Banka e Shqipërisë e konsideroi sukses projektin pilot për emetimin e obligacionit referencë pesë vjeçar, pasi interesi i tij që nga nisja në muajin korrik 2018 ka ardhur në rënie.
Prej muajit korrik, në kuadër të nismës së fundit të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për të zhvilluar tregjet financiare ka filluar të emetohet obligacioni 5-vjeçar referencë, si një projekt pilot.
Prezantimi i këtij projekti ka për qëllim të zhvillojë tregun sekondar të letrave me vlerë.
Nëpërmjet zhvillimit të tregut sekondar të letrave me vlerë, synohet të rritet likuiditeti i letrave afatgjatë të qeverisë, të përcaktohet një çmim sa më eficient për letrat me vlerë, si dhe të krijohet një normë referencë për ndërlidhjen e instrumenteve financiare në treg.
Kuotimi i përditshëm i yield-it të kësaj letre me vlerë nga zhvilluesit e tregut rrit transparencën dhe bën të disponueshme në treg në kohë reale një informacion mbi çmimin e një instrumenti financiar “pa risk”, i cili është i nevojshëm për përcaktimin e normave të interesit të instrumenteve financiare afatgjata.
Ecuria në tre muajt e parë të këtij projekti tregon se ai ka dhënë rezultatet e para pozitive, si në drejtim të rritjes së volumit të tregtuar, ashtu edhe të rritjes së pjesëmarrësve në treg. Yield-i referencë, i cili kuotohet çdo ditë nga bankat e zgjedhura si zhvilluese tregu, ka shfaqur rënie.
Ndërsa me ulje janë edhe interesat e instrumenteve të tjera të borxhit të qeverisë.
Yield-i mesatar i bonove 12-mujore zbriti në 1.43% në muajin dhjetor nga 2.7% dhe 2.1%, që ishte respektivisht në fillim të vitit dhe në muajin qershor.
Yield-et e obligacioneve kanë treguar ecuri të njëjtë me ato të bonove, por ulja e primeve të kërkuara ka qenë më e fortë, veçanërisht në maturitetin afatmesëm. Në ankandet e fundit të zhvilluara në muajt nëntor dhe dhjetor, yield-et e obligacioneve 2-, 5-, 7- dhe 10-vjeçare rezultuan respektivisht 1.94%, 3.80%, 5.02% dhe 6.48%, nga 2.40%, 5.13%, 5.45% dhe 6.80% që ishin në muajin korrik.
Pjerrësia e kurbës së yield-eve është zbutur lehtas. Raporti i mbulimit të ankandeve të letrave të borxhit në këto muaj është rritur, duke konfirmuar sjelljen më konkurruese të bankave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.