Bullgaria ka më pak se një vit për të përmbushur udhëzimet e Bankës Qendrore Europiane dhe të Bashkimit Europian për të hyrë në dhomën e pritjes së Eurozonës. Kjo në fakt do të thotë shtrëngimin e sistemit bankar, përgatitjen e ekonomisë dhe nivelet e çmimeve.
Ky ishte edhe mendimi i ekspertëve në një konferencë mbi anëtarësimin e Bullgarisë, në mekanizmin e kursit të këmbimit, që konsiderohet hapi i fundit përpara miratimit të euros.
Por cilët do të jenë ato grupe njerëzish që do të preken më shumë nga adoptimi i monedhës së përbashkët dhe cilat janë masat që do të marrë shteti për t’i mbrojtur ato?
Sipas zëvendësguvernatorit të BNB-së, Kalin Hristov, njerëzit më të varfër do t’i ndiejnë fillimisht efektet e para pas miratimit të euros, për shkak të rrumbullakimit të çmimeve.
Sipas Kalin Hristov, në pjesën më të madhe të shteteve që u bënë pjesë e BE-së, më shumë sesa rritja e vërtetë e çmimeve ishte thjesht mendimi që ato do të shënonin rritje, që ndikoi më shumë. Kjo ndodh zakonisht sepse njerëzit më të varfër blejnë shpesh mallra të lira dhe pikërisht në këto mallra, efekti i rrumbullakosjes së çmimit, pas futjes së euros, është më i madh.
Zëvendësguvernatori ka rekomanduar krijimin e një mekanizmi kontrolli, me qëllim që t’u krijohet siguri më të rrezikuarve.
Bullgaria vazhdon të mbetet prapa Shteteve të tjera Anëtare sa u përket të ardhurave, shprehet Kalin Hristov, kur i referohet të ardhurave të 2017-s.
Rritja e çmimeve të naftës, gazit, energjisë, dhe rrjedhimisht edhe e mallrave dhe shërbimeve, ka çuar në formimin e të ashtuquajturit inflacion i keq.
Kjo do të thotë se rritja e çmimeve tejkalon rritjen e të ardhurave. Një mundësi për të trajtuar këtë problem është rritja e buxhetit, tha kryetari i grupit parlamentar të GERB, Tsvetan Tsvetanov.
Sipas Cvetan Tsvetanov është e rëndësishme që rritja ekonomike prej 4% të lejojë rritjen prej 10% të shpërblimeve në sferën e buxhetit dhe sigurisht që do të lejojë edhe sigurimin e burimeve të nevojshme financiare për paketën sociale, e cila është e nevojshme në këtë situatë. Kur të ardhurat rriten, është më se e zakonshme që të ndërthuren me rritjen e çmimeve, më e rëndësishmja, të ardhurat duhet të rriten më shumë se inflacioni që mund të formohet.
Z. Cvetanov shpjegoi më tej se shumica e anëtarëve të koalicionit qeverisës, GERB po diskutojnë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, i cili pritet të miratohet nga Parlamenti deri në fund të nëntorit. Sipas tij, ndryshimet më të mëdha në drejtim të rritjes së pagave të buxhetit dhe shpenzimeve sociale do të miratohen në dy seanca parlamentare.