Bashkëpunimi tregtar, ekonomik dhe investimet kanë qenë në fokusin e bisedimeve të mbajtura në Sofje mes kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, dhe ministrit hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.
Borisov theksoi propozimin e Bullgarisë për ndërtimin e një qendre shpërndarje për tranzitin e gazit natyror në Europën Juglindore dhe Qendrore, referoi gjatë një deklarate zyra e shtypit të qeverisë.
Në axhendën e takimit u përfshinë edhe planet e Bullgarisë për të ndërtuar interkonektorët me fqinjët e saj, me qëllim lehtësimin e transportit të gazit.
Péter Szijjártó tha se nga perspektiva hungareze ishte për të ardhur keq se projekti i tubacionit të gazit Rrjedha e Jugut nuk ishte më pjesë e rendit të ditës, sipas ‘hungarytoday.hu’.
Megjithatë, qeveria hungareze e mirëpriti vendimin e Komisionit Europian për të ofruar pothuajse 180 milionë euro për studime dhe punë që kanë të bëjnë me ndërtimin e ndërlidhjeve të gazit midis Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë, e cila do të lidhë Korridorin Jugor të Gazit me sistemin e gazit të Europës Qendrore, tha Szijjártó.
Zgjerimi i lidhjeve ekonomike midis Bullgarisë dhe Hungarisë është me interes për të dy vendet, tha Borisov. Ai përshëndeti edhe planet e Hungarisë për të rivendosur lidhjen e drejtpërdrejtë ajrore midis Budapestit dhe Sofjes, tha zyra e shtypit të qeverisë.
Szijjártó elaboroi se, nëse tenderi i prokurimit publik planifikuar nga qeveria hungareze është i suksesshëm, në fillim të vitit 2017, ka të ngjarë të lançohet një rrugë e drejtpërdrejtë ajrore Budapest-Sofie, sipas ‘hungarytoday.hu’.
Bullgaria dhe Hungaria do të krijojnë një komision të përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik në kuadër të marrëveshjes së arritur në takimin midis ministrit të Ekonomisë, Bozhidar Lukarski, dhe Peter Szijjártó në Sofje.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së planifikuar të Lukarski në Hungari në muajin mars, referoi Ministria e Ekonomisë në Sofje.
Në takimin me Lukarski, Szijjártó, shprehu kënaqësinë në lidhje me rritjen e tregtisë ndërmjet Hungarisë dhe Bullgarisë, duke vënë në dukje se qarkullimi tregtar ka tejkaluar 1 miliard euro në fund të tetorit 2015, rritje prej 9% nga viti i kaluar.
Eksportet bullgare në Hungari për nëntë muajt e 2015-s u rritën me 19.5% nga viti në vit dhe importet u rritën me 10.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Xhiro e tregtisë u rrit me 13.1%, tha Ministria e Ekonomisë në Sofje.