Komisioni Europian do të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar përputhjen e amendamenteve të legjislacionit tatimor të Greqisë me ligjin e BE-së, sipas një zëdhënësi të Komisionit të BE-së.
Brukseli do të veprojë nëse do ta konsiderojë të nevojshme “pasi të bëhet një vlerësim” ndaj ndryshimeve të Greqisë dhe ankesës së Bullgarisë, citohet të ketë thënë Annika Breidthardt, zëdhënëse e Komisionit Europian për Punësimin, Rritjen, Investimet. Breidthardt ka refuzuar të komentojë nëse do të sigurohet ndonjë kompensim mbi humbjet e mundshme për vendin nga Brukseli.
Vlerësimet e publikuara së fundmi treguan se taksa mbi transaksionet me origjinë nga burime në Bullgari, Qipro, Irlandë të aplikuara nga Athina mund të rezultojnë në humbje deri në 800 milionë euro për ekonominë e Bullgarisë.
Greqia miratoi tatimin 26%, në një kohë kur thesari po kërkon të rrisë të ardhurat, ndërsa vendi po përpiqet të kryejë pagesat për huadhënësit ndërkombëtarë. Të gjitha vendet e prekura gëzojnë norma të ulëta të taksave të korporatave, ku Bullgaria ka një taksë prej 10%, ndër më të ulëtat në Europë. Ministri bullgar i Financave, Vladislav Goranov, javën e kaluar i dërgoi një letër Komisionerit të BE-së për Çështjet Ekonomike dhe Financiare Pierr Moskoviçi.