Mbikëqyrësi global i antikorrupsionit, Transparency International, e renditi Bullgarinë ndër vendet që ka “pak ose aspak zhvillim” në drejtim të parandalimit të kompanive të ndryshme që të marrin ryshfete.
Sipas raportit të Transparency International, Bullgaria renditet mes 22 vendeve që kanë shumë pak ose aspak përparim në drejtim të parandalimit të kompanive ndërkombëtare nga marrja e ryshfeteve nga nëpunësit e tyre civilë.
Në raport thuhet se Bullgaria është në fund të kësaj renditjeje për sa i përket hetimit të personave të përfshirë në çështje të tilla dhe ndalimit të tyre, në krahasim me vende si Koreja e Jugut, Turqia, Japonia, Rusia dhe disa shtete të BE-së. Në këtë renditje janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Italia, Zvicra dhe Izraeli.
Raporti përfshin shtetet që janë nënshkruese të Konventës për Antikorrupsion të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të vitit 1997, e cila u miratua kryesisht për të parandaluar çështjet e ndryshme në drejtim të korrupsionit. Qeveritë kanë premtuar të zbatojnë ligjet kundër zyrtarëve të huaj për marrjen e ryshfeteve.
Megjithatë, shumë prej këtyre shteteve nuk kanë filluar ende të hetojnë disa prej çështjeve më të mëdha të korrupsionit, të cilat përfshijnë ndërmarrjet shtetërore dhe politikanët e rangjeve të larta, tha kryetarja e Transparency International, Delia Ferreira Rubio në një njoftim për shtyp. Përveç 36 anëtarëve të OBZHE-së, tetë shtete të tjera, përfshirë Bullgarinë, janë pjesë e traktatit.
Vendet vlerësohen në bazë të performancës së zbatimit të reformave në faza të ndryshme, si për shembull, numri i hetimeve të filluara, akuzat e paraqitura dhe rastet e përfunduara me dhënien e sanksioneve të caktuara.
“Ne vlerësojmë strukturën gjyqësore, bashkëpunimin e saj në rastet e vështira në nivel institucional ndërkombëtar dhe ofrimin e mbështetjes ndaj individëve në momentin që paraqesin një ankesë të caktuar”, tha për BIRN, Ecaterina Camenscic nga Transparency International-Bullgaria.
Ajo tha se pavarësisht strukturës së mirë gjyqësore të Bullgarisë, qëndrimi i duhur ndaj çështjeve të ndryshme ende nuk është testuar.
Ne jemi një vend i vogël me eksporte të kufizuara dhe është e vërtetë se nuk ka pasur raste që të kenë përfshirë Bullgarinë, megjithatë në raport nënvizohen disa nga mangësitë kryesore të gjyqësorit bullgar në trajtimin e rasteve ndërkombëtare. Mangësitë në praktikë janë për shkak të mungesës së aftësive, ngarkesës së madhe të punës (të institucioneve përkatëse) dhe aftësisë së pamjaftueshme gjuhësore, shkruhej më tej në raport.
Sipas raportit, ka disa pjesë të caktuara të strukturës ligjore të Bullgarisë që mund të përmirësohen si dispozitat në Kodin Penal, për të dënuar kompanitë përgjegjëse për marrjen e ryshfeteve edhe nga filialet e tyre. Znj. Camenscic tha se institucionet kryesore gjyqësore në vend, nuk kanë një sistem informacioni të organizuar në mënyrë sistematike. / Martin Dimitrov