Ministri i Ekonomisë së Bullgarisë, Emil Karanikol, i dorëzoi një kompanie të huaj një certifikatë investimi të klasit të parë, sipas Aktit për Promovimin e Investimeve, e cila do të investojë 10 milionë leva bullgare (rreth 5 mln euro) në ndërtimin e një fabrike të inxhinierisë mekanike afër Plovdivit, raporton radioja kombëtare “Darik”.
Pritet që nga ndërtimi i kësaj fabrike të re të punësohen rreth 100 punonjës. Projekti i investimeve parashikon ndërtimin dhe pajisjen e një ndërtese për prodhimin e makinave me kontroll të programuar dixhital, pajisje makinerish, në Zonën Ekonomike të Trakisë, Kuklen, Komuna Kuklen.
Kompania planifikon ta përfundojë ndërtimin në mars 2019, ndërsa prodhimi planifikohet të nisë në prill. Prodhimi ka për qëllim tregun bullgar, si dhe eksportin në Gjermani, Turqi, Lindjen e Mesme, Amerikën e Jugut dhe atë të Veriut. Kompania investitore ka zgjedhur Bullgarinë, për shkak të stabilitetit ekonomik të saj dhe vendndodhjes më se të përshtatshme nga pikëpamja logjistike.
Për zbatimin e projektit, investitori ka kërkuar përdorimin e masave nxitëse nën IUI, si afatet e shkurtuara për shërbimin administrativ, si dhe shërbimet individuale administrative, të nevojshme për zbatimin e projektit të investimit. Projekti i kompanisë është një nga shtatëmbëdhjetë projektet e tjera në prodhimin e teknologjisë së lartë dhe shërbimeve që janë certifikuar sipas Aktit për Promovimin e Investimeve në 2018.
Investimet e planifikuara për këto projekte arrijnë në vlerën 482.27 milionë leva dhe pritet që të hapin rreth 1968 vende të reja pune.
Ministri Karanikolov theksoi se investimi në industrinë prodhuese do të thotë rritje e nivelit të punësimit, rritje të vendeve të punës, rritje e të ardhurave dhe investimeve në të ardhmen e Bullgarisë. “Ky është një tjetër investim i muajit të fundit, që vërteton faktin se Bullgaria është një prej destinacioneve më të preferuara të investitorëve”, theksoi ministri Karanikolov.