Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit gjatë vitit 2014 si dhe ka ndryshuar disa drejtues departamentesh, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp.
Raporti vjetor përbën detyrimin ligjor të Bankës së Shqipërisë me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë. Raporti vjetor përbën një dokument të rëndësishëm ku në mënyrë transparente shpalosen para Kuvendit dhe publikut aktiviteti i Këshillit Mbikëqyrës dhe i Bankës së Shqipërisë në përmbushje të objektivave të saj institucionale, monetare, valutore, mbikëqyrëse, operacionale dhe zhvillimore.
Më konkretisht në të pasqyrohen:
• Zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
• Politika monetare dhe ajo valutore të ndjekura nga Banka e Shqipërisë;
• Zhvillimet në tregjet financiare dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
• Aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
• Aktiviteti i emisionit monetar, sistemit të pagesave, kërkimor, komunikues dhe edukimit të publikut;
• Administrimi i burimeve njerëzore dhe shërbimeve logjistike;.
• Veprimtaria e kontrollit të brendshëm.
• Bilanci kontabël, pasqyrat financiare dhe deklarata e auditorit të jashtëm.
• Objektivat kryesore të institucionit për vitin 2015.
Në mbledhjen e sotme, të Këshillit Mbikëqyrës u prezantuan edhe drejtuesit e rinj të disa prej departamenteve të Bankës së Shqipërisë, më konkretisht ai i Departamentit të Mbikëqyrjes (ikën Indrit Banka vjen Denis Derralla, që deri tani punonte si këshilltar i drejtorit në Bankën Credins), ai i Departamentit të Administrimit (caktohet Jonida Mero), ai i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit (vjen Indrit Xhemali) dhe ai i Departamentit të Burimeve Njerëzore (Andi Bala).
Këto ndryshime janë kryer në kuadër të përmirësimeve organizative në Bankën e Shqipërisë, duke synuar rritjen e efektivitetit të këtyre departamenteve dhe përcjelljen e një fryme të re në përmbushjen e funksioneve kryesore të institucionit.
Objektiv kryesor mbetet forcimi i rolit mbikëqyrës, rregullator dhe licencues, përafrimi i mëtejshëm me standardet e Bazelit dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe rritja e kapacitetit të administrimit të rreziqeve.
Gjithashtu, nëpërmjet këtyre ndryshimeve do të synohet një administrim dhe mbarëvajtje më e mirë e shërbimeve logjistike dhe burimeve njerëzore në Bankën e Shqipërisë.
Drejtuesit e departamenteve të BSH-së
Departamente dhe Njësi të tjera
Kabineti i Guvernatorit | Z. Donald Duraj, Shef i Kabinetit |
Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës | Z. Elvis Çibuku |
Mbikëqyrja Bankare | Z. Deniz Deralla, Drejtor (i komanduar) |
Burimet Njerëzore | Z. Andi Bala, Drejtor (i komanduar) |
Juridik | Z. Altin Naqe, Drejtor |
Kontrolli | … |
Operacionet Monetare | Z. Marian Gjermeni, Drejtor |
Politikat Monetare | Z. Erald Themeli, Drejtor |
Marrëdhëniet me Publikun | Z. Genci Mamani, Drejtor (i komanduar) |
Stabiliteti Financiar dhe Statistikat | Z. Klodion Shehu, Drejtor |
Kërkimet | Z. Altin Tanku, Drejtor |
Emisioni | Z. Stefan Sevo, Drejtor (i komanduar) |
Sistemet e Pagesave dhe Kontabiliteti e Financa | Zj. Anjeza Harizaj, Drejtore |
Teknologjia e Informacionit | Z. Indrit Xhemali, Drejtor (i komanduar) |
Administrimi | Zj. Jonida Mero, Drejtore (e komanduar) |
Sigurimi dhe Mbrojtja | Z. Ilir Mollaymeri, Drejtor (i komanduar) |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.