Bujqësia shqiptare ende nuk po arrin të krijojë ekonomitë e shkallës, të jetë konkurruese në rajon dhe as të jetë vetë plotësuese e nevojave të tregut të brendshëm. Arsyet janë po ato, të hershme, madhore, komplekse, kokëforta dhe varen nga disa politika që shkojnë përtej bujqësisë si sektorë.
Natyrshëm që çdo qeveri do të duhet të përpiqet që, brenda rrethanave të periudhës që ka përgjegjësinë e qeverisjes, të gjejë rrugë dhe instrumente për të mbështetur prodhimin vendas, përfshi atë bujqësor, madje në kontekstin e Shqipërisë, “në radhë të parë atë bujqësor”.
Në fakt, në Shqipëri, me bujqësi merret sot (ose më saktë, do të mund të merrej) mbi 40% e popullatës dhe nga ringritja e saj, përfitimi është shumëpalësh dhe shumëfish, si në aspektin e rritjes ekonomike, ashtu edhe atë të punësimit. Po kontributi që bujqësia jep në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar është i vogël, rreth 10% dhe rreth 7% e këtij produkti bujqësor eksportohet.
Bujqësia është një çelës që hap shumë porta.
Zhvillimi i saj i krijon ekonomisë një burim të rritjes, duke e rimodeluar me një strukturë më të qëndrueshme. Është ky sektor që mund të asistojë edhe turizmin, agroindustrinë etj. Por, politika nuk është ngritur në nivelin e nevojës. Në mesin e javës së kaluar, pati replikë në distancë të provokuar mes kryeministrit dhe ish-ministrit të Bujqësisë në mandatin e kaluar të qeverisë“Rama”.
Deklaratat ia vlenin të ndiqeshin,për shkak të nivelit të lartë të përfaqësimit formal dhe informacionit që zotërojnë të dy personazhet. Por megjithëse referencat i secilit prej replikuesve orientoheshin drejt problemeve, ato nuk puqeshin, por u përdorën si shigjeta politike dhe debati mbeti si një relike online që nuk shërben për asgjë, sepse nuk nxit veprime konkrete, por vetëm “Like” simpatizantësh.
Kryeministri u bëri thirrje fermerëve të orientohen drejt avantazhit konkurrues edhe në tregun e brendshëm, në mënyrë që produktet e tyre të mos mbeten stok. Jo të gjithë duhet të mbjellin të njëjtin produkt, ishte mesazhi. Zoti Rama tha se “patatja e Korçës nuk konkurron dot as me të Kukësit dhe as me pataten e Divjakës, se e para ka cilësinë më të mirë dhe se e dyta del më shpejt në treg”. Argumenti qëndron. Ndërsa ish-ministri Edmond Panariti vlerëson se konkurrenca e produktit vendas vjen nga importi. Sipas tij, “bujqësia shqiptare nuk mund të eksportojnë pataten, pasi shërbimi i certifikimit bimor është gati inekzistent”.
Të dyja argumentet qëndrojnë dhe ia vlejnë të ballafaqohen për të arritur një përfundim sa më të mirë. Por kjo nuk ndodhi. Të dy personazhet kanë qenë bashkë në qeveri dhe të dy nuk kanë mundur të bëjnë funksionimin e një tregu eficient e vetërregullues për bujqësinë, ndaj edhe këtë radhë që janë veçmas nuk u mbeti veçse t’i gjuajnë me patate politike njëria-tjetrëit, ndërkohë që bujqësia ka mbetur e prapambetur si një patate e nxehtë në duart e çdo qeverie të radhës.
Fatkeqësisht, kjo nuk është aq nga mosdëshira, se sa nga mendësia me të cilën tentohet të “bëhet diçka” nga Qeveria.
Me sa rezulton nga këto vite të qeverisjes rilindëse, mendësiaështë “qeveria do të investojë dhe subvencionojë që bujqësia të rritet e modernizohet” dhe jo që“qeveria të ndërhyjë në një mënyrë të tillë që të vërë në funksion një treg eficient,i cili garanton rritje të prodhimit bujqësore investime në bujqësi”.
Kjo mendësi është provuar e dështuar në Shqipëri, madje edhe në skenarët kur Qeveria ishte faktori i vetëm ekonomik në vend. Nuk duhet të habitemi që çdo muaj shkurt të viteve në vijim të shikojmë përsëritjen e këtyre shkëmbimeve të patateve të nxehta në politikë dhe pamjet e fshatarëve të dëshpëruar me patate të kalbura në duar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.