Vetëm me tre produkte bujqësore aktualisht Kosova arrin të plotësojë nevojat gjatë sezonit prej rreth 80%.
Ndërkaq, produktet tjera bujqësore që prodhohen në vend edhe më tutje janë larg përmbushjes së kërkesave, ku vendi ynë ato i importon kryesisht nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Turqia, Italia etj.
Patatja, speci dhe domatja, aktualisht llogariten të jenë tre top produktet që Kosova mund të krenohet, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm. Këtë e pohojnë ekspert të sektorit të bujqësisë, prodhues të vendit, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, thonë se Kosova mund të plotësojë rreth 80% të nevojave të brendshme konsumuese.
“Produktet bujqësore, të cilat kanë potencial më të madh eksportues në tregjet e huaja janë kultura bujqësore e patates, perimet sezonale, si specat, domatet dhe lakrat e freskëta, varietetet e rrushit për verë, qepa disa prej pemëve të imëta, si dredhëza, manaferra.
Këto prodhime bujqësore konsiderohen për kultivimin e të cilave vendi ynë ofron kushte më të mira klimatike dhe tokësore, që në sezone të caktuara Kosova nuk ka nevojë t’i importojë ato, pasi që ka edhe hiper-prodhimin e këtyre kulturave për pikun sezonal”, ka thënë Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrisë e Bujqësisë.
Sipas tij, deri më tash nga përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë, kanë përfituar gjithsej 79,019 fermerë. Sipas tij, deri më tash në emër të subvencioneve janë ndarë 34 milionë euro, ndërkaq, grande investime janë ndarë gjithsej 43 milionë euro, ku janë subvencionuar gjithsej 188,524 hektarë tokë të punueshme gjatë periudhës 2008-2013.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.