Flet Luan Ahmetaj, Euromedalb
Kompanitë e huaja po shprehin interes gjithmonë e më të madh për të eksploruar tregun shqiptar, të paktën në lidhje me mekanikën bujqësore, një fushë pa ndonjë zhvillim domethënës. Për Luan Ahmetajn, President i Euromedalb, sot përzgjedhja e teknologjisë së përshtatshme sipas tipologjisë që kanë fermat shqiptare dhe bujqësia në tërësi, është sfida e vërtetë që kanë operatorët e tregut.
Ajo duhet të përshtatet me kushtet ekonomike të fermerëve, por edhe me objektivin që ka Shqipëria për të prodhuar në standarde dhe për të rritur eksportet. Sot, realiteti tregon mungesë të theksuar të makinerive në bujqësi.
Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballen bujqësia shqiptare përsa i përket mekanikës bujqësore?
Fermat tona janë me sipërfaqe të vogla dhe kemi mungesë të theksuar të makinerisë bujqësore. Natyrisht, tek ne mungojnë dhe kooperativat apo Shoqatat e Bashkëpunimit Bujqësor, çka mund të llogaritet si një mangësi për të marrë dhe për të shfrytëzuar teknologjinë e avancuar. Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë ato makineri që kanë fuqi më të vogël dhe që mund të përdoren edhe në bazë të fuqisë, por edhe në bazë të kostos që i përgjigjen fermerëve tanë. Mendoj që ishte një mundësi shumë e mirë që patëm këtë organizim para IPARD, që është një program, ku një vend të rëndësishëm e zë mekanika bujqësore dhe teknologjitë bujqësore.
Kjo do të na ndihmojë që aplikimet të përshtaten sa më mirë me teknologjinë në treg. Sigurisht, fermerët do të kenë mbështetjen tonë në përgatitjen e plan-bizneseve, duke u ofruar asistencë me ekspertët tanë për t’i orientuar drejt teknologjive më të avancuara dhe më efikase për fermat tipike shqiptare në gjithë rajonet e vendit. Shumë e rëndësishme është që të shihet aspekti teknologjik edhe te fusha e mbrojtjes së bimëve, krasitjes, atë të përpunimit agroushqimor, linjave të paketimit e me radhë. Të gjitha këto shkojnë për shtat me objektivin tonë të prodhimit të produkteve me standarde dhe eksporteve konkurruese. Duke pasur parasysh këtë objektiv, ne si kompani e re po shohim mundësinë e bashkëpunimit me kompani italiane dhe në fusha të tjera, jo vetëm në mekanikën bujqësore.
Çfarë duhet pasur parasysh sipas jush në kuadër të programit të IPARD, thirrja e parë e të cilit hapet së shpejti?
Po mendoj që, së pari, një nga kushtet e dobishme është që fermerët të mos jenë të vetëm, por të organizohen në grup kulturash apo shërbime të tjera në sektorin bujqësor. Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR, nga ana tjetër, duhet të përfshijnë sa më shumë ekspertë dhe specialistë të bujqësisë që njohin mirë teknologjinë dhe skemat e aplikimit për subvencionim në kuadër të IPARD.
Përgatitja e plan-bizneseve apo projekteve teknike duhet të bëhet me kujdes dhe ne të gjithë si aktorë tregu jemi të gatshëm t’ua ofrojmë këtë asistencë fermerëve që të përfitojnë realisht nga këto skema. Një mangësi tjetër që gjykoj se përbën problem është fakti që jo të gjithë janë të pajisur me certifikatë pronësie dhe që automatikisht i skualifikon nga programi.
Disa nga rajonet e vendit do të jenë të përjashtuar, sepse nuk kanë përfituar nga Ligji 7501, por kanë shkuar si trashëgimtarë. Do të jetë e vështirë të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm. Ministria dhe qeveria duhet të shohë këtë proces që t’ju jepet përparësi, në mënyrë që fermerët të mos mbeten jashtë këtyre skemave, por të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme dhe afatgjatë. Nevojat janë të mëdha dhe fondet janë disponibël. Por ajo që na lë pas është plotësimi i kërkesave që shpesh nuk plotësohen si efekt i vendimeve të ndryshme të ndërmarra herë pas here nga qeveritë për titujt e pronësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.