshmojnë për fillesat e këtij aktiviteti dhe hapat e parë të zhvillimit të këtij shërbimi financiar”.
Sipas vlerësimeve të BSH-së, faktoringu është një shërbim i ri në tregun jobankar. “Brenda sektorit financiar jobankar, krahas shërbimeve financiare të tilla si qiraja financiare dhe mikrokredia, së fundmi prezantohet edhe shërbimi i ri i faktoringut, duke rritur gamën e produkteve në shërbim të biznesit”, thonë ekspertët e BSH-së.    
Shtimi dhe zgjerimi i përvitshëm i sektorit privat në Shqipëri, si dhe kërkesa për funksionimin e tij në përputhje me standardet ndërkombëtare të ekonomisë së tregut shtrojnë nevojën e prezantimit të nismave dhe metodave të reja të ndërmjetësimit financiar përtej formave tradicionale si kredidhënia. Por edhe vështirësitë në ekonomi të reflektuara në reduktimin e likuiditetit të bizneseve kanë sjellë zgjatje të afatit të pagesave në kontratat e shitjeve të biznesit me klientët e tyre. Si i tillë, faktoringu ndihmon në zvogëlimin e afateve të pagesave, duke krijuar mundësi për likuiditete dhe duke rritur fuqinë investuese të bizneseve. Ekspertët sqarojnë se, në aktivitetin e faktoringut, ndryshe nga format e tjera të kredidhënies, janë të përfshirë tri palë. Ato janë faktori (institucioni financiar), shitësi (furnitori) dhe blerësi (debitori).
Aktiviteti i faktoringut dhe i financimit të transaksioneve tregtare ushtrohet nëpërmjet shoqërive të faktoringut të organizuara dhe licencuara si institucione financiare jobanka si dhe nëpërmjet bankave tregtare si veprimtari financiare të përfshira në aneksin e tyre të licencës. Nga të dhënat e BSH, aktualisht shërbimi i faktoringut ofrohet nga dy shoqëri të licencuara si institucione financiare jobanka, të cilat kanë filluar të operojnë vetëm gjatë vitit 2011 (Albanian Factoring Services dhe Omni Factor).
Ndërkaq, numri i bankave tregtare që e gëzojnë të drejtën për ta ushtruar këtë aktivitet arrin në gjashtë. Burimet nga BSH tregojnë se është në proces licencimi edhe një shoqëri e tretë, si institucion financiar jobankë dhe shqyrtimi i kërkesës për veprimtari shtesë i një banke tregtare.
Ekspertët e financave mendojnë se në tregun tonë nuk ka pengesa për zhvillimin dhe stimulimin e veprimtarisë së faktoringut. “Sigurisht, po t´i referohemi statistikave të vëllimit të tregtisë botërore, e cila mbështetet me anë të shërbimit të faktorigut, niveli i transaksioneve faktoring në tregun vendas është ende në fazat e para dhe kërkon mbështetje për stimulimin e zhvillimit e tij”, vlerësojnë ekspertët e BSH. Por ata theksojnë se, deri më tani sipërmarrjet private janë mbështetur me anë të financimeve nga bankat tregtare për mbulimin e nevojave të tyre për likuiditet, duke mos parashtruar kërkesa për shërbime të reja financimi. Sipas tyre, një arsye ka qenë edhe njohja e pakët e shërbimeve të tilla financiare nga publiku.
Situata e shtrënguar e likuiditeteve në ekonomi e krijuar së fundmi ka bërë që bankat të shtrëngojnë gjithnjë e më shumë kërkesat për kredidhënie. Për rrjedhojë, gjetja e formave të reja të financimit si nga bizneset, edhe nga bankat ka krijuar nevojën e zhvillimi të alternativave të reja investuese dhe krijimit e licencimit të subjekteve të specializuara. Banka e Shqipërisë i licencon këto subjekte me rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jo banka”, miratuar me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të saj nr. 11, datë 25.02.2009, dhe nëpërmjet rregullores “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka” miratuar me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të saj nr. 25, datë 24.03.2010.

Në sektorin financiar jobankar, portofoli i faktoringut peshon sa 0.4% e portofolit të qirasë financiare dhe 0.3% e portofolit të kredisë dhe mikrokredisë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of