Banka e Shqipërisë, në raportin e politikës monetare për tremujorin e fundit të 2015-s pohon se aktiviteti ekonomik në vend po ndjek një trajektore pozitive zhvillimi.
Analizat dhe parashikimet e bankës sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë ritme progressive rritjeje gjatë tre viteve të ardhshme. Aktiviteti ekonomik pritet të kthehet në ekuilibër gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 dhe inflacioni pritet të kthehet në objektiv gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018.
Këto parashikime nuk kanë ndryshuar nga vlerësimet e mëparshme të Bankës. Kahu dhe intensiteti i zhvillimeve të pritura reflekton: (i) dinamikën aktuale të ekonomisë shqiptare; (ii) përmirësimin e pritur të ambientit të jashtëm; si dhe (iii) ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare gjatë horizontit të parashikimit.
Banka thekson se hendeku i prodhimit do te ngushtohet
Inflacioni do te kthehet ne objektiv me 2018, ndërsa politika monetare do te vazhdojë të jete stimuluese, ndonëse intensiteti do të jetë më I ulët.
Gjithashtu, rritja ekonomike në këtë periudhë pritet të mbështetet nga përmirësimi i kushteve të financimit dhe nga gjallërimi progresiv i kreditimit. Kjo pritje reflekton kombinimin e një sërë faktorësh, sipas BSH.
• Së pari, kahu i fortë stimulues i politikës monetare ka ulur normat e interesit në tregjet financiare në minimumet e tyre historike. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto norma do të vazhdojnë të mbeten poshtë mesatareve të tyre historike edhe gjatë dy viteve të ardhshme.
• Së dyti, emetimi i Eurobondit ka sjellë reduktimin e huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare. Kjo ka shkaktuar ulje të normave të interesit – edhe përtej sinjaleve të dhëna nga politika monetare – duke ndihmuar në rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Në përputhje me planin buxhetor afatmesëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi I këtij faktori do të jetë i pranishëm edhe 2 vitet në vijim.
• Së treti, zbatimi i programit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në lehtësimin e standardeve të kredisë dhe në rritjen e ofertës së kredisë bankare.
Të gjithë këta faktorë pritet të sjellin një mbështetje më të mirë të konsumit dhe të investimeve private në horizontin afatmesëm. Në përputhje me to, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja ekonomike do të vijë në përmirësim të mëtejshëm gjatë horizontit afatmesëm, e ushqyer fillimisht nga kërkesa e brendshme dhe më tej nga rritja e qëndrueshme e eksporteve. Kjo rritje do të ndihmojë në kthimin gradual të inflacionit në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.