Nga transaksionet e instrumentet financiare, te OJF-të, kompanitë e pasurive të paluajtshme e deri te metodat e reja të pastrimit të parave përmes pagesave elektronike…
Banka e Shqipërisë në një udhëzim të publikuar në Fletoren e fundit Zyrtare për matjen e rrezikut nga pastrami I parave dhe financimi I terrorizimit. Qëllimi i këtij udhëzuesi është të ndihmojë subjektet e rregullores “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” (në vijim referuar si PPP/LFT), në administrimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Udhëzimi përcakton të gjitha rastet se kur sjelljet e subjekteve, organizatave jo fitimprurës, transaksionet, apo individët mund të jenë subject rreziqeve që vijnë nga aktiviteti në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. BSH liston dhe 18 kategori rastesh të dyshimta, nga transaksionet e instrumentet financiare, te OJF-të, kompanitë e pasurive të paluajtshme e deri te metodat e reja të pastrimit të parave përmes pagesave elektronike.
Ndërkohë, sipas ndryshimeve të fundit në legjislacion, detyrimi për të deklaruar burimin e të ardhurave në të gjitha transaksionet e kryera përmes institucioneve financiare do të ulet në 1 milion lekë ose kundravlerën në valutë të huaj. Me rregulloren e mëparshme, detyrimi për të deklaruar burimin vlente për shumat e barabarta ose më të mëdha se 1.5 milion lekë apo kundërvlerën në monedha të tjera, për transaksionet me para fizike.
Subjektet ku ka rrezik pastrimi parash
Sipas udhëzimit, Kategoritë e klientëve, veprimtaritë e të cilëve mund të jene tregues i nivelit të rrezikut më të lartë, listohen si më poshtë:
a) klientë që kryejnë marrëdhënien e tyre të biznesit në rrethana të pazakonta të tilla si:
– distancë e konsiderueshme dhe e pashpjegueshme gjeografike midis subjektit dhe vendndodhjes së klientit;
– lëvizje të shpeshta dhe të pashpjegueshme të llogarive në institucione të ndryshme dhe lëvizje e shpeshtë dhe e pashpjegueshme e fondeve ndërmjet institucioneve në vende të ndryshme gjeografike; – klientë të cilët kanë një strukturë, natyrë apo marrëdhënie biznesi komplekse, që e bën të vështirë identifikimin e pronarit të vërtetë dhe strukturave kontrolluese;
b) organizata jofitimprurëse;
c) persona të ekspozuar politikisht (PEP);
d) transaksione me klientët jorezidentë;
e) marrëdhënie biznesi dhe transaksione me klientë, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë në vende që nuk zbatojnë ose që zbatojnë pjesërisht standardet ndërkombëtare të PPP/LFT;
f) transaksione në emër të një personi tjetër; g) klientë që kryejnë lëvizje në shuma të mëdha cash;
h) struktura e pronësisë së kompanisë duket e pazakontë ose tepër komplekse, duke pasur parasysh natyrën e biznesit të kompanisë;
i) krijimi i shpeshtë dhe i papritur i marrëdhënieve të ngjashme të biznesit me disa banka, pa marrë parasysh vlerësimet ekonomike. Një shembull i veprimtarive të tilla mund të jetë hapja e llogarive në disa banka, hyrja në disa marrëveshje të anëtarësimit në fondet vullnetare të pensioneve brenda një periudhe të shkurtër kohe (me një ose më shumë kompani administrimi), ose nënshkrimi i disa marrëveshjeve të leasing-ut financiar me disa ofrues të ndryshëm të leasing-ut financiar etj..;
j) transferime të shpeshta dhe të papritura të fondeve nga llogaritë në një bankë në ato të një banke tjetër, pa një arsyetim të qartë ekonomik, veçanërisht kur bankat janë vendosur në vende të ndryshme gjeografike;
k) klientë që kryejnë veprimtari të biznesit që karakterizohen nga një qarkullim i madh i parasë dhe pagesave cash, në nivele të konsiderueshme, të tilla si: restorante, pika karburanti, zyrat e këmbimit valutor, kazino, dyqanet e lavazhit të makinave, dyqanet e luleve, tregtarët e mallrave me vlerë të lartë (metale të çmuar, gurë të çmuar, automjete, objekte arti etj..), transportuesit e mallrave dhe të pasagjerëve, kompani bastesh sportive;
l) tregtarët dhe prodhuesit e armëve;
m) përfaqësuesit e palëve, biznesi i të cilëve përfshin përfaqësimin (avokatët, kontabilistët ose përfaqësues të tjerë profesionalë), veçanërisht kur subjekti është në kontakt vetëm me përfaqësuesit;
n) kompanitë e ndërtimit;
o) kompanitë me një numër të vogël punonjësish që nuk janë në proporcion të drejtë me fushën e tyre të biznesit, kompanitë pa infrastrukturë ose pa mjedise biznesi etj..;
p) personat të cilëve iu është refuzuar oferta e biznesit nga një tjetër subjekt, pavarësisht nga mënyra si është marrë një informacion i tillë, dhe / ose personat me reputacion jo të mirë;
q) klientë të cilët kanë fonde nga burime të paqarta ose të paidentifikuara, dhe / ose klientë me fonde nga burime të paverifikueshme; r) klientët e dyshuar që nuk veprojnë për llogari të tyre dhe / ose që zbatojnë udhëzimet e një personi të tretë;
s) trustet dhe shoqëritë që kanë aksione të mbajtësit/shoqëritë që merren me import/eksport;
t) nëpunës në nivel të lartë administrimi.
RASTET E DYSHIMTA
1. Tregues të dyshimtë që lidhen me klientin:
a) klienti refuzon ose nuk jep lehtë informacionin e kërkuar ose jep informacion të rremë ose ndryshon informacion shpesh dhe pa ndonjë justifikim të qartë;
b) klienti jep informacion përgjithësisht të ndryshëm nga ai i dhënë nga burime të pavarura, si për shembull informacion i marrë nga arkivat, listat dhe regjistrat ose të dhëna të publikuara në faqet zyrtare të internetit ë të autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare;
c) klienti, nisur nga kërkesa e institucionit financiar për informacion të mëtejshëm, zgjedh që të mos kryejë transaksionin, ose të mos vendosë marrëdhënie biznesi apo të kërkojë ndërprerjen e marrëdhënies ekzistuese;
2. Tregues të dyshimtë që lidhen me transaksionet:
a) kërkesa për transaksione të cilat kryhen pa marrë parasysh vlerësimin për rrezikun e investimit, komisionet e vendosura ose kosto të tjera;
b) urdhra të përsëritura për transaksione nga kompani që rezultojnë rregullisht me humbje ose në vështirësi financiare, të cilat vazhdojnë të kenë të njëjtin administrim pavarësisht ndryshimeve të herëpashershme të pronarëve;
c) marrje të shpeshta të fondeve nga subjekte të ndryshme, të shoqëruara me transferta të urdhëruara nga klientë në lidhje me llogari të cilat janë pronë e trusteve;
3. Transaksionet Cash:
a) depozitat dhe tërheqjet në shuma të mëdha parash (cash) të pa justifikuara nga profili ekonomik i transaksioneve të klientit;
b) kur në një llogari është kredituar një sasi e e madhe parash (cash) nga palë të treta, pa dijeninë e mbajtësit të llogarisë;
c) ekzistenca e një numri të madh veprimesh në një llogari, me depozita dhe tërheqje të shumta nëpërmjet lëshimit të çeqeve, ndërkohë që balanca e llogarisë mbahet në nivele të ulëta;
d) riaktivizimi i llogarive të fjetura (jo aktive), sidomos duke përdorur depozitat cash nëpërmjet degëve të ndryshme nga dega në të cilën është hapur llogaria;
4. Transaksionet në instrumentet financiare:
a) transaksionet nëpërmjet përdorimit të instrumenteve financare që nuk përputhen me profilin financiar dhe ekonomik të klientit ose të cilat kryhen nëpërmjet procedurave jo të zakonshme, veçanërisht për shuma të mëdha parash të pajustifikuara nga procedura të veçanta;
b) blerja e instrumenteve financiare (veçanërisht të njësive të investimeve të pronave të paluajtshme) me çmime dukshëm më të larta se ato të tregut;
c) transaksione të shpeshta në instrumente financiare, duke përfshirë ndarje transaksionesh, për shuma të mëdha që shlyhen në cash ose që nuk kalojnë në llogarinë apo nëpërmjet marrëdhënies së klientit;
d) investime të shpeshta dhe të mëdha në instrumente financiare, të cilat paguhen nga subjekte/ndërmjetës që ndodhen në vende me rrezik të lartë;
5. Transferimi i fondeve:
a) depozitime të shpeshta të klientit në llogari të ndryshme, konsolidohen në një të vetme dhe transferohen jashtë vendit, veçanërisht “në drejtim të” dhe “nga” një vend që vlerësohet si një vend favorizues në drejtim të sistemit tatimor ose që nuk aplikon sa duhet rekomandimet e FAFT, ose konsiderohet si një vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
b) llogaritë janë hapur nën emra të personave fizikë ose juridikë dhe nuk tregojnë aktivitet normal të vazhdueshëm me profilin ekonomik dhe profilin e transaksioneve të llogarisë, por janë përdorur ekskluzivisht për transferimin e fondeve jashtë vendit;
c) transferta fondesh të vazhdueshme për shuma të mëdha nga/për vende me taksa të ulëta dhe që nuk zbatojnë ose që zbatojnë pjesërisht standardet përkatëse ndërkombëtare që lidhen me sekretin ose nga/ për territore me rrezik të lartë, pa pasur një qëllim të dukshëm biznesi lidhur me aktivitetin ekonomik dhe profilin e transaksioneve të klientit;
6. Tregues të dyshimtë që lidhen me marrëdhëniet e biznesit:
a) blerje ose shitje të mëdha me çmime jo proporcionale, në lidhje me vlerën aktuale të tregut ose vlerën e llogaritur (për shembull pasuri të patundshme dhe tituj, punime arti, bizhuteri, ar, mallra të tjera lluksi, kompani, kontrata, patenta, aksione, licenca ose autorizime për aktivitete tregtare);
b) ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve kontraktore (veçanërisht nëse ndodh menjëherë pasi është vendosur), e shoqëruar me urdhra për likuidimin e shumave të mëdha në cash ose tranferta në favor të palëve të treta jashtë vendit;
c) mbajtja e llogarive të ndryshme nga i njëjti klient në të njëjtin institucion financiar, veçanërisht nëse mbahen në degë të cilat janë të vendosura në zona afër njëra tjetrës, ose prokura të shumta për të kryer veprime në të njëjtin institucion financiar nga i njëjti klient;
7. Tregues të dyshimtë që lidhen me mënyrat dhe procedurat e pagesave:
a) përdorim i përsëritur dhe i pajustifikuar i cash-it, veçanërisht në shuma të mëdha dhe prerje të mëdha; b) depozitme në cash të cilat nuk shpjegohen nga aktiviteti ekonomik i klientit, veçanërisht kur përfshijnë para të vjetruara apo prerje të mëdha;
c) tërheqja e shumave të mëdha në cash, përveç rasteve kur klienti specifikon nevojë të veçantë për këtë qëllim;
d) këmbim i parave, sidomos për shuma të mëdha, duke përdorur para të vendeve të ndryshme të shumave të mëdha, veçanërisht nëse klienti kërkon prerje të mëdha ose llogaria nuk është e mjaftueshme për transaksionin;
8. Aktivitete të papajtueshme me aktivitetin e biznesit të klientit dhe profilin e përgjithshëm ekonomik të transaksioneve:
a) një rritje e konsiderueshme e depozitave të një sipërmarrje, e pajustifikuar nga një rritje përkatëse në aktivitetin e saj;
b) shuma të mëdha parash (cash) janë depozituar në një llogari, pa justifikuar profilin ekonomik të transaksioneve të klientit;
c) transaksionet e një firme tregtare kryhen zakonisht në cash më shpesh se në tituj dhe në instrumente të tjera pagesash, të cilat zakonisht përdoren për transaksionet tregtare; d) një llogari bankare e mbajtur nga një person fizik apo juridik është debituar apo kredituar me shuma të mëdha, të cilat nuk justifikojnë profilin ekonomik të transaksioneve të klientit;
9. Transaksione ose sjellje të tjera të dyshimta të klientit:
a) ndryshime të shpeshta dhe të pashpjegueshme në numrat e telefonit fiks apo celular, si dhe adresa jo aktive të e-mailit të kompanisë;
b) sjellje anormale nervoziteti nga klienti gjatë kryerjes së transaskionit;
c) llogari të mbyllura brenda një kohe të shkurtër nga hapja e tyre, në veçanti pasi banka kërkon dorëzimin e dokumenteve të nevojshme, si dhe në rast kur fondet përkatëse janë transferuar;
d) një rritje e konsiderueshme në dërgesat e parave cash për/nga një ose disa degë të caktuara bankare të një rajoni të caktuar;
10. Transaksionet e organizatave jo-fitimprurëse ose bamirëse:
a) burimet e fondeve nuk janë në përputhje me madhësinë e fondeve të mbledhura, për shembull shuma të mëdha mblidhen nga komunitete, anëtarët e të cilëve kanë standard të ulët jetese;
b) një rritje e papritur në frekuencën dhe madhësinë e transaksioneve ose e kundërta, për shembull fondet qëndrojnë në llogarinë e organizatës për një kohë të gjatë;
c) donacionet burojnë ekskluzivisht nga jo-rezidentët e vendit ku organizata është regjistruar;
d) transfertat e fondeve në vende të ndryshme, veçanërisht në vendet me rrezikshmëri të lartë, kur kjo nuk justifikohet nga qëllimi i organizatës ashtu siç është specifikuar në statutin e saj;
e) organizatat pa staf, zyra, numra telefoni etj..
11. Përdorimi i kasave të sigurisë (safe-deposit box):
a) përdorimi i shpeshtë i lehtësirave për ruajtjen e depozitave nga qiramarrësit e përbashkët ose përfaqësuesit e tyre, sidomos kur përfshijnë pako masive, të cilat mund të përdoren për të transportuar shuma të mëdha parash (cash) ose objekte të tjera;
b) vizita gjithnjë e më të shpeshta për në kasat e sigurisë (safe-deposit box) të një dege të caktuar banke, në veçanti nga individë të cilët nuk punojnë ose jetojnë në zonën pranë asaj dege, pavarësisht se shërbime të ngjashme ofrohen nga një degë që ndodhet më afër shtëpisë ose biznesit të tyre;
c) ndryshime të shpeshta të qiramarrësve të përbashkët të kasave të sigurisë (safe-deposit box).
12. Kreditë:
a) shlyerje e plotë ose e pjesshme e ktredisë së marrë nga kredimarrësi, në rast kur origjina e fondeve është e panjohur;
b) garancia për një kredi sigurohet nga një garantues i panjohur për bankën (institucionin financiar) dhe që nuk ka lidhje të dukshme me kredimarrësin;
c) një klient kërkon të marrë kredi pa ndonjë qëllim të deklaruar dhe është i gatshëm të ofrojë cash për garanci;
d) aplikimi për një kredi mbështetur në asete, të cilat kanë origjinë të paqartë ose nuk përputhen me pozicionin financiar të aplikuesit;
13. Sjellje e dyshimtë e punonjësve:
a) një punonjës që bën jetesë luksoze e cila nuk justifikohet me të ardhurat e tij;
b) një punonjës nuk zbaton (me dashje) politikat dhe procedurat e vendosura nga institucioni financiar, në veçanti kur ai është angazhuar në administrimin e aseteve për klientë të rëndësishëm; c) një punonjës nuk preferon të marrë leje për pushime;
d) një punonjës bisedon/krijon afrimitet me klientët më shumë se zakonisht.
14. Tregtia e mallrave:
a) mbifaturimi apo nënfaturimi i mallrave ose shërbimeve, duke përdorur teknika të ndryshme;
b) faturime të shumta të mallrave dhe shërbimeve;
c) mospërputhje të konsiderueshme midis përshkrimit të artikullit në faturën e transportit dhe faturës;
d) madhësia e dërgesës duket në kundërshtim me shkallën e aktivitetit normal të biznesit të eksportuesit ose importuesit;
e) lloji i mallit që po transportohet mund të jetë me vlerë të madhe dhe vëllim të vogël (për shembull stoli të çmuara) të cilat kanë shkallë të lartë qarkullimi dhe paraqesin vështirësi vlerësimi;
f) lloji i mallit që po transportohet duket i papajtueshëm me aktivitetin normal të biznesit të eksportuesit ose importuesit;
15. Sektori i pasurive të patundshme:
a) shitja e një prone kundrejt pagesës duke përdorur çeqe të nënshkruara në favor të njërës palë ose ndaj një pale të tretë që nuk ka lidhje me transaksionin e shitjes;
b) shitja e një prone kundrejt pagesës në disa çeqe të lëshuara brenda një dite dhe në favor të një shitësi të vetëm (të pronës).
c) shitja e një prone kundrejt pagesës me para në dorë (cash) me prejardhje nga llogaria e një pale të tretë e cila nuk ka asnjë lidhje me personin e përcaktuar si blerës në marrëveshjen e shitjes;
d) shitja e një prone pa ndjekur formalitetet ligjore të detyrueshme;
e) sipas marrëveshjes së shitjes, prona duket që është blerë nga shitësi kohët e fundit;
f) transaksionet e pasurive të patundshme me një çmim shumë më të lartë ose shumë më të ulët se vlera reale e tregut.
16. Pastrimi i parave nëpërmjet metodave të reja të pagesave/produkteve elektronike:
a) një klient kryen transaksione me vlerë të madhe duke përdorur një kartë të parapaguar, duke përfituar nga mundësia e mbushjes së kartës pa praninë fizike në bankë, për shembull nëpërmjet ATM-ve, internet banking etj..;
b) një klient blen një numër të madh të kartave të parapaguara nga i njëjti institucion financiar;
c) balanca të mëdha të kartave të debitit dhe kreditit shlyhen në cash, pa patur informacion për burimin e fondeve;
d) një klient krediton llogarinë e tij me shuma të mëdha pothuajse ekskluzivisht nëpërmjet një ATM-je, ndoshta duke treguar qëllimin e tij për të shmangur shfaqjen personale në institucionin financiar.
17. Tregues të dyshimtë që lidhen me personat juridikë:
a) llogaritë janë hapur pranë një banke nga disa korporata jashtë vendit, të cilat kanë të njëjtin pronar përfitues dhe flukse fondesh komplekse ose të pazakonta ndodhin ndërmjet llogarive të tilla;
b) përpjekje për të fshehur identitetin e pronarit përfitues nëpërmjet strukturave komplekse të personave juridikë;
c) një llogari e një personi juridik merr një transfertë krediti nga një tjetër person juridik dhe që janë në pronësi të të njëjtit përfitues, duke përdorur si dokument mbështetës një kontratë kredie, duke përcaktuar kushte dhe terma të pazakontë, për shembull kredi pa interes ose të pakolateralizuar/pasiguruar.
18. Tregues të dyshimtë të lidhur specifikisht me leasing dhe factoring:
a) shlyerje e papritur dhe përfundim i marrëdhënies kontraktore sapo kontrata ka hyrë në fuqi sidomos për sa i takon leasing-ut të makinave;
b) një shlyerje e papritur e detyrimeve të prapambetura për një periudhë të gjatë;
c) një garanci është dhënë nga një person që nuk ka lidhje të dukshme biznesi apo personale të qiramarrësit/faktorit; d) klienti refuzon të ofrojë informacion shtesë për të dhënat e aktivitetit kur i kërkohet apo gjatë shqyrtimit të dosjes; e) kur një kompani off-shore kërkon të hyjë në një marrëdhënie leasing-u dhe subjekti ka dyshime për pronarin përfitues;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.