Parlamenti i Bullgarisë ka miratuar ndërtimin e centralit të madh të ri bërthamor mbi lumin Danub, duke rritur shqetësimet jo vetëm rreth rreziqeve mjedisore, por edhe ndaj korrupsionit dhe përpjekjeve të Rusisë për të rifituar ndikimin në shtetin ballkanik. Deputetët dhanë miratimin ndaj një kërkese të qeverisë për të kërkuar investitorë për ndërtimin e një centrali bërthamor prej 2,000 megavatësh, i njohur me emrin Belene, gjashtë vjet pasi Kryeministri aktual i Bullgarisë, Boiko Borisov e ndërpreu këtë projekt, në mandatin e mëparshëm.
Kjo marrëveshje me firmën shtetërore ruse, Rosatom, u prish në vitin 2012 për shkak të dështimit të Bullgarisë për të gjetur investitorë të tjerë të huaj, të cilët do të ishin të gatshëm për të përballuar kostot që parashikoheshin të shkonin deri në 10 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, Sofja ishte nën një trysni të vazhdueshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të reduktuar varësinë për energji nga Moska, ndërkohë që ky projekt kërcënohej edhe nga dyshimet e shumta për korrupsion dhe frikën ndaj paqëndrueshmërisë sizmike në Belene.
Bullgaria duhet t’i paguante firmës ruse rreth 600 milionë euro kompensim, por ajo arrinte të mbante një pjesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për ndërtimin e centralit.
“Tashmë, qeveria është e bashkuar”, tha ministrja e Energjisë, Temenuzhka Petkova në një fjalim që mbajti në Parlament.
Kompani të ndryshme kanë shprehur interesin për investime dhe disa prej tyre janë lider të energjisë globale, gjë që do të garantojë sigurinë energjetike të Bullgarisë.
Rosatom dhe Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës kanë shprehur interes në këtë projekt të rinovuar, por qeveria e Bullgarisë thotë se nuk dëshiron të shpenzojë më shumë para publike në këtë projekt. Vendimi për të ndërtuar një central të madh bërthamor në Belene, shkaktoi protesta dhe një grup prej 300 personash u mblodhën jashtë Parlamentit javën e kaluar në Sofje për të protestuar kundër planeve të qeverisë.
“Ky projekt është ekonomikisht jofitimprurës dhe ekologjikisht i rrezikshëm”, tha Atanas Atanasov, një prej organizatorëve të protestës dhe bashkëdrejtues i një grupi opozitar të quajtur Koalicioni Demokratik i Bullgarisë.
Ai e akuzoi z. Borisov se i ka gënjyer të gjithë ata që e kanë votuar dhe se gjatë fushatës elektorale, ai nuk e përmendi kurrë rinovimin e projektit.
Gjatë javëve të fundit, si Borisov dhe Presidenti bullgar, Rumen Radev, kanë vizituar Rusinë për bisedime me Presidentin e saj.
Në Moskë, z. Radev e quajti ndërtimin e Belene një “akt realizmi” dhe një projekt që ka një të ardhme, bazuar në rregulla ligjore dhe financiare.