Duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2015, bankat duhet të paraqesin çdo vit pranë bankës së Shqipërisë planet e tyre të rimëkëmbjes…
Banka e Shqipërisë ka publikuar në fletoren e fundit zyrtare udhëzimin “Mbi Planet e Rimëkëmbjes”, e cila ka si object përcaktimin e parimeve themelore dhe kërkesave mbikëqyrëse mbi strukturën dhe përmbajtjen e Planeve të Rimëkëmbjes së bankave.
Sipas udhëzimit, Plani i Rimëkëmbjes është një dokument që paraqet masat e mundshme të rimëkëmbjes që mund të ndërmarrin vetë bankat për të rikthyer në normalitet gjendjen e tyre financiare dhe siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë në përgjigje të skenarëve që mund të cënojnë këtë vazhdimësi. Banka i koncepton këto masa si zgjidhje me natyrë të jashtëzakonshme, të cilat nuk ndërmerren përgjatë veprimtarisë normale të biznesit. Planet e Rimëkëmbjes synojnë të reduktojnë probabilitetin e dështimit të bankave sistemike.
Bankat, në përgatitjen e Planeve marrin në konsideratë supozimin bazë, se në këtë proces nuk do të ofrohet mbështetje me fonde publike (fondet e taksapaguesve), duke synuar duke synuar minimizimin e nevojës për ndërhyrjen e institucioneve shtetërore.
Bankat, identifikojnë në këto Plane një numër të mjaftueshëm masash rimëkëmbjeje të mundshme për t’u zbatuar, me qëllim përballimin si të goditjeve specifike për to, ashtu edhe të goditjeve me natyrë sistemike. Këto masa duhet të mundësojnë korrektimin e situatave kritike të rënies së nivelit të kapitalizimit dhe gjendjes së likuiditetit, duke synuar rikthimin e bankave në një gjendje të qëndrueshme.
Sipas udhëzimit, bankat, në rastet kur nuk arrijnë të identifikojnë masa të besueshme rimëkëmbjeje, duhet të pasqyrojnë në Plane masat e tjera paraprake që do të ndërmarrin për të përmirësuar aftësinë e tyre për t’u rimëkëmbur. Më pas, Banka e Shqipërisë me detaje përcakton se [farë duhet të bëjë një bankë kur ndodhet në vështirësi, kur i duhet likuiditet nga banka qendrore, kur ajo mendon të dalë në shitje, si dhe një plan të detajuar se si kryeht komunikimi në këtë process.
Këto plane, bankat duhet t’I paraqesin pranë Bankës së Shqipërisë çdo vit, jo më vonë se fundi i tremujorit të parë të vitit. Udhëzimi përcakton që bankat duhet të paraqesin pranë Bankës së Shqipërisë Planet e para të hartuara në përputhje me kërkesat e këtij udhëzimi, jo më vonë se fundi i tremujorit të parë të vitit 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.