Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje përgjatë gjithë periudhës 2000-2015, por kjo rritje nuk ka qenë e njëtrajtshme dhe e qëndrueshme. Ritmi i rritjes u ngadalësua, nga një mesatare prej rreth 6% deri në vitin 2008 në një mesatare prej rreth 2.3% pas këtij viti, analizoi Banka e Shqipërisë në raportin vjetor për 2015 drejtuar Kuvendit..
Banka referon se, periudha 2000-2008 përjetoi një rritje rreth potencialit të ekonomisë. Faktorët kryesorë që nxitën rritjen në këtë periudhë kanë qenë zhvendosja e burimeve nga sektorë më pak produktivë (bujqësi) drejt atyre më produktivë të ekonomisë (shërbime dhe ndërtim), adoptimi në rritje i teknologjisë, mbështetja e lartë me kredi bankare, por edhe baza e ulët nga e cila nisi rrugën rritja ekonomike. Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike e kësaj periudhe u mbështet nga nivele të larta investimi dhe konsumi privat, ndërkohë që aktiviteti eksportues mbeti i dobët.
Prej vitit 2009, ekonomia e vendit është vënë nën trysninë e pasigurive të shtuara si pasojë e krizës financiare dhe asaj të borxheve në vendet e BE-së. Ajo ka përjetuar ngadalësim të zgjatur, të shoqëruar me paqëndrueshmëri të ritmeve të rritjes. Autoriteti Qendror bankar analizon se, goditja që erdhi nga kriza botërore evidentoi se strategjia e mbështetjes në kërkesën e brendshme si burim rritjeje ekonomike kishte limitet e saj, veçanërisht në prani të shtrëngimit të kushteve të financimit në tregjet e huaja. Gjithashtu, kjo goditje evidentoi edhe shpërpjesëtimet sektoriale që kishin karakterizuar ritmet e larta të rritjes deri para vitit 2009. Të dy këta probleme kanë përbërë dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare, të cilat duhen adresuar me vendosmëri për të vënë ekonominë në një trajektore më të lartë dhe më të qëndrueshme rritjeje, evidenton BSH.
Në këndvështrimin sektorial, ekspansioni i shpejtë i ndërtimit deri në vitin 2009, sidomos në segmentin rezidencial, u pasua me një rënie të menjëhershme të kërkesës për to. Për rrjedhim, sektori i ndërtimit u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit dhe ndikoi negativisht në rritjen ekonomike deri në fund të vitit 2014.
Sektorët e shërbimeve shënuan gjithashtu një ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes, kryesisht pas vitit 2010.
Për periudhën 2009-2010, degë të caktuara si (komunikacioni, telefonia celulare, informacioni, transmetimi dixhital, përhapja e internetit etj.), rezultuan me rritje të shpejtë të produktivitetit, duke ndikuar pozitivisht ecurinë e sektorit. Më pas, degët me peshë të lartë të shërbimeve në PBB, si tregtia dhe mirëmbajtja, gjeneruan më pak vlerë të shtuar, duke ulur kontributin e tyre në rritjen ekonomike.
Këto zhvillime reflektuan në një masë të madhe efektet zinxhir të ngadalësimit të shpenzimeve familjare, si për mallra e shërbime ashtu edhe për blerje apartamentesh, dhe reduktimin e investimeve të biznesit. Në të njëjtën periudhë, kontributi e sektorëve prodhues të orientuar drejt eksportit apo mallrave konkurruese të importit, – si bujqësia dhe industria, rezulton më i lartë. Por, këto zhvillime nuk kanë mundur të kompensojnë humbjet e shfaqura në sektorët e aktiviteteve të patregtueshme (ndërtim dhe shërbime).
Raporti referon se Industria u zhvillua duke shfrytëzuar më shumë avantazhet konkurruese në termat e kostove të ulëta të punës, se sa rritjen e produktivitetit. Kontributi i këtij sektori në rritje është pozitiv, më i lartë se sa para vitit 2008, por ende i pastabilizuar. Bujqësia vijoi të reflektojë vështirësitë e trashëguara nga problemet e ndarjes dhe të pronësisë mbi tokën, të fragmentarizimit dhe të informalitetit, të mungesës së tregjeve të organizuara për tregtimin brenda dhe jashtë vendit, të investimeve relativisht të izoluara në rajone dhe nënsektorë të caktuar të saj. Ajo mbetet një degë me peshë të konsiderueshme në punësim, ndonëse në rënie përgjatë viteve, ndërkohë që pesha e saj në vlerën e shtuar bruto vlerësohet rreth 20%.
Në përgjithësi, sektorët prodhues si industria, bujqësia dhe ndërtimi nuk kanë arritur të zgjerohen për të dominuar strukturën e vlerës së shtuar në ekonomi. Kjo e fundit mbizotërohet nga sektorët e shërbimeve të cilët kanë rritur edhe peshën në punësim gjatë periudhës 2011-2014.
Nga pikëpamja e financimit prej sektorit bankar, duket se në vitet e parakrizës, interesi ka qenë i lartë drejt ndërtimit dhe shërbimeve. Pas vitit 2012, rezulton një zhvendosje në rritje e portofolit të kredisë bankare drejt sektorit të industrisë, kundrejt reduktimit të tij për ndërtimin. Shërbimet, të cilat janë dhe sektori kryesor i ekonomise shqiptare, mbeten aktiviteti ekonomik që kreditohet më shumë.
Bujqësia mbetet sektori që ende nuk është futur seriozisht në axhendat e kreditimit për probleme që lidhen kryesisht me formalizimin e tij. Zhvillimet e analizuara më sipër pasqyrojnë lëvizjen e ekonomisë drejt një strukture më të qëndrueshme ekonomike dhe një modeli më eficient të saj.
Megjithatë, sikurse ilustrohet më sipër, kjo lëvizje nuk mund të konsiderohet e përfunduar dhe reformat strukturore që e mbështesin atë duhet të vazhdojnë më tej. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërinë e ekonomisë përmes faktorit të produktivitetit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.