Banka e Shqipërisë publikoi këto ditë kuadrin operacional në të cilin janë bërë publike penalitetet që do të aplikohen ndaj bankave tregtare nuk mbajnë nivelin e kërkuar të rezervës së detyrueshme.
Rezerva e detyruar është një ndër instrumentet kryesorë të zbatimit të politikës monetare. Nëpërmjet tij, banka qendrore i detyron bankat tregtare të mbajnë të depozituar pranë saj një shumë parash në llogaritë e tyre. Kjo shumë përcaktohet si përqindje ndaj depozitave që grumbullojnë bankat. Ajo gjatë gjithë tranzicionit ka mbetur e pandryshuar, duke qëndruar në nivelin 10%.
Detyrimet nga mosplotësimi i minimumit të rezervës së detyruar vijnë nëse:
-Gjendja mesatare e llogarisë rezervë në lekë të bankës, gjatë periudhës së mbajtjes, është më e vogël se rezerva e detyruar për periudhën korresponduese.
-Në ditën e parë të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar në euro dhe/ose në dollarë amerikanë, gjendja e llogarisë rezervë të bankës sipas monedhave përkatëse është më e vogël se niveli i rezervës së detyruar.
-Në rast se, pas periudhës së mbajtjes së rezervës, verifikohet mospërputhja në vlerë monetare më shumë se 1,000 (një mijë) lekë (ose ekuivalenca e shumës në euro dhe në dollarë) e të dhënave të raportuara për rezervën e detyruar me të dhënat e bilancit kontabël të raportuar dhe/ose me të dhënat e marra nga inspektimet në vend të bankës.
Në rast se banka e nivelit të dytë nuk raporton brenda afatit të përcaktuar, atëherë niveli i rezervës së detyruar përcaktohet në masën 10 (dhjetë) për qind më i lartë se niveli i rezervës së detyruar të bankës në raportimin e fundit të saj, por jo më i lartë se 700 milionë lekë (ose ekuivalenca e kësaj shume në euro dhe në dollarë).
Në rast se niveli faktik por i paraportuar i rezervës së detyruar, i verifikuar nga Banka e Shqipërisë pas fillimit të periudhës së mbajtjes, rezulton më i lartë se niveli i përcaktuar më lart, atëherë bankës i vendoset detyrimi për raportim të gabuar.
Sanksionet e aplikuar aktualisht për mosplotësimin e rezervës së detyruar janë:
Për mosplotësim të rezervës së detyruar në lekë:
600 (gjashtëqind) pikë bazë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës së Shqipërisë në ditën e fundit të periudhës bazë, por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të Bankës së Shqipërisë.
Për mosplotësim të rezervës së detyruar në dollarë:
200 (dyqind) pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Federale të SHBA në ditën e fundit të periudhës bazë por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
Për mosplotësim të rezervës së detyruar në euro:
200 (dyqind) pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Qendrore Evropiane, në ditën e fundit të periudhës bazë por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
Krahas vendosjes së gjobave me karakter financiar, çdo veprim i bankave në kundërvajtje me rregulloren e rezervës së detyruar, përbën shkelje të dispozitave të ligjit për bankat e nivelit të dytë dhe është subjekt i sanksioneve të tjera të parashikuara në këtë ligj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.