Banka e Shqipërisë vlerëson se tregu i kapitaleve në vend është ende në fazën fillestare të tij. “Autoritetet përkatëse kanë krijuar logjistikën e nevojshme si nga ana rregullative, ashtu dhe nga ana e teknologjisë së informacionit për të krijuar bazat për zhvillimin e tregut të kapitaleve. Puna kryesore mbetet në zhvillimin e besimit të publikut”, – nënvizon Banka në një prononcim për “Monitor”.
Lidhur me potencialin e zhvillimit, BSH merr në analizë elementet bazë mbi të cilët zhvillohen tregjet e letrave me vlerë ku, së pari, është ekzistenca e emetuesve me nevoja afatgjata financimi.
Së dyti, investitorët, të cilët kërkojnë të vendosin kursimet ose fonde të tjera likuide në tituj që mbartin interes. Së treti, ndërmjetës financiarë të cilët lidhin emetuesit me investitorët, dhe së katërti një infrastrukturë, e cila siguron një mjedis të përshtatshëm për kryerjen e transaksioneve me tituj, siguron pronësi ligjore të titujve dhe shlyerjes së transaksioneve, si dhe siguron informacion për zbardhjen e çmimeve.
“Regjimi rregullator përbën bazën për funksionimin e tregjeve të letrave me vlerë dhe për tregjet e kapitalit në përgjithësi. Nga elementet e mësipërm, potenciali për zhvillimin e tregut shihet që kufizohet më shumë nga nevoja investitorëve për instrumente të reja financiare. Krijimi i një bazë të shëndoshë të besimit të investitorit do t’i shërbente zhvillimit të shpejtë të tregut. Rritja e kërkesave të investitorëve për instrumente financiare do sillte edhe një ofertë nga kompanitë, të cilat kanë gjithmonë nevojë për kapitale për zhvillimin e biznesit të tyre”, – vlerëson BSH.
Zhvillimi i tregut sekondar
“Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me bankat tregtare, është e angazhuar në mbështetje të plotë të Ministrisë së Financave në zhvillimin e tregut sekondar të titujve të qeverisë. Tregu i titujve të qeverisë përbën një gur themeli në zhvillimin e një tregu efecient të titujve me të ardhura fikse, por jo vetëm, çka është tejet e rëndësishme në mbështetjen e zhvillimit të rritjes ekonomike të një vendi.
Një treg i zhvilluar i titujve qeveritarë ndihmon në politikat makroekonomike të ndërmarra nga institucionet politikëbërëse ekonomike, në krijimin e kushteve të ndërmjetësimit financiar, uljes së kostos së kapitalit dhe financimit të projekteve zhvillimore. Zhvillimi i këtij tregu në vendet në zhvillim, merr një rëndësi edhe më të madhe si pasojë e mundësive të kufizuara të kapitalit, në një kohë kur nevojat për investime produktive janë të larta.
Dobishmëria kryesore e tregut sekondar është përcaktimi i çmimeve të asetit (instrument financiar apo aset tjetër) në mënyrë transparente. Si rrjedhojë e kësaj, asetet që kanë një treg të zhvilluar sekondar janë më likuide duke i shërbyer përcaktimit të vlerës së asetit në kohë reale. Mundësia e likuidimit të asetit në çdo kohë, nxit investitorët në investimet në këtë aset, duke bërë që tregu të ketë një spiral zhvillimi.
Nga ana tjetër, emetuesit përfitojnë nga kosto të ulëta të sigurimit të kapitalit e për rrjedhojë, janë të nxitur të ndërmarrin sa më shumë projekte zhvilluese. Një tjetër aspekt i dobishëm i tregut sekondar është vlera ekonomike që krijon, pasi duke krijuar mundësinë e shitje/blerjeve të vazhdueshme krijohet vlerë ekonomike. Ndërsa Banka e Shqipërisë përfiton nga një treg i zhvilluar sekondar, sepse përçohet më mirë politika e saj monetare”, – shprehet BSH.
Licencat e dhëna nga Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë ka licencuar të paktënnëntë bankatë cilat ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit për llogari të saj ose për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar, ose ndryshe të letrave me vlerë të transferueshme, si dhe dy banka të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit për llogari të saj, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar, ose ndryshe të letrave me vlerë të transferueshme. Aktualisht janë dy banka, të cilat kanë aplikuar për marrjen e miratimit paraprak të kësaj veprimtarie.
Ngërçi me kulturën financiare
Kultura financiare është një nga elementet që mund të ndikojë në dinamikën dhe zhvillimin e tregjeve të veçantë dhe ai i kapitaleve nuk bën përjashtim. Por, për Bankën e Shqipërisë, çështja e kulturës financiare nuk është një kulturë e gjendur rëndom edhe në botë. “Përthithja e kulturës financiare si e çdo lloj kulture tjetër është një proces i vazhdueshëm. Sa më e lartë të jetë nevoja për gjetjen e alternativave të investimit, aq më e shpejtë është edhe përthithja e kulturës financiare.
Sigurisht që njohja e detajuar e instrumenteve financiare nuk është një kulturë që gjendet rëndom në nivel individi edhe në botë. Por ka institucione financiare të tilla si shoqëri komisionere, fonde menaxhimi, fonde pensioni që bëjnë shërbimin midis investitorit fundor dhe emetuesit të instrumenteve financiare, të cilat kanë nevojë për një njohuri më të thellë sesa një depozitim i thjeshtë në bankën tregtare.
Në qoftë se u referohemi të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, shohim një numër të shtuar të shoqërive komisioneve, apo të shoqëri/individë që shërbejnë në këshillimin e individëve. Operimi me sukses i këtyre shoqërive do të krijojë bazat për rritjen e besimit të publikut, dhe për rrjedhojë do të zhvillohet edhe kultura financiare e tyre, si dhe vetë tregu” vlerëson BSH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.