Në tetë muajt e këtij viti, Bullgaria eksportoi rreth 18 miliardë euro mallra dhe produkte. Këto shifra u bënë publike nga zëvendësministri i Ekonomisë, Alexander Manolev, në një Forum Diskutues mbi “Sfidat dixhitale për kompanitë moderne”.
Forumi organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Rrjeti Kombëtar i Biznesit. Të pranishme në hapjen e këtij forumi ishin edhe Marija Gabriela, komisionere europiane për Ekonominë Dixhitale dhe Shoqërinë Dixhitale, Tsvetan Simeonov, kryetar i Bordit Drejtues të BCCI dhe Desislava Ivanova, kryetare e Bordit Drejtues të Shoqatës.
“Nuk ka mënyrë më të lehtë dhe më të aksesueshme për të mbështetur eksportet bullgare nga dixhitalizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për të rritur pjesën e tregtisë elektronike”, tha Alexander Manolev. Sipas tij, kjo nuk është tema kryesore e forumit, por prezantimi i teknologjive inovative dhe modernizimi i prodhimit, në asnjë rast nuk duhet të nënvlerësohet.
Kjo është arsyeja se përse Ministria e Ekonomisë po përpiqet në mënyrë aktive të bashkëpunojë me liderët e biznesit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Zëvendësministri i Ekonomisë tha se shumë shpejt ata do të nisin një program trajnimi me ebay, që do të ketë në qendër ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe startup-et e tjera në Bullgari.
Sipas statistikave të dhjetë viteve të fundit, janë investuar mbi 1 miliard euro përmes Programeve Operacionale “Konkurrueshmëria” dhe “Inovacioni dhe Konkurrueshmëria”, në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Një pjesë e madhe e këtyre fondeve u përdorën pikërisht në drejtim të zgjidhjeve inovative dhe teknologjike”, tha zëvendësministri Manolev. Ai theksoi se avantazhet e Bullgarisë, nga vlera e shtuar e këtij sektori, duke filluar nga komponentët te produktet softuerike, arrijnë në më shumë se 1.4 miliardë euro dhe u rritën me 22% në vitin 2016. Sipas Eurostat, numri i njerëzve që punojnë në këtë sektor po rritet dhe çdo vit më shumë se 4 mijë studentë diplomohen në këto degë të institucioneve të arsimit të lartë bullgar.