Në prezantimin e vlerësimit të Komisionit Europian për progresin e bërë nga vendet e BE-së në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike dhe sociale, u theksua nevoja për të promovuar investimet, politikat e përgjegjshme fiskale dhe zbatimin sa më të saktë të këtyre reformave. Sfidat janë të ndryshme për shtete të ndryshme të BE-së dhe realizimi i secilës prej tyre kërkon marrjen dhe zbatimin e masave të caktuara.
Rishikimi aktual i sfidave me të cilat përballen vendet individuale po zhvillohet në një kohë kur ekonomia europiane pritet të rritet në 2019 (edhe pse një rritje më e moderuar), për të shtatin vit radhazi. Punësimi është në një nivel të lartë dhe rrjedhimisht niveli i papunësisë ka shënuar ulje. Edhe financat publike janë përmirësuar, edhe pse disa shtete përballen me nivele të larta të borxhit.
Niveli i produktivitetit mbetet i dobët, popullsia po plaket gjithnjë e më shumë dhe ndryshimet e shpejta teknologjike kanë pasur ndikim të rëndësishëm në tregun e punës. Në disa vende, nivelet reale të të ardhurave familjare mbeten nën nivelet që ishin para krizës. Edhe pse papunësia e të rinjve ka rënë ndjeshëm, në disa shtete ajo vijon të jetë ende në nivele të larta.
Në një kohë kur pasiguria globale është më e lartë, është e rëndësishme që vendet e BE-së të shtojnë veprimet për të rritur produktivitetin, për të përmirësuar qëndrueshmërinë e ekonomive të tyre dhe për t’u siguruar që nga rritja ekonomike do të përfitojnë të gjithë qytetarët.
Pas prezantimit në nëntor të vitit të kaluar të Anketës Vjetore të Rritjes dhe Rekomandimit të Politikës Ekonomike të Eurozonës që përcakton detyrat në nivel europian, 28 raportet kombëtare të shteteve theksojnë rëndësinë e dimensionit kombëtar të Semestrit Europian. Raportet ofrojnë edhe një analizë të detajuar të sfidave ekonomike dhe sociale të secilit shtet.
Komisioni Europian ka nisur një diskutim mbi sfidat dhe detyrat që lidhen me investimet në vendet e BE-së dhe paraqet idetë e para mbi mënyrën se si fondet europiane, sidomos fondet e politikës së kohezionit, mund të jenë të dobishme për buxhetin e Komunitetit deri në vitin 2027. Kjo lëvizje do të shërbejë për të siguruar një qëndrueshmëri më të madhe të politikave ekonomike dhe të fondeve të BE-së, të cilat përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të investimeve publike në disa vende.
Raportet e vendeve vlerësojnë progresin e bërë nga secili vend që prej korrikut të vitit të kaluar. Progres më i lartë është bërë në drejtim të përmbushjes së më shumë se dy të tretave të reformave të shërbimeve financiare. Progres i qëndrueshëm është bërë edhe në drejtim të reformave që kanë lidhje me lehtësimin e krijimit të kontratave të përhershme.
Një prej mënyrave në të cilën KE-ja ka vepruar në dhjetë vitet e fundit për të ndihmuar vendet e ndryshme që të rrisin përpjekjet e tyre në drejtim të zbatimit të sa më shumë reformave, është nëpërmjet Programit të Mbështetjes së Reformave Strukturore. Këtë vit, në kuadër të Programit të Mbështetjes së Reformës Strukturore, do t’u ofrohet ndihmë teknike 26 vendeve për të zbatuar më shumë se 260 projekte. Numri i projekteve shkon mbi 290 të përzgjedhura nga viti 2017 dhe 2018.
Në nëntor të vitit të kaluar, KE-ja nisi mbikëqyrjen e 13 vendeve të BE-së për të vlerësuar nëse ato janë prekur nga paqëndrueshmëritë makroekonomike. Komisioni arriti në përfundimin se ekzistojnë paqëndrueshmëri në secilin prej këtyre 13 vendeve, por në disa raste ato po shfaqin shenja përmirësimi.
Ka paqëndrueshmëri ekonomike në Bullgari, Gjermani, Spanjë, Francë, Kroaci, Irlandë, Holandë, Portugali, Rumani, Suedi, Qipro, Greqi dhe Itali. Komisioni do të vazhdojë të mbikëqyrë zhvillimet dhe masat e politikave të marra nga të gjitha vendet në drejtim të paqendrueshmërive, sidomos gjatë Semestrit Europian.