Ekonomia bullgare do të rritet me 4.4% këtë vit, normë kjo që është njëkohësisht edhe rritja e dytë më e shpejtë në Europën Qendrore dhe Lindore pas Hungarisë. Ndërsa vitin e ardhshëm, sipas ekonomistëve të UniCredit Bulbank, Bullgaria parashikohet të ketë një norme rritjeje prej 4.2 për qind, shifra këto që sipas tyre tregojnë se ky vend ka një performancë të mirë edhe pse me mungesë të fuqisë punëtore.
Në të njëjtën kohë, edhe qeveria bëri publike parashikimet e saj për rritjen ekonomike, parashikime këto që ishin më të ulëta. Sipas saj, rritja e pritshme e PBB-së gjatë këtij viti do të jetë 3.9%, vitin tjetër, 3.8%, dhe në dy vitet e ardhshme do të ketë një ngadalësim në 3.7%. Nëse do ta krahasojmë me vitin 2017, PBB-ja u rrit me 3.6%.
Sipas ekonomistëve dhe analistëve të Unicredit Bulbank, shumica e vendeve të EQL kanë arritur kulmin e rritjes ekonomike dhe po vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele.
Megjithatë, për Bullgarinë, parashikimet mbetën të qëndrueshme, pasi një tregues i kësaj ishte rritja e kursimeve për qytetarët dhe bizneset.
Kreditë familjare pritet të rriten deri në 10% në dy vitet e ardhshme. Ata do të jenë nxitësi kryesor për konsum më të madh dhe rritje më të lartë ekonomike. Sipas parashikimit trevjeçar të buxhetit, paga minimale do të rritet në 650 leva deri në vitin 2021. Së bashku me rritjen e të ardhurave, edhe inflacioni rritet, i cili pritet të kalojë 2% gjatë 3 viteve të ardhshme.