EIMA International 2018 në Bolonja bëri bashkë 1950 kompani që operojnë në sektorin e makinerive bujqësore dhe kopshtarisë, duke pasur si kryefjalë të saj “bujqësinë dixhitale”. E ndërsa në bregun tjetër të Adriatikut, inovacioni dhe teknologjia po ndikojnë gjithmonë e më shumë mënyrën sesi zhvillohet sektori, Shqipëria mbetet ende peng i parcelizimit të lartë dhe një teknologjie modeste.
Bizneset shqiptare të pranishëm në takimet B2B, falë zyrës së Agjencisë Italiane të Tregtisë në Tiranë, shprehen se IPARD është mundësia e duhur për të ndryshuar realitetin e bujqësisë në vend por, që kjo të ndodhë, ka nevojë për ndryshime thelbësore
Nga Nertila Maho
Në disa fshatra të thellë, ende mund të shohësh teksa toka punohet me parmendë që tërhiqet nga kafshët. Një realitet ky që nuk është tipik vetëm për Shqipërinë, mund ta shohësh të reflektuar edhe në vende të tjera në zhvillim, ku bujqësia mbetet në fazë embrionike apo si një aktivitet mbijetese, në mungesë të alternativave të tjera në fshat. Përballë kësaj tabloje, matanë Adriatikut, në një event kushtuar bujqësisë, kryesisht makineri bujqësore, mund të shohësh sesi teknologjia dhe inovacioni aplikohen në mënyrë të përsosur në këtë sektor. Sigurisht, bujqësia në vende si Italia, Holanda apo më gjerë në vendet e Amerikës Latine, ka një tjetër dimension.
Nuk flitet për mbijetesë apo raste sporadike suksesi, por për një model të suksesshëm sektori që qëndron fort si kolonë e rëndësishme e ekonomisë me eksporte të konsoliduara. Mjaftojnë pak minuta në EIMA International 2018 për të kuptuar se këtu ka shumë pak gjëra me të cilat mund të krahasosh vendin tënd në aspektin e zhvillimit sektorial.
Është panairi më i madh ndërkombëtar për makineritë në bujqësi dhe kopshtari. Nëse nuk afrohesh pranë stendave të kompanive më të mëdha europiane apo botërore, shumë mirë ato që sheh mund të të japin idenë e “Transformers”, një nga sagat hollivudiane ku makineritë shndërrohen në robotë. Por kur merr informacionin e plotë kupton se thjesht teknologjia e aplikuar nga vendet e zhvilluara në sektorin e tyre bujqësor është në funksion të rritjes së eficencës, prodhimit dhe fuqizimit të fermerit, duke e kthyer sektorin në lider.
Këtë vit, kryefjalë e Panairit EIMA 2018 ishte “Bujqësia dixhitale”. Simona Rapastella, Drejtore e Përgjithshme e FederUnacoma s.u.r.l, që është edhe organizatore e panairit, u shpreh se “Teknologjia dixhitale ishte protagoniste kyçe këtij eventi jo vetëm përmes lançimit të hapësirës tematike të EIMA Dixhital që i kushtohej sistemeve të saktësisë kompjuterike dhe elektronike, software-ve për makineritë bujqësore, njësive të kontrollit dhe droneve bujqësorë, por edhe përmes iniciativave kulturore, konferencave gjithëpërfshirës apo mësimeve të nxjerra nga përvoja”.
Nga data 7-11 nëntor, edicioni i 43 i EIMA International tërhoqi në mjediset e tij në Bolonja 317 mijë vizitorë, me një rritje 11% në raport me eventin e shkuar të mbajtur në vitin 2016. Numri i operatorëve të huaj u rrit me të paktën 50 mijë apo 15% më shumë se në vitin 2016, ndërkohë që morën pjesë si ekspozitorë 1950 industrialistë, që zunë një sipërfaqe prej 375 mijë m².
Për Alesandro Malavolti, president i FederUnacoma, panairi i Bolonjës ishte një sukses që përtej industrisë së mekanikës bujqësore ka befasuar me nivelin teknologjik. “Këto makineri janë të fuqishme dhe në të njëjtën kohë të rafinuara si dhe miqësore me mjedisin dhe sigurinë, çka duket se ka shërbyer edhe si një magnet sidomos për pjesëmarrjen e të rinjve në këtë edicion”, tha ai.
Pavarësisht nivelit të zhvillimit që ka bujqësia nga njëri vend në tjetrin disa tendenca mbeten të njëjta. Së fundmi, në Shqipëri është folur disa herë për të rinj që po kthejnë sytë nga bujqësia e madje ka të parashikuar brenda skemave të mbështetjes masa që synojnë pikërisht afrimin e këtij kontingjenti drejt sektorit.
Duket se ky orientim i rinisë në bujqësi nuk është një fenomen shqiptar, është një tendencë globale ku më shumë e ku më pak në secilin vend. Një nga çështjet ku u vu veçanërisht theksi në hapjen e EIMA 2018 ishte pikërisht si po orientohet rinia drejt bujqësisë.
“Tendenca e sipërmarrësve të rinj në bujqësi apo atyre që po orientojnë studimet drejt këtij sektori për t’u përfshirë si profesionistë në industrinë e makineri bujqësore, në shitje apo rrjete të asistencës, po rritet çdo ditë, ashtu sikurse interesi për shkolla profesionale të këtij grupi dhe studentë me interes për trajnime specifike”, u shpreh Rapastella në prezantimin e saj mbi tendencat që do të shërbenin si boshte diskutimi. E ndërsa për këtë pjesë, edhe Shqipëria ka një lloj tendence të tillë, ajo ku mbetemi ende larg është tendenca e dytë.
Këtë herë theksi u vu te siguria në punë në sektorin bujqësor duke nënvizuar se është e rëndësishme që të promovohet gjithmonë e më shumë rritja e vëmendjes në mënyrë që fermerët, kontraktohet dhe përdoruesit e pajisjeve bujqësore të kenë përfitim të lartë dhe risk të ulët në aktivitetin e tyre të përditshëm.
“Siguria në bujqësi, dashuria për jetën” është tashmë një fushatë që do të vijojë dhe që nisjen e pati në panair. Fushata synon marrjen e disa masave në funksion të sigurisë si: përdorimi më i mirë i fondeve publike për të blerë makineri të gjeneratës së fundit, zbatimi i një ligji që detyron nxjerrjen nga qarkullimi të makinerive shumë të vjetra, monitorimi i tregut për të parandaluar marketimin e mekanikës që prodhohet në vende që nuk përmbushin standardet e sigurisë së Bashkimit Europian, trajnime teknike për operatorët dhe rrënjosjen e një kulture për sigurinë.
Prezantohet traktori i parë hibrid me naftë dhe energji
E ardhmja në sektorin e bujqësisë synohet që të orientohet drejt makinerive që janë miqësore me mjedisin. Për herë të parë në EIMA 2018 u prezantua traktori i parë hibrid që përdor energjinë dhe karburantin, duke pasur ndikim sa më të ulët në mjedis dhe që përdor më pak karburant se traktorët tradicionalë. Ky traktor, sipas ekspertëve, kërkon më pak mirëmbajtje dhe garanton produktivitet më të lartë krahasuar me traktorët e ngjashëm tradicionalë. Prodhimi i Carraro Agritalia bëri debutimin e parë ashtu sikurse edhe droni i Aermatica 3D, i cili ka një histori të gjatë diskutimi në shtetin fqinj dhe që në disa raste u konsiderua si një kapitull i mbyllur.
Ky dron konsiderohet si një mjet efikas për shpërndarjen e pesticideve në toka dhe të mbjella, duke eliminuar ekspozimin në kushte të vështira. Një tjetër risi në pajisjet e këtij viti ishte një spërkatës pneumatik, që ul dukshëm sasinë e pesticidit që shpërndahet në ambient, duke mos prekur targetin final. Ky spërkatës i zhvilluar nga kompania CIMA fitoi çmimin Blu, që u jepet risive teknologjike të dizajnuara për mbrojtjen e mjedisit. Në total në EIMA 2018 ishin 28 makineri të cilësuara si inovacione teknike dhe 45 makineri të përmendura si në zhvillim.
Jo të pakta janë rastet kur vendet që synojnë Bashkimin Europian ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë një etje për të përafruar legjislacionin me çdo direktivë të re. Rezultati është që kemi një legjislacion të avancuar, por që në shumë raste mbetet i pazbatueshëm në realitetin që haset në terren. Kjo deri diku është e kuptueshme po të kemi parasysh që edhe vetë vendet e Bashkimit Europian ankohen se ndryshimi i direktivave dhe normativave në afate të shkurtra u krijon atyre kosto të jashtëzakonshme.
Presidenti i FederUnacoma, Alessandro Malavolti, u shpreh se nga ana e BE-së duhet të ketë një racionalizim të mënyrës sesi bëhet ndryshimi i direktivave. “Normativat ndryshojnë çdo 2-3 vjet dhe kemi nga një të re. Kjo sigurisht na krijon kosto të shtuara në biznes dhe në teknologji. Mendojmë se shtrirja e ndryshimeve duhet të jetë pak më afatgjatë në logjikën e planeve të biznesit që kemi ne, duke mos na krijuar surpriza”, tha Malavolti.
Agjencia Italiane e Tregtisë ICE, përmes zyrës së saj në Tiranë, bëri pjesë të EIMA 2018 edhe Shqipërinë, duke përfshirë në grupin e të ftuarve disa prej bizneseve që operojnë në vend në sektorin e bujqësisë dhe kryesisht atë të mekanikës. Në dy ditët e para të panairit u zhvilluan një seri takimesh Bussines to Bussines mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja, pjesë e panairit ndërkombëtar.
Takimi vjen në një moment vendimtar, në kushtet kur Shqipëria pritet të çelë shumë shpejt thirrjen e parë për programin IPARD II me aplikime që do të pranohen nga data 30 nëntor deri më 30 janar. Bizneset shqiptare pjesëmarrëse në event nënvizojnë se pikërisht njohja me fazën ku ndodhet sot tregu global dhe me operatorët kryesorë prodhues bëjnë seleksionimin e teknologjive më të përshtatshme për tregun shqiptar, i cili sigurisht nuk mund të përballojë fjalën e fundit të teknologjisë në mekanikën bujqësore, por ama që ka nevojë për teknologji të avancuar dhe specifike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.