Ekspertët e Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit ditën e sotme të Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes së vitit 2016, kanë bërë të ditur se ka nisur procesi I falimentimit për disa nga 35 kompanitë, që ishin në listën e kreditorëve më të këqij, këto kompani nuk kanë arritur që të kalojnë procesin e ristrukturimit, bënë të ditur ekspertët e bankës. 20% e këtyre kompanive janë për proces falimenti, pra 7 prej tyre.
Më herët, Banka e Shqipërisë kishte bërë të ditur se nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve.
Më se një vit më parë, Banka e Shqipërisë njoftoi se 35 kompani të mëdha zotëronin rreth 60% të totalit të kredive me probleme në vend. Plani i institucionit monetar qendror për të ulur kreditë e këqija, që arritën nivelin më të lartë në gati 25% në shtator 2014 dhe që qëndruan përgjithësisht mbi 20% në 2015-2016, kishte në fokus pikërisht ristrukturimin e këtyre kompanive problematike.
Ristrukturimi i të mëdhenjve është një nga arsyet kryesore që ka çuar në uljen e kredive me probleme (NPL) muajt e fundit, të cilat në fund të muajit prill arritën në 16.5%, nga gati 25% që kishte qenë niveli më i lartë i tyre në shtator 2015.
Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se procesi i ristrukturimit ka qenë kompleks dhe për këtë arsye, ai është asistuar nga institucioni monetar qendror. Ristrukturimi ka përfshirë zgjatje të afateve të kthimit të huasë, apo ka pasur dhe raste kur bankat kanë marrë pronësinë e aseteve dhe i kanë dhënë ato me qira.
Si rrjedhojë, numri i kompanive të mëdha që kanë nivel të lartë të kredive me probleme aktualisht ka zbritur në 25. Ndërsa 11 janë në proces ristrukturimi, siç u përmend më sipër, mbeten edhe 14 të tjera jashtë këtij procesi.
Nga këto 14 sipërmarrje, një pjesë nuk kanë më shpresë për arkëtim, ndërsa për të tjera nuk është gjetur zgjidhje dhe për një pjesë të tyre tashmë ka nisur procesi i falimentimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.