Zlatinka Zlateva u dorëzua shtatorin e kaluar dhe emigroi në Britani për të punuar si dado, edhe pse në Bullgari ajo kishte mbi 20 vjet në drejtimin e një autoshkolle.
“Arsyet që më bënë të marr këtë vendim ishin të shumta. Zemërimi shkoi deri aty sa një ditë, unë mbylla autoshkollën dhe pas dy ditësh u largova për në Londër. Këtu, me një pagë të një niveli mesatar, mund të përballoj lehtësisht një udhëtim në Paris, ndërsa në Bullgari, edhe pse drejtoja një biznes timin, në fund, kur bëja llogaritë, shikoja se nuk më mbetej asgjë”, thotë ajo.
Ndërkohë që emigrimi në Britani nga shumica e vendeve anëtare ish-komuniste të Bashkimit Europian u ngadalësua shumë vitin e kaluar, pas diskutimeve në lidhje me largimin apo jo të Britanisë nga Eurozona dhe më pas vendimit për referendumin që do të mbahet gjatë këtij qershori, e kundërta ndodhi me shumë shtetas bullgarë dhe rumunë që emigruan drejt këtij shteti, madje duke shënuar nivele rekord shifrash.
Si Zlateva ka edhe shumë të tjerë, të cilët zgjedhin të blejnë vetëm një biletë vajtjeje për në Britani, si një mënyrë për të shpëtuar nga frustrimi i pagave të ulëta dhe mungesa e shpresës dhe besimit se qeveritarët mund të ulin nivelin e korrupsionit në vend. Zgjedhjet parlamentare të së dielës nxorën sërish në dritë ekonominë e paqëndrueshme të Bullgarisë që nga koha e rënies së komunizmit në vitin 1989, veçanërisht standardet e ulëta të jetesës pas shumë vite reformash, të cilat patën ulje-ngritje.
Paga mesatare mujore, në 962 leva (425 paund), mbetet më e ulëta në të 28 vendet anëtare të BE-së dhe nuk mund të krahasohet me pagën minimale të Gjermanisë prej 1.440 eurosh (1,553 dollarë amerikanë).
Popullsia e vendit ballkanik ka rënë afërsisht me 20% që nga viti 1989 në 7.2 milionë. Në vitin 2015, rreth 30.000 bullgarë iu bashkuan komuniteteve të mëdha të emigrantëve jashtë vendit, si atyre në Gjermani, Spanjë, Britani dhe vendeve të tjera perëndimore.
Ndërsa shumica e partive politike, nga nacionalistët tek liberalët pro-tregut, lobuan me parulla populiste gjatë fushatës zgjedhore në lidhje me rritjen e lartë të pagave dhe pensioneve, munguan ata të cilët duhet të flisnin për reformat e vështira, por të nevojshme për të trajtuar ryshfetin dhe korrupsionin, tërheqjen e investimeve të huaja dhe për të ndërtuar dhe për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Emigrimi si një formë mosaprovimi
Edhe pse situata në Britani është e paqartë si pasojë e daljes së saj nga BE-ja, janë të shumtë shtetasit bullgarë që vazhdojnë të emigrojnë drejt këtij shteti, si një formë pakënaqësie ndaj situatës në vend. Kryeministrja Theresa May do të nisë procedurat e divorcit me BE-në javën e ardhshme. Sipas të dhënave statistikore britanike, rreth 74.000 bullgarë dhe rumunë kanë mbërritur në Britani deri në shtator të vitit të kaluar, periudhë brenda së cilës ata e dinin edhe lajmin e daljes nga BE-ja.
Teodora Yolcheva, 31 vjeç, e cila është e diplomuar në marrëdhënie me publikun, prej më shumë se një viti e mendonte largimin nga Bullgaria në Britani dhe sapo ju ofrua një mundësi punësimi në Britani, nuk e mendoi dy herë pranimin e saj në departamentin e marketingut në Canary Wharf.
Sipas Javor Aleksiev, një ekonomist në Institutin për Ekonominë e Tregut me bazë në Sofje, vërshimi i bullgarëve në Britani sa vjen e po rritet, sepse ata duan që të zhvendosen aty përpara daljes së Britanisë nga BE-ja, në mënyrë të tillë që edhe pasojat e një lëvizjeje të tillë të mos bien mbi ta. Bullgarët që kanë shkuar atje po përpiqen të tërheqin edhe familjarët, ndërsa ata që kanë mbetur po largohen në masë të madhe nga dita në ditë, për të shmangur kufizimet e mundshme post-Brexit që mund të vendosen mbi tregun e punës.
Por jo të gjitha lajmet në lidhje me Bullgarinë janë të këqija. Vitin e kaluar, ekonomia pati një rritje të shëndetshme me 3.4% dhe qeveria e qendrës së djathtë, GERB, shënoi një suficit buxhetor.
Bullgaria ka gjithashtu një nga nivelet më të ulëta të borxhit publik në BE sepse, edhe pse niveli i pagave është shumë i ulët, edhe kostoja e jetesës është e ulët, duke qenë se shikohet si një metodë e cila mund të tërheqë investitorë të huaj, apo turistë që të vizitojnë plazhet e saj, rezortet malore dhe atraksione të tjera.
Dimitar Ganev, një analist politik në qendrën kërkimore, Trend shprehet se njerëzit janë të lodhur nga sakrificat e shumta gjatë këtyre viteve, u shpreh ai.