Ministria e Ekonomisë së Bullgarisë ka ndërmarrë veprime për të fituar kontrollin mbi fabrikën e armëve të Dunarit, e cila rrezikon të humbasë licencën e tregtisë së armëve.
Pas javësh të vazhdueshme tensioni mbi të ardhmen e fabrikës së armëve të Dunarit, Bullgaria ka marrë disa masa, si shlyerja e borxheve të këtij prodhuesi dhe blerja e aseteve të saj, tha në një deklaratë për shtyp, ministri i Ekonomisë, Emil Karanikolov.
Ai vuri në dukje se tre anëtarët e bordit të kësaj kompanie janë akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Akuza të tilla i kanë detyruar ata që të japin dorëheqjen, duke vënë në rrezik të gjithë firmën.
“Ne po punojmë për të paguar të gjitha borxhet, në mënyrë që të parandalojmë falimentimin ose shitjen e fabrikës. Qëllimi ynë kryesor është të mbajmë sipërmarrjen dhe punëtorët, dhe për këtë gjë ju garantojmë”, shtoi ai.
Problemi më i madh me të cilin po përballet kompania, e cila në përgjithësi punon mjaft mirë, vjen nga “Banka e Korporatave Tregtare”, shpjegoi z. Karanikolov.
Dunarit ishte pjesë e një numri kompanish të lidhura me ish-drejtuesin e kësaj Banke, Tsvetan Vassilev, i cili emigroi në Beograd që në momentin e parë kur banka falimentoi në vitin 2014.
Pas falimentimit të Bankës së Korporatave Tregtare, fabrika iu shit EMCO, një prodhues tjetër armësh, në pronësi të biznesmenit Emiliyan Gebrev, të cilit iu hoq licenca nga autoritetet vendase për tregti armësh, në fillim të muajit gusht të këtij viti.
800 nga 1,300 punëtorë, protestuan kundër masave të ndërmarra ndaj fabrikës, që çoi në një fitim neto prej 29 milionë leva bullgare (afërsisht rreth 14.5 milionë euro) në vitin 2016.
Kjo fabrikë, e cila ua shet armët kryesisht vendeve anëtare të NATO-s dhe SHBA-së, nuk është i vetmi prodhues armësh në Bullgari, shifrat financiare të të cilëve kanë shënuar përmirësim në vitet e fundit.
Me përshkallëzimin e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, sektori i prodhimit të armëve në Bullgari, i cili kaloi një periudhë rënie, ka rilindur.
Një hetim i kohëve të fundit nga BIRN dhe Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, zbuloi se që nga viti 2012, Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Sllovakia, Serbia dhe Rumania kishin rënë dakord për eksportin e armëve dhe municioneve me vlerë të rreth 1.2 miliardë euro në katër shtete në mbështetje të opozitës së armatosur të Sirisë.
Pjesa më e madhe e marrëveshjeve, që arrijnë vlera në 829 milionë euro, janë nënshkruar me Arabinë Saudite.
“Gjatë viteve të fundit, prodhimi i armëve ka shënuar rritje rekord, duke arritur një qarkullim vjetor prej mbi një miliard leva në vitin 2016”, vuri në dukje z. Karanikolov në një raport drejtuar qeverisë, të botuar më 25 gusht të këtij viti.
Ministri ka propozuar ngritjen e një organi të ri këshillues për qeverinë, e cila do të koordinonte dhe do të zhvillonte punën e të gjithë tregtarëve dhe prodhuesve të armëve në Bullgari.
Fitimet e prodhuesit shtetëror më të madh të armëve në vend, VMZ-Sopot, u rritën me një të tretën në gjysmën e parë të vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kintex, një kompani shtetërore që merret me tregtinë e armëve, i ka trefishuar shitjet e saj neto gjatë së njëjtës periudhë nga më pak se 50 milionë leva në 152.3 milionë leva.
Nëse shteti bullgar do të arrijë të blejë Dunarit, do të shtojë në portofolin të tij një kompani të suksesshme të prodhimit të armëve.