Ndonëse në 2013-n, treguesit e punësimit ishin pozitivë, duke treguar për një shtim të vendeve të punës në kohë krize, analiza më të hollësishme tregojnë se më shumë se hapje të fronteve të reja, kjo lidhet me uljen e informalitetit.
Në raportin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, theksohet se tregu i punës vijon të jetë i plogësht. Norma e papunësisë ka mbetur e pandryshuar nga fundi i vitit të kaluar, duke qëndruar në nivelin 12.8% në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas BSH, masat fiskale të ndërmarra në muajin maj gjykohet të kenë nxitur deklarimin e të punësuarve, duke rezultuar në një zgjerim të punësimit në sektorin privat jobujqësor gjatë nëntëmujorit të parë të vitit.
Përtej këtij faktori, norma e papunësisë ende e lartë ka gjeneruar presione të dobëta për rritjen e pagave në ekonomi. Nga ana tjetër, kërkesa finale e ulët ka kufizuar aftësinë e bizneseve për diktimin e çmimeve të produkteve finale dhe ka ndikuar në ruajtjen në nivele të ulëta të marzheve të fitimit. Në mungesë të goditjeve të papritura nga ana e ofertës dhe në prani të pritjeve të ankoruara inflacioniste, kushtet e ekonomisë reale dhe në veçanti dobësia e kërkesës së brendshme kushtëzojnë ruajtjen e normave të ulëta të inflacionit dhe për periudhën në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.