Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e sotme ka diskutuar mbi plane për rimëkëmbjen e bankave, për kontrollin e brendshëm të tyre, si dhe ka bërë me dije miratimin e tematikës për kartëmonedhën e re me vlerë 10000 lekë. Banka e Shqipërisë deklaroi se kartëmonedha e re do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”.
- Miratimin e rregullores “Mbi planet e rimëkëmbjes së bankave”
Rregullorja vjen si rishikim tërësor i kuadrit rregullativ në fuqi të Bankës së Shqipërisë për planet e rimëkëmbjes, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tij. Rregullorja nxirret në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Planet e rimëkëmbjes hartohen nga vetë bankat dhe përcaktojnë tërësinë e masave që duhet të ndërmerren për të rivendosur pozicionin financiar, në rast të një përkeqësimi të konsiderueshëm të gjendjes financiare të tyre. Këto plane konsiderohen si pjesë e rëndësishme e administrimit të rrezikut dhe e procesit të vlerësimit e të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë.
- Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloret “Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre” dhe “Për sistemin e kontrollit të brendshëm”
Qëllimi kryesor i rishikimit të dy rregulloreve është plotësimi dhe përmirësimi i kuadrit rregullativ të drejtimit efektiv të bankave. Ndryshimet përmirësojnë kriteret e miratimit të administratorëve, procesin e vlerësimit të tyre nga vetë bankat dhe autoriteti mbikëqyrës, si dhe sistemin e kontrollit të brendshëm, si një hallkë shumë e rëndësishme e për adresimin e rreziqeve me të cilat përballen bankat.
Ndryshimet kanë marrë shtysë kryesisht në kuadër të përafrimit të akteve rregullative të Bankës së Shqipërisë me kërkesat më të reja të Bashkimit Evropian në fushën e mirëqeverisjes së institucioneve të kreditit, si dhe të disa rekomandimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në projektin për vlerësimin e kuadrit ligjor, rregullativ dhe të praktikave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë.
- Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloret për funksionimin e sistemit qendror të regjistrimit dhe shlyerjes së titujve (AFISaR)
Ndryshimet synojnë përshtatjen e rregulloreve, në kushtet e anëtarësimit të Bursës Shqiptare të Titujve në këtë sistem.
- Miratimin e tematikës së kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë
Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.