Ujitja, parcelizimi i fermës e siguria ushqimore janë pengesat që bujqësia shqiptare ende nuk i ka kapërcyer. Puna e kufizuar e bërë në këtë drejtim bën që specialistët e fushës, të përsërisin atë çfarë kanë sugjeruar edhe disa vite më parë, kur flitej se si duhet zhvilluar bujqësia shqiptare. Të mos ndryshojnë politikat e mbështetjes është një këshillë e shtuar nga përvoja
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë sektorin e bujqësisë, si dhe atë të arsimit apo shëndetësisë, kur flitet për politikat e zhvillimit. Një sektor që kërkon investim afatgjatë, linear e të qëndrueshëm për të siguruar rezultatet e duhura në ekonomi. E kundërta ndodh me politikat afatshkurtra, që për fat të keq po vërehet të ndryshojnë nga një qeverisje në tjetrën.
Në debatin e hapur prej vitesh mbi zhvillimin e sektorit të bujqësisë, vihet në dukje se ka ndryshuar shumë pak në sugjerimet e specialistëve të fushës, e kjo do të thotë se është bërë pak në këtë drejtim.
Problemet e mbetura “barrë” për fermerët ndër vite janë ujitja, parcelizimi i tokës, shkalla e ulët e mekanizmit, të cilat ose duhen korrigjuar njëherësh, ose mbeten si paketë e pashmangshme, pasi shkojnë zinxhir. Prof. Abdyl Sinani thotë që niveli i prodhimit shkon përkrah madhësisë së fermës dhe kjo e fundit është e lidhur automatikisht me nivelin e ujitjes dhe atë të mekanizimit të bujqësisë. “Dhurata”
e mbetur që nga ekonomia e centralizuar, po mban peng bujqësinë e cila gjithsesi, me shumë përpjekje, po bën hapa të rëndë në rrugën e saj të zhvillimit.
Duhet pranuar që prodhimi bujqësor është rritur në vend e kjo shihet si në tregun e hapur, edhe në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë. Frutat e perimet e prodhuara në vend kanë dalë nga sezoni i tyre i prodhimit duke u gjendur në tregun vendas edhe në stinën e dimrit, duke sjellë edhe një çmim shitje më të ulët se prodhimet e importit.
Sipas presidentit të Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, në këtë drejtim kanë ndihmuar si shtimi i magazinave të ruajtjes edhe moti i ngrohtë gjatë dimrit (fenomen i vënë re ky jo vetëm në vitin e fundit).
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi gjithëvjetor ka shënuar rritje mesatare vjetore prej rreth 5% në dhjetëvjeçarin e fundit.
Por, në gati një çerek shekulli ekonomi e lirë, bujqësia vazhdon të marrë shumë më pak se sa jep në buxhetin e shtetit. Ndërsa ka një kontribut prej rreth 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe përmes sigurimit të prodhimit për konsum vetjak, apo të ardhurave nga shitjet, zë me punë gjysmën e popullsisë në vend, bujqësia ka një zë të ulët në investimet e buxhetit të shtetit. Fondet publike për këtë sektor kanë qenë ndër vite mes 2-3% të buxhetit.
E për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, ekspertët e bujqësisë bëjnë krahasimin pikërisht me këtë sektor. “Të marrësh shumë e të japësh pak në bujqësi, është njësoj si ta shfrytëzosh tokën për t’i marrë prodhimin e ta varfërosh atë duke mos e plehëruar e pasuruar me minerale”, thotë Fetah Sula, specialist i bujqësisë.
Partitë shkojnë e vijnë, bujqësia mbetet
Jo më kot përmendëm më sipër që bujqësia ka nevojë për një investim e politikë të qëndrueshme. Specialistë të kësaj fushe shprehen për “Monitor” se investimet në bujqësi nuk kanë qenë koherente e me një vizion afatgjatë, çka ka bërë që ritmet e rritjes të jenë më të kufizuara se potenciali i këtij sektori.
Sipas Ismail Bekës, “subvencioni në bujqësi është një masë që ka dhënë efekte pozitive e ka ndihmuar në rritjen e prodhimeve si fruta e perime, madje edhe në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me një kulturë”. Por, politika bujqësore e ndjekur për tetë vite, nuk është saktësisht ajo që po ndiqet tani. Ka ndryshuar modeli i subvencionit. Nëse deri dje subvencionohej kultivimi (sipërfaqe të reja të mbjella), sot në skemën e re të mbështetjeve direkte kemi prodhimin dhe shitjen. Skema e subvencioneve miratuar këtë vit parashikon financimin e fermerëve në kohën e shitjes së prodhimit. Specialistët nuk e quajnë një formë të gabuar, por sipas tyre, vetë ndryshimi i modeleve mbështetëse frenon zhvillimin e sektorit. Më e theksuar sipas tyre, është kjo në kultura të caktuara. Nëse deri dje, më shumë se gjysma e subvencioneve shkonte për ullishtat, sot ato pothuajse janë braktisur, dhe kjo sipas specialistëve, hedh poshtë edhe investimet e bëra deri më tani, pasi në strategjinë e zhvillimit të ullishtave parashikoheshin 20 mijë hektarë të mbjellë që do të siguronin prodhimin e mjaftueshëm për industrinë e përpunimit që është ngritur tashmë.
Para të shkuara dëm rrezikojnë të jenë ato për arrorët, shegën e kultura të tjera, të cilat qeveria e kaluar u dha prioritet. Tashmë të “braktisura” nga Ministria aktuale e Bujqësisë, prodhimi i këtyre kulturave pritet të ndihmohet pak nga mbështetja e kufizuar në jo më shumë se dy vite. E hequr apo e shtuar, ekspertët na kujtojnë se të paktën subvencionet mbetën në tërësi, madje vlera e tyre ka ardhur duke u shtuar ndër vite, ndaj injektimi i financimeve në mënyrë direkte lë gjurmë pozitive në prodhim.
Ajo që mbetet plagë e bujqësisë dhe nuk po arrin të korrigjohet pavarësisht investimeve të mëdha është ujitja.
Përmes huave të dhëna nga Banka Botërore, qeveria ka investuar miliona dollarë në sistemin e ujitjes dhe kanalizimeve, por sipërfaqja që arrin të ujitet, mbetet e vogël. Ministria e Bujqësisë raporton se as një e katërta e kësaj sipërfaqeje nuk arrin të sigurojë një ujitje të qëndrueshme. Vetë drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë e kanë pranuar që skema e investimit përmes ngritjes së shoqatave të ujitjes ka
dështuar, dhe plani i ardhshëm duket se nuk lë shteg për këshillat e ekspertëve. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, administrimi i këtij rrjeti do t’u kalojë komunave, dhe kjo mbetet një provë me shumë pikëpyetje për ecurinë e saj.
Ato që janë probleme, sipas ekspertëve janë edhe pikat ku duhet ndërhyrë. Dhe ashtu si ujitja, është edhe sipërfaqja e tokës. Pavarësisht se është mbështetur për disa vite, rritja e sipërfaqeve të mbjella me një kulturë, nuk është bërë një fakt i dukshëm në rendiment. Sipas specialistëve, një tentativë më e qëndrueshme në ekonominë bujqësore ka qenë krijimi i kooperativave me nismën e vetë fermerëve e lindur si një nevojë për të investuar. Gjithsesi, gjurmët në përmirësimin e strukturës tonë janë të vogla. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqja e parcelave për fermë është rritur në dhjetë vite vetëm 0.3 hektarë, nga 0.9 hektarë në 1,2 hektarë.
Ndaj, në këtë drejtim, këshilli i agrobiznesit sugjeron të punohet më shumë. Si?! Përmes mbështetjeve direkte. Por zhvillimin më të madh do ta jepte çlirimi i tregut të tokës bujqësore përmes dhënies së titujve të pronësisë, premtim i dhënë ky nga Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Rritja e sipërfaqes së tokës do të sillte edhe rritjen e shkallës së mekanizmit (për shkak të mundësive më të mëdha për të blerë makineri) e rrjedhimisht, edhe rendimentin e bujqësisë.
Ku duhet të mbështetet bujqësia
Një skemë efektive ujitje
Rritja e sipërfaqes së parcelës për fermë
Rritja e shkallës së mekanizmit
Dhe politika mbështetje të qëndrueshme ndër vite
Sugjerimet: KASH, Shoqata e Eksportuesve, ekspertë bujqësorë
Siguria ushqimore, një sfidë e filluar së fundi
Krahas politikave të zhvillimit të sektorit që duan kohë e durim, bujqësia e agroindustria ka një nevojë që ka mbetur aktuale ndër vite: sigurinë ushqimore. Nëse rritja e prodhimit i intereson një familjeje fermere, apo edhe vetë qeverisë, për të siguruar më shumë të ardhura, sa i sigurt është ky prodhim, është një interes i gjithë konsumatorëve.
Specialistë bujqësorë e veterinarë, vlerësojnë se jemi të vonuar në punën për të ofruar siguri, ndërsa mbështesin punën e nisur së fundi nga ministri i Bujqësisë.
Ndjeshmëria ndaj asaj çfarë konsumojnë është rritur te blerësit vendas, e kjo ka nxitur nismën e ndërmarrë së fundi nga ministri Panariti, i cili është detyruar të veshë bluzën e të japë rezultatet e para të analizave, duke filluar nga përmbajtja e dyshuar hormonale në perime, te përmbajtja e niseshtesë në nënproduktet e qumështit dhe në intervistat e zhvilluara së fundi në media, ka deklaruar se do të vazhdojë edhe me analizat në produktet shtazore si mishi.
Efekti pozitiv i kësaj ndërhyrjeje është i dyanshëm sipas specialistëve fito-sanitarë. Së pari, ndërhyrja e ministrit siguron konsumatorët, e nga ana tjetër ushtron një presion tek prodhuesit për t’u larguar nga abuzimet e mundshme. Gjatë demonstrimit të analizave të thjeshta të djathit javës së kaluar, ministri bëri të ditur se në rastin e verifikimit të një prodhimi jo të shëndetshëm, do të verifikohet kompania prodhuese e cila do të penalizohet e t’i mbyllet aktiviteti. Ndjeshmëria e konsumatorëve u rrit së fundi, me lajmet se perimet në Lushnjë po rriteshin me shpejtësi përmes hormoneve, fakt i hedhur poshtë deri më tani nga Ministria dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore e Veterinare.
Specialistët vlerësojnë se prodhimi i sigurt duhet të jetë edhe prioritet i fermerëve që duan të eksportojnë. Pasi çdo abuzim me prodhimin dëmton shëndetin e blerësve, por edhe të ardhurat e tyre. Sipas drejtuesve të Institutit të Sigurisë Ushqimore, prodhimet analizohen e kontrollohen edhe nga strukturat europiane të sigurisë, për shkak se ne, ndonëse pak, eksportojmë, prodhime agroushqimore në tregun europian
……………….
Importet që nuk mund t’i zëvendësojmë
Sipas ekspertëve të tregtisë, për të përmirësuar deficitin tregtar, duhet të rrisim përpunimin e produkteve vendase
Fati i disa industrive duket i përcaktuar tashmë e pak shanse ka për të ndryshuar. Profesori i marketingut, Ilia Kristo, na kujton se “orientimi strategjik i Shqipërisë është i përcaktuar dhe vetë karakteristikat tregojnë që një pjesë të lëndëve të para për agropërpunim do të duhet të importohen”. Mish për sallameritë, cigare të gatshme, sheqer e grurë, janë të gjitha produkte, që duket se na leverdis t’i importojmë. Shpjegimi gjendet te fakti se vende të tjera kanë fituar avantazh konkurrues krahasuar me Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë se duhet të rrimë duarkryq në këtë drejtim por, koha e kushtet e ekonomisë duken të papërshtatshme për të ndërmarrë nisma të tilla. Atë që ekspertët e kanë cilësuar si të vështirë për t’u realizuar në vitet me rritjen më të madhe të ekonomisë sonë, sot e shohin të pamundur dhe një nismë të humbur që në fillim.
Prodhimi i cigareve në vend do të donte një investim të madh, e sasia e duhanit që prodhohet në vend nuk do të mund të furnizonte siç duhet e me kosto të leverdishme këtë lloj industri. Po kaq e vështirë është të mendohet prodhimi i grurit në vend. Për sasitë e mëdha të ujit që kërkon, orizi nuk ngjall as interesin e fermerëve.
Ku është “fati” që do të pengojë ndonjë përmirësim të ndjeshëm të deficitit tregtar agroushqimor. Vitin e kaluar raporti import-eksporte ishte 1:7. Krahasuar me një vit më parë është përmirësuar lehtësisht, me vetëm 1.6 miliardë lekë, pra deficiti tregtar është përmirësuar vetëm 2%, kur vlera e deficitit vazhdon të mbetet disa herë më e lartë se ajo e eksportit.
Ndërsa e kemi të vështirë të “korrigjojmë” përmbajtjen e shportës së importit agroushqimor, shanset e përmirësimit të këtij deficiti janë më të mëdha në strukturën e ekspertëve. Sipas ekspertit të bujqësisë Ismail Beka, deficiti i lartë tregtar mund të ulet përmes rritjes së përpunimit të mallrave të destinuara për eksport. Sipas tij, tregtia bujqësore vazhdon të vuajë nga vlera e ulët e shtuar. Ndërsa në sasi, prodhimet bujqësore (ato të fushës e të serave) zënë volumin më të madh në eksportet agroushqimore, e kundërta ndodh me peshën e tyre në vlerë. Sipas z. Beka, “duhet synuar të rriten proceset e përpunimit në vend, për të eksportuar produkte sa më të përpunuara”.
2013, eksporti agroushqimor rritet më shpejt
Sipas të dhënave të tregtisë, gjatë vitit të kaluar, vlera e eksporteve agroushqimore u rrit mbi 14%, duke arritur në 14.64 miliardë lekë. Ndërkohë, importet u rritën më pak se 1%, me vlerë mbi 93.34 miliardë lekë. Ato grupe që kanë peshë më të vogël në tregti, kanë edhe ritmet më të larta të rritjes, pavarësisht se arrijnë të mbeten me peshë të ulët. Eksportet e prodhimeve bujqësore, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, u rritën me 17% krahasuar me një vit më parë.
Edhe në strukturën e tregtisë së jashtme të vendit, eksportet agroushqimore kanë një peshë më të ulët se importet. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, agroindustria kontribuon vetëm me 6% në eksportet jashtë, ndërsa importet zënë 19% të totalit të importeve tona. Për më tepër, krahasuar me një vit më parë, pesha e këtij importi është rritur me një pikë përqindje, duke ia kaluar edhe vlerës e peshës së importit të makinerive e pajisjeve. Ekspertët e tregtisë vlerësojnë me shqetësim faktin që në një kohë që shumë importe shënuan rënie (për shkak të uljes së fuqisë blerëse në vend), ato agroushqimore u rritën. Kjo sipas tyre nuk do të thotë rritje e kërkesës për konsum, por ulje e prodhimit vendas, që po zëvendësohet pikërisht nga importi.
Fenomeni:
Ndërsa importet në tërësi ranë në vitin 2013, ato agroushiqmore u rritën duke treguar dobësitë e prodhimit vendas.
A. MUÇAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.